“Ndërlidhje hekurudhore Maqedoni-Bullgari deri në vitin 2023”

Drejtorët e “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” Irfan Asani dhe i “Hekurudhat e Bullgarisë”, Krasimir Papukçiski sot në hapësirat e ndërmarrjes publike Hekurudhat zhvilluan takim në të cilin bidesuan për ndërtimin e pjesës hekurudhore të Korridorit 8 që lidh këto dy shtete, raporton Anadolu Agency (AA).

Të dy drejtorët pas takimit në një konferencë të përbashkët paralajmëruan se presin që lidhja hekurudhore e Maqedonisë dhe Bullgarisë të jetë deri në vitin 2023 në vend se siç ishte paralajmëruar paraprakisht në vitin 2025.

Asani potencoi se në vend se deri në vitin 2025 siç është paraparë me Memorandumin që e nënshkruam vitin e kaluar, ministrat e Transportit të Bullgarisë dhe Maqedonisë, shihet mundësia që koha e ndërlidhjes të ulet dhe të jetë deri në vitin 2023.

“Do të mund të fillojmë të ndërtojmë pasi të jetë i rrumbullakuar konstruksioni financiar për çka një pjesë e mjeteve janë ndarë nga BE-ja, ndërsa pjesa tjetër është punë e Qeverisë e cila bisedon me institucionet financiare ndërkombëtare”, tha Asani.

Pjesa maqedonase e hekurudhës me Bullgarinë përfshin ndërtimin e tre rrugëve, Kumanovë – Belakovc (31 kilometra), Belanovc –Kriva Palankë (32) dhe Kriva Palankë-Deve Bair (23 kilometra), ndërsa ndërlidhja duhet të jetë me ndërtimin e një tuneli në gjatësi prej 2.400 metrave në vendkalimin kufitar Deve Bair.

“Të dyja palët vendosëm qëllim që në vitin 2023 të përshëndetemi në kufirin e tunelit, gjegjësisht të takohemi në ndërlidhjen tashmë të ndërtuar dhe ta lëshojmë trenin e parë Shkup-Sofje. Po punojmë shkëlqyeshëm me kolegët dhe shpresojmë se do t’i arrijmë qëllimet e vendosura”, tha Papukçiski.

Siç informuan të dy drejtorët, konstruksioni i përgjithshëm financiar i binarëve drejt Bullgarisë, projekt i filluar para 25 viteve vlerësohet mes 600 dhe 700 milionë euro.

Në Korridorin 8, Maqedonia duhet të lidhet në mënyrë hekurudhore edhe me Shqipërinë, me rrugën Kërçovë-Lin, në gjatësi prej 63 kilometrave, për të cilën është gati dokumentacioni projektues ndërsa për ndërtimin duhet të sigurohen 500 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button