Drithëruese: Emocionet e ritakimit të nënës me të birin pas 33 vitesh (FOTO)

Mbrëmjen e sotme programi “Dua të të bëj të lumtur” u hap me një histori të jashtëzakonshme, plot dhimbje dhe emocion. Protagonisti kryesor i kësaj historie i shkroi redaksisë së programit për të falenderuar nënën birësuese dhe për të mundësuar për herë të parë një takim me nënën biologjike, transmeton Class.

Në pjesën e parë të programit, Blerimi dhe Sabahetja (nëna e tij birësuese) na vërtetuan edhe një herë se prind nuk është ai që të lind, por ai që të rrit.

Blerimi ishte fëmija i birësuar i Selaminit dhe Sabahetes, pasi çifti nuk kishin mundur të kishin një fëmijë. Frika se mos ai largohej dhe i linte vetëm për të gjetur prindërit biologjik e kishte ndaluar çiftin që t’i tregonin të vërtetën.

Blerimi i ishte drejtuar programit për të falenderuar mamanë e tij dhe për t’i premtuar që edhe pse babai kishte ndërruar jetë ai do të qëndronte përherë me të.

Me lot në sy dhe tepër i emocionuar ai iu drejtua nënës së tij me këto fjalë: “Nëna ime e shtrenjtë, u bënë dy muaj që babai ka ndërruar jetë, por doja që sadopak të të bëja të lumtur. Çdo gjë që keni bërë për mua e keni bërë nga zemra dhe jo nga mëshira. Babai me të vërtetë ndërroi jetë, por shtëpia jonë është plot. Unë të premtoj me gjithë zemër që atë dhimbje që ke do të të bëj ta harrosh dhe të premtoj që do të të qëndroj gjithmonë afër siç më ke qëndruar ti mua.“

Gjatë leximit të letrës së shkruar nga Blerimi, Sabahetja ishte tepër e emocionuar dhe nuk mundi t’i përmbante lotët.

Por Blerimi përveç falenderimit që i bëri Sabahetes, kishte kërkuar nga programi “Dua të të bëj të lumtur” edhe që të gjenin mamanë e tij biologjike. Programi e kishte gjetur dhe e kishte ftuar atë në studio.

Gjatë bisedës që u zhvillua midis Arbana Osmanit dhe Terezës u kuptua që Tereza kur kishte qenë e re kishte lindur një fëmijë. Por ajo nuk e dinte nëse fëmija kishte jetuar.

Arbana zbuloi që në anën tjetër të ekranit ishte pikërisht djali i saj, Blerimi, i cili e kishte kërkuar prej vitesh. Në momentet e para Tereza e kishte shumë të vështirë këtë situatë dhe nuk pranoi që të fliste me të, madje u largua pa e parë. Dëshira për të takuar mamanë me djalin pas 33 vitesh bëri që Arbana të ndiqte Terezën në prapaskenë duke këmbëngulur që ajo të takonte djalin e saj.

Në praninë e kamerave dhe pse pa audio, pas bashkëbisedimit që Tereza bëri me Arbanën u arrit që Blerimi të shkonte në prapaskenë dhe të takonte për herë të parë nënën e tij biologjike.

Blerimi takoi Terezën dhe i tha që: “Më ke falur jetën dhe të falenderoj për këtë gjë. Çdo gjë që ke kaluar në jetë e paçsh hallall. Unë kam 33 vite që të kërkoj, por për gjithçka ta kam bërë hallall”.

Më pas Tereza takoi familjen e Blerimit, bashkëshorten dhe vajzat e tij.

Tereza e emocionuar dhe e gëzuar në të njëjtën kohë u shpreh se: “Unë nuk kam ditur asgjë, por ti qenke me të vërtetë një fëmijë i mrekullueshëm!”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button