Europa siguron Iranin për angazhimin në ruajtje të paktit bërthamor

Shefi i Bashkimit Europian për Energjinë u përpoq të siguronte Iranin këtë të shtunë se, blloku europian i qëndron angazhimit për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore me Teheranin, pavarësisht vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga akordi dhe rivendosjes së sanksioneve.

Komisioneri europian për Energjinë dhe Klimën, Miguel Arias Canete dha këtë mesazh gjatë një vizite në Teheran, ku tha gjithashtu se BE-ja 28-kombëshe, dikur importuesi më i madh i naftës iraniane, shpreson të përforcojë tregtinë me Iranin, transmeton TCH.

“U kemi dërguar një mesazh miqve tanë iranianë se, për sa kohë që ata i qëndrojnë marrëveshjes bërthamore, europianët do të përmbushin angazhimet e tyre. Edhe pala tjetër deklaroi të njëjtën gjë”, tha Canete në një konferencë për shtypin. “Do të përpiqemi të intensifikojmë flukset tona tregtare, që kanë qenë tejet pozitive për ekonominë iraniane”.

Shefi i çështjeve bërthamore të Iranit, Ali Akbar Salehi tha se vendi i tij shpreson që BE-ja të mund të shpëtojë marrëveshjen e vitit 2015, sipas së cilës Teherani ra dakord të kufizonte programin bërthamor në këmbim të heqjes së pjesës më të madhe të sanksioneve të Perëndimit.

“Shpresojmë që përpjekjet e tyre të materializohen. Ndërsa veprimet e Amerikës tregojnë edhe njëherë se ai vend nuk është i besueshëm në marrëveshjet ndërkombëtare”, tha Salehi në konferencën e përbashkët për shtyp me Canete, në Teheran.

Që prej njoftimit nga presidenti Trump më 8 maj, se Amerika do të tërhiqet nga pakti bërthamor, vendet e Europës janë shprehur në favor të ruajtjes së flukseve të investimeve dhe importit të naftës, por kanë pranuar gjithashtu se do të hasin vështirësi në dhënien e garancive të kërkuara nga Teherani.

Britania, Franca dhe Gjermania e mbështesin marrëveshjen, si mënyrën më të mirë për të frenuar Teheranin nga zotërimi i armëve bërthamore, por kanë bërë thirrje ndaj Iranit që të kufizojë ndikimin e tij rajonal dhe të ndalë edhe programin raketor. Salehi, duke i mbetur qëndrimit zyrtar të Iranit, ka përjashtuar çdo mundësi për rinegociimin e akordit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button