SHBA zhvendos flotën drejt Kinës

Brenda vitit 2020, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zhvendosin 60% të flotës së tyre detare në ujërat e Oqeanit Paqësor. 

Lajmin e bëri publik Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, i cili siguroi se ky vendim i Uashingtonit nuk do të shkaktojë asnjë tension në raportet me Kinën.

”Nuk është një sfidë kundër Kinës. Të dy shtetet kanë interesa të përbashkët në zhvillimin dhe përmirësimin e gjendjes së sigurisë në rajon”, deklaroi Panetta.

Megjithatë, pavarësisht garancive të tij, Pekini reagoi në mënyrë agresive, duke bërë të qartë në një komunikatë se prezenca amerikane në rajon nuk është e mirëpritur.

”SHBA duhet të tregohet e kujdesshme që të mos trazojë ujrat e qeta të Oqeanit Paqësor”, shkruhej në reagimin, që përputhet me linjën e ndjekur që më parë nga Kina, në lidhje me interesin e shtuar amerikan në rajon.

Tensionet midis SHBA-së dhe Kinës lidhen kryesisht me mbështetjen që i jep Uashingtoni zyrtar Tajvanit, i konsideruar si një krahinë separatiste dhe i kërcënuar me ndërhyrje ushtarake, nëse bën çdo përpjekje për njohje formale të pavarësisë.

Një tjetër burim përplasjesh është Deti i Kinës Jugore, të konsideruar nga Pekini si eksluzivisht i tij, ndonëse Tajvani, Vietnami, Malajzia, Singapori, Brunei dhe Filipinet kanë gjithashtu pretendime territoriale.

Përpara se të shpallej vendimi për të zhvendosur më shumë trupa në Paqësor, SHBA fajësoi Pekinin për udhëheqjen e një sulmi kompiuterik që synonte përvetësimin e paligjshëm të informacioneve të rezervuara shtetërore dhe të kompanive private. 

Lajme të ngjashme

Back to top button