Manifestimi “Takimet poetike në Sharr” tuboi poetë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare

Me homazhe para busteve të veprimtarëve të kombit, rilindësit Rexhep Voka, poetit martir Sadudin Gjura dhe dëshmorit Xhemil Abdurahmani, në fshatin Shipkovicë, më 12 maj 2018, i filloi punimet edicioni i parë i manifestimit kulturor „Takimet poetike në Sharr”. Këtë manifestim kulturor e organizoi Shtepia botuese „Menada” nga Tetova, e cila në këtë veprimtari të rëndësishme kulturore, tuboi veprimtarë të njohur, poetë e shkrimtarë eminentë nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe nga qytete të ndryshme të vendit tonë – Republikës së Maqedonisë. Ejup Ajdini – organizatori i manifestimit, pas homazheve i përshëndeti të gjithë artdashësit, pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje dhe mbëshetësin kryesor, Ministrinë e Kulturës.

“Përshëndesim të gjithë artdashësit, përshëndesim Ministrinë e Kulturës, e cila e përkrahu këtë projekt kaq të rëndësishëm, të cilin e kemi menduar që më herët, por tani me ardhjen e strukturave të reja e panë të arsyeshme dhe e kuptuan thelbin e këtij manifestimi dhe ne sot jemi shumë krenarë pasi janë figura shumë të rëndësishme historike, pasi në këtë vend lindi Rexhep Voka, i cili para 150 viteve e shkroi librin e parë shqip në krahun e këtyre anëve, pra të Maqedonisë, pastaj pasuesi është Sadudin Gjura, i cili në rrethana misterioze u zhduk nga pushteti i atëhershëm, pastaj vlerat e letërsisë kombëtare i ngritën përsëri malësorët nga fshati Gajre, poetët Abdylazis Islami dhe Murat Isaku. Ka edhe vlera të tjera, por ne sot për të gjallët nuk do të flasim, sepse manifestimi tregon ndjenjën, shpirtdëlirësinë e njerëzve që janë prezentë dhe besojmë edhe opinioni do të na kuptojë mbarë”, theksoi prof. dr. Ejup Ajdini.

Organizimin e këtij manifestimi e ka përgëzuar dhe vlerësuar lartë edhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, i cili shprehu gatishmërinë e tij për të siguruar edhe në të ardhmen mbështetje për organizime të kësaj natyre.

“Jemi këtu për të ndjekur për së afërmi manifestimin “Takimet poetike në Sharr”. Për mua është takimi i dytë i poetëve për këtë vit, pasi takimin e parë e patëm në Karadak dhe Ministria e Kulturës me politikat e saj të reja për një kulturë më ndryshe, për një përfaqësim më ndryshe të shqiptareve në këtë ministri, dihet mirëfilli që Ministria e Kulturës ndau një buxhet mbi 35 për qind për botimet dhe aktivitetet që tangojnë poetët tanë shqiptarë. Ne jemi këtu për të siguruar të gjithë artdashësit, sidomos poetët tanë, që mbështetja e Ministrisë së Kulturës do të jetë e parezervë dhe të gjitha projektet që kanë të bëjnë me kultivimin e vlerave të figurave të shquara kombëtare të popullit shqiptar të çdo sfere, ne do të jemi aty për t’i përkrahur”, deklaroi Valmir Aziri, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë.

Hapja solemne e edicionit të parë „Takimet poetike në Sharr” u realizua në Shkollën fillore „Rexhep Voka” të fshatit Shipkovicë, pikërisht në katundin që sipas organizatorit krijimtaria popullore dhe ajo letrare ka qenë dhe tenton të mbetet farkëtari më i mirë dhe më i veçantë i vlerave tona kulturore dhe shpirtërore në përgjithësi.

“Vlerat kulturore janë krijuar dhe vazhdojnë të krijohen gjatë tërë procesit të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, pasi vlerat poetike dhe të arteve të tjera në përgjithësi, janë orientim për sjelljet dhe nivelet e zhvillimit kulturor e moral të njerëzimit. Fuqia e mendjes, imagjinata, por edhe fuqia e ndjenjave, si dashuria, gëzimi, frika, dhembja, pikëllimi, etj., kanë qenë dhe mbeten përherë faktorë për krijimin e vlerave shpirtërore e humane si ndërveprim i bukur midis njeriut dhe natyrës. Krijimtaria popullore dhe ajo letrare në Malësinë e Tetovës ka qenë dhe tenton të mbetet farkëtari më i mirë dhe më i veçantë i vlerave tona kulturore dhe shpirtërore në përgjithësi. Dëshmi më e mirë janë traditat kulturore të festive si, këngët e motmotit, këngët e kurbetit, të dasmës, fejesës, këngët e punës, kanagjegjit, synetisë, lindjes, vdekjes, bletës, luleve dhe natyrës në përgjithësi. Ky talent krijues i malësorëve të Sharrit u reflektua 150 vite më parë edhe te shkrimtari i Rilindjes Kombëtare të këtij krahu, Rexhe Voka, pikërisht nga ky katund, ku edhe sot jemi përqendruar me manifestimin tonë ,,Takimet poetike në Sharr”, që do të thotë se nuk jemi rastësisht sot në Malësinë e Sharrit të Tetovës, pikërisht këtu në Shipkovicë, Pasi Voka është i pari, i cili, para një shekulli e shkroi librin e parë shqip „Mendime” që edhe sot e kësaj dite i ruan vlerat e mirëfillta letrare – filozofike. Ai shkroi edhe alfatetaren, vepra të tjera pedagogjike e fetare, por, për ne, libri “Mendime”, na bën krenarë për jetë të jetëve”, tha gjatë fjalës së tij, Ejup Ajdini.

Shtëpia botuese “Menada”, për mbështetjen e “Takimeve poetike në Sharr” i ndau mirënjohje rektorit të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Vullnet Ametit, sipërmarrësit të njohur Islam Ramizit dhe Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Azirit.

“Jam me emocione pasi që gjendem në një vend ku e kam kaluar pjesën më krenare të jetës time dhe Shipkovica na ka bërë strehë, na ka bërë dhe populli shqiptar i Malësisë së Sharrit, i cili ka ndihmuar që ne të bëjmë një luftë të suksesshme dhe si rezultat i asaj lufte, ne sot jemi të lirë për të ushtruar aktivitetet tona kulturore, për të kontribuar për kulturën shqiptare. Ne si Ministri e Kulturës për vitin 2018 kemi ndarë 35% të buxhetit të ministrisë për kulturën shqiptare, e kemi krijuar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqipe që do të kontribuojë shumë në kultivimin e etnosit shqiptar, po ashtu si Ministri e Kulturës kemi mbështetur një numër rekord të botimeve për këtë vit. Është hera e dytë që marr pjesë pjesë në një aktivitet të kësaj natyre pas “Takimeve të Karadakut”. Ju përshëndes të gjithëve, Ju falënderoj për prezencën, unë jam këtu për të siguruar një mbështetje të vazhdueshme të Ministrisë së Kulturës dhe në strategjinë e re të saj është paraparë një vend shumë i veçantë për këto takimet interaktive. Kështu që, Ju përgëzoj për punën dhe shpresoj dhe ju garantoj që gjërat që nisin në Shipkovicë kanë jetë të gjatë dhe shpresoj që edhe ky aktivitet të ketë jetë të gjatë”, tha Sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri. Në hapjen solemne u recituan vargje dhe u lexuan pjesë nga vepra e Rexhep Vokës, Sadudin Gjurës, Murat Isakut dhe Abdylazis Islamit, vargjet dhe fragmentet e të cilëve i lexuan para pjesëmarrësve, studentë dhe profesorë të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës: Abdulkadër Selimi, Kaltrinë Sadiki, Gjylsime Jashari dhe Vjollcë Berisha. Hapja zyrtare e manifestimit përfundoi me interpretimin e këngëve të melosit tonë popullor nga artistja e njohur Shefqete Gosalci dhe me shtrimin e një kokteji të pasur me ushqime tradicionale të trevës së Malësisë së Sharrit.

“Takimet poetike në Sharr” vijuan programin e tyre me homazhe para bustit të atdhetarit Saip Kamberi në fshatin Gajre, takimin poetik në klubin artistik „Shend e Verë” dhe homazhe para shtatores së rilindësit Naim Frashëri në sheshin e qytetit të Tetovës.

Ky manifestim i rëndësishëm kulturor e përfundoi programin me mbajtjen e “Orës letrare” në restorantin „Ata” në Tetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button