“Monstra”, Agim Ismailoviq tregoi vendin ku gjendet vëllai i arratisur, Fejzi Aziri akuzoi policinë për montim

Në Gjykatën Penale sot ka vazhduar rigjykimi për rastin “Monstra”. Në bankën e të akuzuarve janë ulur Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta, ndërkaq me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Gjykata pranoi që të arratisurit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri të gjykohen në mungesë, njofton Portalb.mk.

Fillimisht, prokurorja e PSP-së, Fatime Fetai, e lexoi akuzën e vjetër të lëndës, ndërkaq në pas prokurori tjetër i PSP-së, Gavrill Bubevski e lexoi edhe versionin e dytë të akuzës, me të cilën personat e akuzuar akuzohen për kryerjen e veprës “terrorizëm”, gjegjësisht sipas akuzës, ata janë fajtor për vrasjen e katër djelmoshave të rinj dhe një peshkatarit në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012.

Gjatë leximit të akuzës së vjetër, familjarët e të vrarëve, filluan të qajnë në seancë, ndërkaq Fetai paralajmëroi dëshmi të reja për rastin në fjalë.

Pas kësaj, gjykatësi i lëndës Ognen Stavrev, kërkoi që vetëm i akuzuari Agim Ismailoviq të qëndrojë në sallë, ndërkaq të tjerët të dalin jashtë, me qëllim që personit në fjalë t’i parashtrohen pyetje nga gjykatësi, prokurorët, por edhe avokatët.

“Që nga dita e parë kam deklaruar dhe ngelem në të njëjtën deklaratë edhe pas 6 viteve, nuk ndihem fajtor dhe nuk e kam kryer këtë vepër”, tha Ismailoviq në pyetjen e gjykatësit Stavrev nëse ndihet ai fajtor.

Ai shpjegoi se në ditën e arrestimit ka qenë “në internet kafe, ku ka punuar, në Hasanbeg, atje ku edhe banon me shtëpi”.

Ndërkaq në pyetjen se ku ka qenë gjatë orës 18:00 dhe 20:00, ai ka theksuar se edhe pse si kujtohet se kanë kaluar gjashtë vite, megjithatë sipas orarit, duhet të ketë qenë ose në xhami për faljen e namazit të akshamit ose mund të jetë falur në shtëpi.

“Më 12 prill para 6-të viteve kam qenë duke punuar në fast-food – internet kafja që ka qenë e imja, pra kur ka ndodhur ngjarja kam qenë në punë.

Në pyetjen se prej kur nuk është në Shkup vëllai i tij, Afrim Ismailoviq, (gjithashtu i akuzuar për të njëjtën vepër, por është në arrati), ai tha se i njëjti për shkak se më herët ka pasur një vepër tjetër penale dhe është dashur të shkojë në burg, ai kohë pas kohe nuk ka ndenjur në shtëpi.

Në pyetjet nëse ai ose vëllai i tij kanë poseduar armë, Agim Ismailoviq u përgjigj me “jo”.

Rasti "Monstra", foto: Suad Bajrami, Portalb.mk

Rasti “Monstra”, foto: Suad Bajrami, Portalb.mk

Prokurorja dhe gjykatësi më pas parashtruan pyetje edhe nëse i ka njohur më herët të akuzuarit tjerë, transmeton Portalb.mk.

“Fejzi Azirin s’e kam njohur më herët, por pasi ka ndodhur ngjarja. Haki Azirin e kam njohur pas vitit 2009, ashtu edhe Sami Lutën. Alil Demiri dhe Agim Ismailoviq kanë punuar në internet kafe, zakonisht ndërrimi i parë, ndërkaq unë më pas kam punuar gjatë ndërrimit të natës.

Pyetjes së prokurores Fetai, se ku ndodhet vëllai i tij Afrim Ismailoviq dhe a ka kontaktuar me të, Agim Ismailoviq u përgjigj se ai ndodhet në Kosovë dhe se pas lëshimit nga burgu ka folur një herë me të.

“Vëllai im është në Kosovë, kam komunikuar me të përmes Viber-it. Më herët pra, që nga arrestimi nuk kam komunikuar me të”, tha Agim Ismailoviq.

Në pyetjen nëse e di adresën, ai tha se e di që vetëm ndodhen në Prishtinë të Kosovës, por se për më shumë ka njohuri Policia e Kosovës.

Pas kësaj ka reaguar avokati Naser Raufi i cili është ankuar deri te gjykatësi se ajo është procedurë tjetër. Fetai ndaj kësaj gjithashtu ka reaguar duke e akuzuar Raufin se “po punon për të mos dalë e vërteta në shesh”.

Prokurorët e PSP-së, por edhe gjykatësi, gjithashtu e kanë pyetur Ismailoviqin nëse e ka keqtrajtuar policia, i cili u përgjigj me po dhe madje tha se e kanë detyruar që ta pranojë fajin.

“Pasi më kanë arrestuar, në stacionin policor kanë qenë 5-6 inspektorë. Aty jam marrë në pyetje, ka pasur edhe të rrahur dhe shuplaka, vetëm që të pranoj se e kam kryer veprën. Në atë kohë ka qenë e arrestuar edhe gruaja ime e cila ka nënshtetësi gjermane. Më kanë detyruar me dhunë që t’i nënshkruaj disa letra, duke më kërcënuar se nëse të njëjtat nuk i nënshkruaj do të mbetem përgjithmonë aty. Pas kësaj, më kanë dërguar në gjykatë, ndërkaq gjykatësi hetues nuk më ka keqtrajtuar, por nuk më ka pyetur nëse më kanë keqtrajtuar policët. Në atë periudhë s’kam pasur avokat, pasi që s’kam pasur mundësi, por pa dijeninë time familja ka angazhuar avokat. Në seancat gjyqësore as që na kanë pyetur ose janë marrë parasysh ankesat tona për keqtrajtim nga ana e policisë. Madje as s’kemi pasur mundësi të kërkojmë mjek”, tha Ismailoviq.

Para trupit gjykues, sot ka dëshmuar edhe i akuzuarit Fejzi Aziri i cili në detaje shpjegoi se ku ka qenë dhe çfarë ka bërë ditë kur ka ndodhur vrasja e pesë fisht në Liqenin e Smillkovës. Aziri theksoi se rastin “Monstra” e ka montuar policia, ndërsa në pyetjen se a ka zhvilluar biseda telefonike me krerët e BDI-së, Aziri konfirmoi se ka pasur biseda me disa funksionar të BDI-së.

“Kam pasur takime dhe biseda telefonike me zyrtarë të lartë të BDI-së. Në telefon kam folur me Nevzat Bejtën, por edhe me Izet Mexhitin. Bisedat kryesisht kanë qenë për çështje partiake, kur unë isha i kyçur ne parti”, tha  Fejzi Aziri, i akuzuar, transmeton Alsat M.

Më dëshminë e Azirit, u mbyll seanca e sotme. Pas seancës, pala e dëmtuar akuzoi të akuzuarit për dhënien e dëshmive kundërthënëse dhe të ndryshme nga dëshmitë e para. Avokatët mbrojtës hodhën poshtë pretendimet e palës së dëmtuar. Gjykimi i do të vazhdojë me 23 maj.

Rasti “Monstra” që nga muaji mars është në duar të Prokurorisë Speciale Publike. Prokurorja speciale, Katica Janeva tha se janë të përgatitur ta prezantojnë lëndën para gjykatës.

Vrasja te Liqeni i Smillkovës ka ndodhur më 12 prill 2012 ku u vranë djemtë Filip Sllavkovski, Aleksandar Nаqevski, Cvetanço Acеvski, Kire Tërpkovski dhe Borçe Stevkovski.

Për këtë vrasje të pesëfishtë u hap lëndë me emrin “Monstra” ku me dënim të përjetëshëm u dënuan Alil Demir, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta,  ndërkaq Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë të pakapshëm për autoritetet e rendit.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i liroi të akuzuarit  Agim Ismailoviq, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Azirin dhe u përcaktoi masë kujdesi.

DOSJE “Monstra”: 6 vjet në kërkim të zbardhjes së rastit së vrasjes makabre pesëfishe

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI MOBIL