Topi-politikës:Jo debate të pafrytshme, më shumë vëmendje fëmijëve

Kreu i shtetit Bamir Topi i ka përcjellë sot një mesazh politikës shqiptare që të mos harxhojë kohë për diskutime të gjata të pafrytshme por t`i kushtojë më shumë kohë fëmijëve. Duke folur në takimin e zhvilluar me fëmijët me rastin e 1 Qershorit, ditës së fëmijëve, presidenti Topi apeloi për më shumë altruizëm për fëmijët.

“Unë dëshiroj të bëj një apel padyshim edhe për ata politikanë, të cilët, më shumë vëmendje, më shumë altruizëm sidomos për fëmijët, dhe më pak shpenzim kohe për zgjidhje racionale që ata natyrisht e kanë mundësinë ta bëjnë! Më pak humbje kohe për komunikime shumë të gjata, pa fryt, sikurse jemi mësuar të shikojmë, më konkret, më realizues, sepse në këtë mënyrë do të ndihen mirë të gjithë, në funksion të shtetit shqiptar, të institucioneve dhe të mbarë shoqërisë shqiptare” theksoi Topi.

Ceremonia iu dedikua edhe fëmijëve jetimë, dhe apeli i presidentit ishte për më shumë mbështetje për këta fëmijë që fati u ka trokitur ndryshe. 

“ Askush nuk parashikon fatin e jetës, as më shumë, as më pak, dhe sidomos ata që nuk janë të ndërgjegjshëm që fatin e tyre e kanë të tjerët në dorë. Kështu që unë do të thoja që në këtë moment, në një vend demokratik, në një vend ku shoqëria dhe njerëzit së pari duhet të jenë të ndjeshëm. Fatin e këtyre fëmijëve fillojnë ta marrin në dorë njerëz altruistë, e marrin në dorë institucionet, e merr në dorë dhe duhet ta marrë në dorë domosdoshmërisht politika, për ta bërë jetën e këtyre fëmijëve më të lehtë. Dhe jo thjesht për t`i trajtuar gjatë periudhës kur ata kanë statusin e fëmijës, por për t`i përgatitur ata për t`u integruar në jetë, sepse ndryshe ky do të konsiderohej një proces mekanik. Fëmijët në këtë periudhë kanë dorën e shtetit, kanë dorën tuaj padyshim. Unë nuk do ta teproja ta përsërisja, kanë ndjeshmërinë e njerëzve të ndjeshëm. Për fat të mirë, ende sot ka njerëz të mirë, por s`mund të them që janë të gjithë kështu, sepse ndërkohë që pjesa më e thyeshme e kësaj kategorie shikohet jo gjithmonë në çdo ditë të vitit, ndonjëherë përdoren festat për ekzibicion politik. Unë do të doja që një njeri që vërtet është i ndjeshëm dhe e ka në vëmendje, do ta ketë në vëmendje çdo ditë të vitit, nëpërmjet inkurajimit, nëpërmjet suportimit të këtyre institucioneve, nëpërmjet atyre njerëzve që s`do ta kenë mendjen vetëm tek fitimi, por duhet të shikojnë edhe përtej fitimit, sepse bota është e ndërtuar në këtë mënyrë, që gjërat duhet të vijnë në harmoni ” theksoi më tej Topi.

Pas takimit me fëmijët presidenti ka dekoruar disa personalitet të njohura të vendit, të cilët janë rritur në Shtëpinë e Fëmijës apo kanë kontribuar për integrimin e fëmijëve jetimë: Serafin Fanko (pas vdekjes), Andon Qesari, Bejkush Birçe Jorgo Papingji, Ilir Çumani etj. /botasot 

Lajme të ngjashme

Back to top button