“Dëshmitari X” rrëfen 5 orët në Prokurori: S’është hakmarrje ndaj Agron Xhafaj

Albert Veliu, i njohur ndryshe edhe si “dëshmitari X”, në audio-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike deklaron, se në Prokurorinë e Krimeve të Rënda i ka qëndruar gjithçkaje që ka deklaruar në video.

Në një intervistë për “Panorama”, Albert Veliu rrëfen edhe arsyet që e shtynë të ndërmerrte këtë akt ndaj ish-shokut të tij, Agron Xhafaj. Sipas Veliut, rrëfimi i tij për veprimtarinë e vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, janë detyrime që Agroni duhet t’i shlyente ndaj tij pas daljes nga burgu.

“Dëshmitari X”, në audio-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike në datën 14 maj, flet edhe për kërcënimet e marra pas publikimit të  përgjimeve.

Veliu, në rrëfimin e tij, deklaron se ka bërë një jetë normale, por thekson se nuk ka borxhe ndaj askujt.

Për të gjitha detajet dhe faktet e përmendura në intervistën e publikuar nga PD këtë të enjte, Prokuroria e Krimeve të Rënda e mori për 5 orë në pyetje Albert Veliun. Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Veliu u shoqërua nga avokatët Ivi Kaso dhe Artan Murrizi, të cilët e kanë pritur rreth pesë orë që klienti i tyre të përfundojë seancën e marrjes në pyetje.

Sipas burimeve nga Prokuroria, Veliu ka dhënë dëshminë përpara prokurorit të çështjes, Përparim Kulluri. Të njëjtat burime sqarojnë se Veliu u ka qëndruar deklarimeve të mëparshme, se regjistrimi është autentik dhe se zëri është i ti, transmeton Noa.

Për t’u siguruar për versionin e tij të dëshmisë, prokurori ka marrë edhe një regjistrim të zërit të dëshmitarit, që të bëhet krahasimi me audio-regjistrimin. Kujtojmë se dy ditë më parë, ai është marrë në pyetje edhe nga Prokuroria e Tiranës.

Konkretisht, Veliu ka dhënë deklarime përpara prokurorit Genc Qana, që ka në dorë dosjen e kallëzimit të Agron Xhafajt për “kallëzim të rremë” ndaj tre zyrtarëve të PD-së, të cilët bënë publike videon.

Nga ana tjetër, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është regjistruar procedim tjetër për audio-regjistrimin, që ka nisur kryesisht nga Prokuroria e Përgjithshme pas akuzave të PD-së dhe është kaluar te Krimet e Rënda, duke qenë se organi qendror nuk ka më drejtori hetimi.

Gjithashtu, burime jozyrtare thonë se audio-regjistrimi është dërguar jashtë vendit për të zbuluar nëse është autentik, ka pasur ndërhyrje dhe nëse zërat janë të aktorëve që pretendohen.

Përpara se të nisej drejt Italisë, Agron Xhafaj ka dhënë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda versionin e tij të ngjarjes dhe ka lënë si provë regjistrime të zërit të tij për krahasim. Çështja te Krimet e Rënda është marrë nga prokurorët Përparim Kulluri dhe Gentian Osmanaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button