Koha për zgjidhje

Politika është gjë e çuditshme. Jo më kot janë dhënë këshillat, të mos thuhen gjëra të mëdha, e të mos jepen deklarata bombastike gjatë fushatave parazgjedhore, sepse të njëjtat, pastaj kthehen si bumerang në kohën kur duhet të bëhen kompromise jo të natyrshme. Dhe gjithmonë ndodh kështu, rivale politike, armiq të përbetuar që nuk kane lënë gjë pa thënë e pa share për njëri-tjetrin përfundojnë në koalicione të përbashkëta qeveritare. Kjo gjë ka kaluar në rutinë në Maqedoni dhe e kemi parë të ndodh shumë herë. Nuk është hera e parë të krijohen koalicione jo të natyrshme dhe jo parimore. Por në fund te fundit, qëllimi i secilit person të angazhuar politikisht është të fitojë pushtetin, dhe pastaj të mundet ta mbajë atë. Kjo është esenca e politikës në të cilën standardet parimore gjithnjë sakrifikohen, diku më shumë, diku më pak, për të arritur këtë qëllim final. Dallimi mes politikanëve megjithatë qëndron në atë se çfarë bëjnë me pushtetin e fituar dhe a arrijnë t’i zgjidhin problemet fondamentale dhe qenësore të vendit.

Ajo që mundohet të bëjë kryeministri Zaev me koalicionet e reja sapo të krijuara, është që ta përforcojë shumicën parlamentare, e cila do të jetë më se e nevojshme për të kaluar shumë procese me rëndësi, duke përfshirë këtu ligjet reformatore e mbi të gjitha, duke pasur parasysh procesin e zgjidhjes së kontestit të emrit. Duke u nisur prej kësaj, duhet të jemi të fokusuar dhe të koncentruar te fotografia e madhe dhe të mos na ndodh që duke parë drurin, të mos mund ta shohim pyllin. Qëllimi përfundimtar është zgjidhja e këtij kontesti dhjetëvjeçar dhe për të gjithë është e qartë që asnjëherë nuk kemi qenë kaq afër zgjidhjes. Asnjëherë nuk ka pasur një politikan dhe kryeministër i cili seriozisht është angazhuar ta zgjidh këtë problem që na mban larg integrimeve evropiane dhe atlantike për dekada me radhe. Asnjëherë nuk kemi pasur për udhëheqës dike që është i gatshëm të marrë mbi vete rrezikun për t’u djegur politikisht një herë e përgjithmonë, për të bërë atë që mundet, për të gjetur një zgjidhje.

Prandaj duhet të tregohet durim dhe duhet të tregohet përqendrim. Do të ketë kohë edhe për kritika të sjelljeve joparimore ose të gabimeve të tjera që ndodhin por se pari, është më se e nevojshme të mos sabotohet, e as të vështirësohet procesi i zgjidhjes se këtij kontesti.

Sepse fundja, Maqedonia nuk ka opsion tjetër. Është o zgjidhja e kontestit te emrit dhe përparimi në rrugën e integrimeve, o izolimi i mëtejshëm i saj dhe përparimi në rrugën tjetër ruso-lindore. Mes këtyre dy opsioneve për shumicën e popullatës së vendit me qëndrime pro-evropiane, në fakt ka vetëm një opsioni, sepse tjetri është i papranueshëm. Edhe pas deklaratave të shteteve të fuqishme evropiane, se nuk do të ketë së shpejti zgjerim të BE-së në Ballkanin Perëndimor, sërish për Maqedoninë ka vetëm një opsion, sepse tjetri mbetet i papranueshëm. Kështu, me zgjidhjen e kontestit të emrit, pritet të vijë ftesa për në NATO si dhe të hapen bisedat për aderim në BE. Prandaj, drejtimi i duhur është ky, mundësi tjetër nuk ka, si dhe shans më të mirë dhe më të përshtatshëm për të zgjidhur këtë kontest shumëvjeçar nuk do të ketë përsëri.

Kjo pra është fotografia e madhe e mozaikut pjesët e të cilit janë duke hyrë në vendet e veta. Kur të rregullohet ai, do të kemi shumë mundësi dhe kohe t’i trajtojmë në mënyrë të veçantë dhe një për një të gjithë gurët e vegjël të atij mozaiku.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button