RRUGËTIMI I NJË VIGANI

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Krijuesi erudit Faik Konica, i porosit krijuesit që shkrimet t’i nisin me fjali të bukura, të qarta dhe koncize, sepse, po nuk ia dolën ta përvetësojnë lexuesin që me rreshtat e parë, mund t’u shkojë huq i tërë shkrimi, e tërë vepra.

Fatmirësisht, romani me titullin sugjestiv Rrugëtimi i një Vigani i shkrimtarit Agim Sylejmani nuk vuan nga cenet për të cilat shkruan Konica. Pata privilegjin ta lexoj atë me një frymë dhe mund të them se është fjala për një vepër interesante narrative të shkruar nga një dorë e sigurt, me një gjuhë të qartë e të rrjedhshme, me përshkrime mbresëlënëse që e bëjnë për vete lexuesin, tamam ashtu siç porosit mësuesi i madh i shkrimtarëve tanë.

Vepra në fjalë ka në qendër Rexhep Malën – këtë hero real të çështjes shqiptare. Në fakt, romani i Agimit është jetëshkrimi i letrarizuar i liberatorit të mirënjohur, rrëfimi tronditës që për lëndë të parë ka bëmat atdhetare të militantit, me të cilin autori ka ndarë bukën e hidhur të holokaustit serb, ka bërë shkollat e para të luftës çlirimtare të shqiptarëve të ndarë padrejtësisht nga trungu i etnisë.

Në këtë vepër letrare monografike, autori fokusohet jo vetëm në anët e jashtme të një periudheje delikate historike, por edhe në botën e brendshme të personazhit të tij të martirizuar për idenë e lirisë. Përmes mekanizmash estetikë ai rindërton tragjizmin dinjitoz të së shkuarës, mbështetet në planin historik, prej nga huazon fragmentet më domethënëse me synimin e reliefimit të realitetit të përfytyruar artistik.

Romani shpërfaq transformimin e personazhit në ideolog kombëtar, që i vë në veprim idetë e tij, i ndërgjegjshëm se pas aktesh të këtilla do të pasojnë ndëshkimet më shtazarake që ka pjellur pjesa e errët e mendjes njerëzore.

Agim Sylejmani ka rrokur në total jetën dhe bëmat e një heroi përmasash epike, që nga lindja e gjer në ditën e rrënies së Tij heroike. Ndërmjet këtyre dy kohëve (lindjes dhe vdekjes vertikale të Rexhepit, bashkë me vëllain e idealeve Nuhi Berishën), autori hedh dritë mbi epopenë që rezultoi me pavarësinë e Kosovës; mbi sakrificat e kreshnikëve të një kohë-hapësire të ngarkuar me ngjarje të mëdha – ndoshta të kohës më heroike në historinë prej golgote të Kosovës; sjell pasazhe mbi stinët e burrnimit të kryepersonazhit nëpër katrahurat e aksioneve për mbledhje armësh dhe të dëbimeve masive të shqiptarëve në shkretëtirat e Anadollit; momentet e inkuadrimit të tij në Lëvizjen kombëtare; kalimet e rrezikshme të kufijve të dhunshëm shqiptaro-shqiptarë për nevojat e organizimit të luftës së armatosur; aktivitetet në ekzil, akcionet e para serioze antisllave, nga koha e mbetjes së Kosovës nën kthetrat serbe  etj.

Krejt spontanisht dhe me sensin e një krijuesi të mirëfilltë, Agim Sylejmani ka inkuadruar brenda temës bosht të romanit të tij të parë edhe linjën e dashurisë së sinqertë ndërmjet Rexhepit dhe Hanifes – bashkëshortes dhe bashkëluftëtares besnike, e cila për asnjë moment nuk u tund dhe nuk kërkoi nga i shoqi të braktisë udhën e aktiviteteve atdhetare, ta zëvendësojë atë udhë idealesh liridashëse me jetën e patrazuar familjare, duke mbyllur sytë e duke u pajtuar me jetën qençe të robit.

Ajo, njësoj si Rexhepi, e dinte se nuk ka mirëqenie dhe rehati personale në stinët kur rrënohen mizorisht ëndrrat për një atdhe të lirë, kur të merret e drejta për të qenë zot në vatrën e të parëve tu, kur grimcohet gjithanshëm substanca etnike, kur dhunohet shtazërisht fati i njerëzve të farës, të gjakut dhe të gjuhës tënde…, shkaqe këto që e nxitën Heroin tonë të  përcaktohet herët për udhët violente të fitimit të lirisë, në një kohë kur shumëkush nunurisej përjermshëm me floskulat e bashkim-vëllazërimit realisht të pamundur ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, ndërmjet pushtuesve dhe të pushtuarve, ndërmjet xhelatit dhe viktimës. Ai e kuptoi që në rini të hershme se liria nuk falet, sepse atë ta uzurpon pushtuesi, armiku – ai që do tapinë e shtëpisë tënde. Si mund ta shihte ndryshe realitetin e hidhur ky djalë inteligjent, i rritur në gjirin e një familjeje dhe një etnie të zhiritur me shekuj për dritën e Diellit, kur para vetes kishte një histori të tërë përplot tragjedi apokaliptike, kishte vullnetet e tradhëtuara dhe të shtypura dhunshëm me fuqinë e hekurit dhe barotit të çetave të Shaban Polluzhës, tragjeditë e Tivareve dhe Sremeve, ku shqiptarët qenë shndërruar në mish për artilerinë e çakenjve, golgotat e shpërnguljeve masive, të dhunshme e tinëzare, të përgatitura prej armiqsh të përbetuar, tmerret e goli-otokëve dhe kazamateve sllave ku hynin për t’mos e parë kurrë më dritën e diellit bijtë më të zgjedhur të kombit e kështu me radhë dhe pafundësisht kështu.

Parë nga aspekti i llojit, “Rrugëtimi i një Vigani” është roman realist, me epërsi të dukshme të dokumentares ndaj fikcionit, të cilit nuk mund t’i shmanget plotësisht asnjë krijues letrar. Ai është në vazhdën e romanit shqiptar të traditës, me heronj të jetës reale, me fabul të rregullt, me kronologji të përpiktë ngjarjesh të rëndësishme, me diskurs të përshtatur me natyrën e lëndës romaneske historike.

Nëse do të përpiqeshim ta kategorizojmë mirëfilli aty ku e ka vendin, gjithnjë duke u mbështetur në teoritë e Hegelit dhe të Llukaçit, vepra mund të inkuadrohet natyrshëm në tipin e romanit “ep të kohëve moderne”, duke qenë se  Agim Sylejmani gërsheton me sukses elementet tipike për epin me ato të romanit: shpërfaq të kaluarën historike nga distanca kohore dhe njëkohësisht vë në qendër individin, të cilin lexuesi e ndjenë si bashkëkohës  të tij…

Shprehur me termet e Gëtes romani i Agimit rezulton të jetë “ep subjektiv”, biografi e letrarizuar, fillet e së cilës i gjejmë që në romanet mesjetare mbi Lekën e madh, që në prozat narrative të Rilindjes së madhe evropiane…

Pra: tipologjikisht “Rrugëtimi i një Vigani”, që si shprehje i takon traditës poetike shqiptare, është i rradhitshëm ndër romanet biografikë, kurse tematikisht ndër romanet historikë, me një narrator që zhbiron me sukses edhe botën intime të personazhëve.

Akti i botimit të këtij romani kushtuar Prometeut me zjarin në shpirt – simbolit të sakrificës dhe krenarisë kombëtare, zgjatimit të forcës së brendshme të etnisë dhe të vrulleve liridashëse…,  flet për pjekurinë e një kulture, sepse, më në fund kemi nisur të dokumnentojmë të kaluarën, të pavdekësojmë personalitetet emblematikë të asaj të kaluare, jo vetëm nëpërmjet veprave historike e kronikave të kohës, por edhe me vepra letrare, si kjo e Agim Sylejmanit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP