Haradinaj: Do ta formojmë ushtrinë me apo pa ndryshime kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se do të bëhet transformimi i FSK-së, me apo pa ndryshime kushtetuese.

Haradinaj ka thënë se vendimi për transformimin e FSK-së është proces politik, transmeton REL.

“Marrja e votës është një proces politik edhe jam thellë i bindur se nëse jo përmes bazës kushtetuese, atëherë përmes avancimit të bazës ligjore do të ndodhë transformimi i FSK-së në ushtrinë e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri ka thënë se “nuk mund të pritet pakufi” për të ndodhur ky proces.

“Transferimi i FSK-së në ushtri nuk nënkupton marrje të detyrave të KFOR-it. KFOR-i është forcë paqësore, është një mandat i NATO-s, ne e respektojmë”, tha ai.

Gjatë ditës, Haradinaj ka pritur në një takim ambasadorët e akredituar në Kosovë me të cilët ka diskutuar për këtë çështje.

Prej kohësh institucionet e Kosovës janë duke paralajmëruar transformimin e FSK-së përmes ndryshimeve ligjore porse komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht e ka kundërshtuar këtë propozim.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, krijimi Forcave të Armatosura mund të bëhet vetëm me ndryshime kushtetuese përkatësisht me dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës duke përfshirë edhe dy të tretat e votave nga deputetët që përfaqësojnë komunitetet pakicë në Kuvend.

Ky transformim është kundërshtuar në mënyrë kategorike nga përfaqësuesit e Listës Serbe, çka e ka komplikuar gjithë procesin e transformimit.

Në vitin 2017 Kosova ka marr një iniciativë për ta krijuar ushtrinë vetëm me ligj dhe pa ndryshime kushtetuese, por kishte hasur në kundërshtime të ashpra nga SHBA dhe NATO.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button