Ndryshimi i formatit të dialogut të Brukselit, kthen procesin prapa

Ndryshimi i formatit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, do ta kthente procesin prapa, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Dialogu i deritashëm në Bruksel, për formatin e të cilit që në fillim ishin pajtuar të dy vendet, është zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton REL.

Por, së fundmi, për liderët institucional të Kosovës, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë dialog është vlerësuar i pamjaftueshëm.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, kanë kërkuar përfshirjen aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun e Brukselit.

Politologu, Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se përfshirja eventuale në dialog, në mënyrë aktive e aktorëve tjerë përveç Bashkimit Evropian, do të nënkuptonte ndryshim të formatit të dialogut të deritashëm në Bruksel. Rrjedhimisht, sipas tij, procesi do të kthehej prapa.

“Pala kosovare ka kërkuar që të kyçen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që duket krejtësisht një kërkesë normale, si një lloj garancie. Por, gjithashtu pala serbe ka kërkuar që të kyçet Rusia e që nga pikëpamja e tyre do të dukej në kuadër të një balance. Mirëpo, problemi kthehet në gjenezën e tij. Unë mendoj që fuqitë e mëdha e kanë politikën e vet strategjike dhe gjeopolitike, që e bëjnë pavarësisht prej kërkesave të shteteve të vogla, në këtë rast të Kosovës ose edhe të Serbisë”, theksoiTahiri.

Ilir Ibrahimi, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shprehë mendimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përfshira në dialog, me vet mbështetjen që i kanë dhënë atij. Sipas tij, kërkesa e autoriteteve të Kosovës që roli i SHBA-së të jetë aktiv në dialog dhe gjithashtu kërkesa e autoriteteve të Serbisë që në dialog të kyçet edhe Rusia, e kthejnë procesin prapa.

“Besoj që Bashkimit Evropian i është besuar roli që të përmbyllë këtë proces të dialogut dhe Bashkimi Evropian, në këtë rast e përfaqësuar nga zonja (Federica) Mogherini, e ka përkrahjen e fuqishme, si nga shtetet e Bashkimit Evropian, sidomos ato që e kanë njohur Kosovën, por edhe nga Shtetet e Bashkuara. Prandaj, çdo ndryshim i kompozimit të pjesëmarrësve në dialog tani, unë po besoj që nuk është në favor të Kosovës, sepse në momentin që futet edhe Rusia në këtë lojë, atëherë e kemi një rol tjetër të dialogut. Kjo nuk do të shkonte në favor të Kosovës. Prandaj edhe e kemi parë që Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë në favor të përfshirjes aktive në dialog”, tha Ibrahimi.

Në anën tjetër, që në nismën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Evropian nuk ka marrë mbi vete barrën që të jetë shpjegues apo interpretues i marrëveshjeve që dalin nga dialogu, por vetëm lehtësues i tij.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se kjo ka bërë që palët e përfshira në dialog, jo rrallë t’i interpretojnë ndryshe nga njëra-tjetra marrëveshjet dhe të mos pajtohen lidhur me to.

Një situatë e tillë, sipas politologut Tahiri, e shpjegon edhe insistimin e autoriteteve të Kosovës për përfshirjen aktive të SHBA-së në dialog, kur tashmë është paralajmëruar se duhet të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese për palët. Por, sipas tij, ky dialog nuk e ka formatin e një konference ndërkombëtare për Kosovën.

“Nuk është konferencë ndërkombëtare dhe nuk mund të ketë garantues ndërkombëtar, i cili e imponon zbatimin (e marrëveshjes). Duhet të kemi një lloj dialogu apo bashkëbisedimi me Serbinë, për pranimin në fund të shtetit të Kosovës. Kosova e ka këtë qëllim dhe proceset nuk kthehen prapa. Me Serbinë do të ishte më mirë që çështjet t’i zgjidhnim ashtu si i zgjidhim me Maqedoninë, me Shqipërinë dhe me të gjitha shtetet tjera dhe jo të hyjmë në një status të veçantë të bisedimeve që është më pak se sa pozicioni i shtetit të Kosovës”, theksoi Tahiri.

Por, analisti Ibrahimi thekson që në rast se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ligjërisht obliguese, do të interpretohej në dy mënyra, atëherë ajo nuk do të konsiderohej fare si marrëveshje.

“Nuk besoj që ky është objektivi i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuara. Prandaj, kjo marrëveshje, e cila synohet të arrihet deri në fund të vitit, do të jetë e qartë dhe do të qojë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Nuk besoj që do të lejohen ambiguitete të tilla. Nuk është në interesin e vendeve që po insistojnë që të kemi një zgjidhje në këtë dialog. Kjo marrëveshje do të ketë një garanci, qoftë nga Bashkimi Evropian, por edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e fuqishme si Gjermania”, u shpreh Ibrahimi.

Sidoqoftë, pavarësisht se në disa raste autoritetet e të dyja vendeve, të Kosovës dhe Serbisë, kanë deklaruar se një marrëveshje ligjërisht obliguese do të duhej të arrihej deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, të dyja palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime skajshmërisht të kundërta lidhur me zgjidhjen e problemeve që do të qonin në normalizimin e tërësishëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button