24 tregimet e Hazir Rekës

Është e vështirë  të gjendet ndonjë  njeri në Kosovë që nuk e njeh punën fotoreporterit kosovar, Hazir Reka. Dhe, edhe nëse nuk e njeh vetë fotografin e “fshehur” prapa fotokamerës apo nuk ia ka dëgju emrin, punën e tij e njeh secili. Fotografitë e tij, për gjatë tri dekadave janë të pranishme nëpër mediat kosovare, por edhe nëpër gjithë botën. Hazir Reka e ka shkruar historinë e Kosovës me fotokamerën e tij si askush tjetër. Dhe kur kihet parasysh që ajo që shihet është më e vërtetë se ajo që lexohet e dëgjohet, mund të thuhet se Reka e ka shkruar historinë e vërtetë të Kosovës. Ai si fotoreporter ka përjetësuar momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës, siç janë: greva e minatorëve, ngjarjet e shumta politike gjatë viteve të 80’ e ’90-ta, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Masakrën e Reçakut,  dhe “Golgotën shqiptare” të vitit 1999, etj. Me fotografitë e tij, përveç që ka dokumentuar ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë, ka njoftuar botën për dhunën që ushtronte dhe tmerrin që shkaktonte pushteti serb mbi shqiptarët e Kosovës. Fotografitë e tij janë publikuar nëpër gazetat e revistat më të famshme në botë, si: Neë York Times, Figaro, Der Spiegel… Por, Hazir Reka nuk është vetëm fotoreporter që bënë fotografi dokumentare, që vetëm kapë momentin. Fotografitë e tij janë edhe kuadro të bukur, të kapur me një mjeshtri të jashtëzakonshme prej artisti. Duke i parë fotografitë e tij, krijohet përshtypja se ai ka një marrveshje me momentet më interesante jetësore që të rrijnë para objektivit të tij, të pozojnë derisa ai zë pamjen më të bukur. Kjo përshtypje krijohet edhe me ekspozitën e tij më të re, që këto ditë e hapi në Ferizaj, në kuadër të festivalit Mural Fest.

Shkruan: Ben Apolloni

Ekspozita

Në ekspozitën e hapur në një ambient interesant, tek nënkalimi hekurudhor në Ferizaj, Reka ka ekspozuar 24 fotografi, të gjitha bardh e zi. Numri 24 duket se nuk është i rastësishëm. Autori dëshiron që të na e kujtoje se fotografitë e tij nuk janë thjeshtë kuadro, por janë kuadro lëvizës, janë film dhe se historitë që shihen aty vazhdojnë edhe jashtë kornize. 24 kuadrot e ekspozuar janë kudro fotografishë që mund dhe duhet të shikohen si një film bardh e zi, që paraqet Kosovën e vërtetë.  Në secilën fotografi ka një ose më shumë personazhe, por nuk janë vetëm njerëzit personazhe, janë edhe moti, bora, shiu, mjegulla, që veç sa e bëjnë edhe më të sakt idenë se në çfarë gjendje është shteti ynë dhjetë vjeçar. Tronditëse janë fotografitë ku paraqitet burri i moshuar, i ulur në kolicën e tij me të cilën punon rrugëve të qytetit, ai burrë i varfër që pret ta ftoje dikush për punë, por që derisa pret, me duar në xhepa, në borë, në fytyrën e tij lexohet një buzeqeshje e trishtuar e misterioze si e Mona Lizës. Ai është i mërdhirë, i uritur, por buzëqeshjen, të vetmën gjë që e ka, do ta mbaje dhe t’ua dhuroje edhe të tjerëve që e shohin.  Poashtu, shumë prekëse, tronditëse, është edhe fotografia ku paraqitet një grua e mbuluar me shami, e cila e fotografuar nga një gjysmë rakurs i lartë, duket sikur po lutet para Zotit, por që në peshqirin e bardhë në duartë e saj shihen disa monedha. Pozita e saj merr kuptim të ri dhe lutja e saj është lutje për bukë dhe Zoti i saj është secili që ka mundësi t’i lë një monedhë në peshqirin e saj të bardhë, të pastër, që me ato monedha ajo të ushqejë fëmijët e saj që presin barkthatë, diku në ndonjë kasolle.

Të githa fotografitë e Hazir Rekës, të ekspozuara në këtë ekspozitë janë vërtetë shumë domethënëse, janë fotografi që përveç asaj që shihet brenda kuadrit, historia e tyre vazhdon edhe tutje duke të të marr me vete e duke të të dërguar gjithandej.

Reka e përmbyllë ekzpozitën në harmoni me temën e Mural Fest, e cila ishte “Antikorrupsioni” dhe fotografitë e fundit paraqet duartë dhe prangat. Mesazhi është i qartë: vendi ynë ka nevojë për ligj.

Është e njohur thënia se një fotografi flet sa një mijë fjalë por ekspozita e Hazir Rekës, me 24 fotografi është e pamundur të përshkruhet me 24 mijë fjalë. Ajo do shumë më shumë fjalë, por për ta vërtetuar ose thënë më mirë për ta shijuar artin e këtij mjeshtri të fotografisë, duhet shkuar në eskpozitë e vëmendjen mandej vetë fotografitë do t’ua marrin dhe do t’u mbajnë të lidhur para tyre, por nuk do të ju lëshojnë as pasi ta keni lëshuar Galerinë më të veçantë në Kosovë, atë te nënkalimi në Ferizaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button