Zuckerberg do të takojë krerët e Parlamentit Evropian

Shefi Ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg, është pajtuar të takojë krerët më të lartë të Parlamentit Evropian (PE), thuhet në një njoftim të trupit legjislativ të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

“Këshilli i Presidentëve ka rënë dakord që Mark Zuckerberg të vijë në një takim me përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe të sqarohet për çështjet të cilat kanë të bëjnë me përdorimin e të dhënave personale”, thuhet në deklaratën me shkrim të kreut të PE-së, Antonio Tajani.

Ai shtoi më tej se Zuckerberg ka konfirmuar se do të vijë në Bruksel sa më parë të jetë e mundur, me gjasë brenda javës, për të dhënë dëshmitë e tij.

Takimi që do të mbahet me dyer të mbyllura, do të përqendohet në mënyrën se si Facebook menaxhon të dhënat e përdoruesve.

Rrjeti social u përball me akuza të rënda, pasi u bë e ditur se kompania për konsulencë politike Cambridge Analytica, ka pasur qasje në të dhënat personale të miliona amerikanëve gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, të cilën e ka bërë në emër të fushatës së Donald Trumpit, dhe se ka mundur të marrë informacion për 2.7 milionë shtetas evropianë.

“Shtetasit tanë meritojnë një sqarim të detajuar”, shtoi më tej Tajani, i cili tha se mirëpret vendimin e Mark Zuckerbergut që të shfaqet personalisht para përfaqësuesve të 500 milionë europianëve.

Në prill të këtij viti, Zuckerberg vullnetarisht dëshmoi në prani të kongresmenëve amerikanë lidhur me zbulimet e Cambridge Analytica. Dëshmia ishte publike, ndryshe nga ajo që do të mbahet me Parlamentin Evropian.

“Kemi pranuar propozimin e Këshillit të Presidentëve për t’u takuar me krerët e Parlamentit Evropian. Çmojmë mundësinë e dhënë për dialog, të dëgjojmë pikëpamjet e tyre, si dhe të flasim për hapat që po ndërmarrim në drejtim të mbrojtjes më të mirë të privatësisë së njerëzve”, tha Facebook në një deklaratë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button