Osmani: Misioni historik për Evropë të bashkuar është qëllimi ynë strategjik

Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Оsmani, në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane mbajti takim me delegacionin e Lëvizjes Panevropiane nga Gjermania dhe Austria, të cilët për vizitë disaditore qëndrojnë në Republikën e Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

“Ideja Panevropiane për një Evropë të Bashkuar është një ndër idetë më përparimtare dhe më е fuqishme е shekullit të kaluar, e cila vazhdon të fisnikërojë ideologjinë politike të kontinentit. Ajo përputhet me interesat tona strategjike për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.”, theksoi Osmani në takim. Ai shtoi se jo vetëm Maqedonia, por edhe integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian paraqet një ndër sfidat më të rëndësishme të vendeve të rajonit, por në këtë moment edhe një ndër prioritetet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian.

Në këtë kontekst Osmani theksoi frymën pozitive e cila u krijua gjatë vitit të kaluar rreth ardhmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, progresi i të cilit ishte valorizimi me Strategjinë për zgjerim të Komisionit, dhe më vonë u konfirmua edhe me Raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo rrymë e re e optimizmit Evropian kontribuoi për krijimin e atmosferës së re pozitive në rajon dhe paraqet shtytje dhe guxim për reformat e mëtutjeshme të cilët do ta afrojnë Ballkanin Perëndimor drejt BE-së.

Osmani potencoi se ky përkushtim i Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor do ta ketë kulminacionin e vetë së shpejti, në prag të Samitit në Sofje i përkushtuar pikërisht për rajonin, duke mos e fshehur edhe shpresën dhe pritjet e Republikës së Maqedonisë për vendim nga ana e Këshillit  Evropian në qershor, për fillimin e negociatave.

“Interesat tona strategjike janë drejt misionit tonë historik për bashkim të Evropës”,  theksoi Osmani, duke shtuar se Maqedonia ka mbështetje të vazhdueshme nga ana e Austrisë dhe Gjermanisë, dhe në atë drejtim pret mbështetje edhe nga ana e përfaqësuesve gjerman dhe austriak të lëvizjes Panevropiane të cilët me forcën dhe ndikimin e tyre mund të kontribuojnë në realizimin e qëllimit tonë strategjik – hyrjen e Maqedonisë në familjen e madhe evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button