ALBANIA E KOHËS SONË

Kur e nisi botimin e ALBANISË së tij të famshme, këtu e 120 vjet më parë, Faik Konica në ballinën e saj shkroi moton, që edhe sot kumbon e denjë për të përfaqësuar synimet e cilësdo revistë serioze letrare e shkencore. Motoja ishte kjo: “Të mbahet e të ruhet kombësia, të lërohet e të zbukurohet gjuha, se është shënimi i kombësisë…”

Fatmirësisht, ALBANIA u bë e tillë, si për cilësinë e shkrimeve të saj, si për laryshinë e atyre shkrimeve, që përjetësuan ngjarjet dhe fenomenet e kohës përgjatë së cilës u botua.

Të tilla qenë dhe revistat e mëvonshme enciklopedike si: SHEJZAT e Ernest Koliqit, PËRPJEKJA SHQIPTARE e Branko Merxhanit dhe simotra të tjera pararendëse të revistës letrare të Tiranës ILLZ, e cila, përmes veprash të zgjedhura të autorëve me emra të përveçëm, synon gjithashtu të lëvrojë gjuhën tonë të bukur, të kultivojë shijen estetike dhe të ndrit shpirtin e lexuesve të saj.

Me 12 numrat e parë dhe 3200 faqet e mbushura me shkrime cilësore (letërsi, studime, kritika letrare, poezi, prozë narrative, ese, dialogje, intervista, përkthime, shkrime me karakter historik e shoqëror…), revista ILLZ qysh sot është arkiv vlerash serioze.

Për shijen time, ILLZ boton serinë më domethënëse me numra tematikë në gjuhën shqipe. Për lexuesit e kultivuar, ajo po rritet në revistë model, po bëhet ALBANIA e kohës sonë, njëra ndër më të pëlqyerat e formatit të vet në nivel kombi. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse atë e përgatisin prometejë me zjarrin në shpirt, krijues vullnetmirë me erudicion të rrallë dhe një mecenat atipik për kushtet shqiptare…

ILLZ nuk e fragmentarizon kulturën dhe letërsinë me kufij krahinorë e dialektorë, por e koncepton ashtu siç është: si një dhe të vetme, ashtu siç vepron dhe revista MIRDITA dhe ndonjë tjetër, që gjithashtu botohet në Tiranë. Njoh dhe revista e botues të tjerë, që krijimtarinë e krijuesve të mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë londineze e trajtojnë si prurje provincash dhe diasporash të largëta.

ILLZ, pra, është tjetër gjë. Dëshmi për këtë janë shkrimet e autorëve nga të gjitha cepet e atdheut, në mesin e të cilëve bëjnë pjesë edhe poezitë e studenteve të talentuara të Universitetit të Tetovës: Nurie Emrullait, Kaltrinë Sadikit, Valdete Dulahit, Fatjonë Abdullahut dhe Blerona Braos…, me vargje që sjellin një frymë ndryshe në raport me poetët pararendës.

Pa dyshim, kjo shenjë ogurmirë mund ta mbyllë kapitullin e komunikimit të munguar brendashqiptar dhe jo vetëm, komunikimit stihik dhe aksidental, që pengon vrujimin e natyrshëm të vlerave shpirtërore nëpër damarët e gjeografisë sonë të copëtuar keq.

Numrat e gjertanishëm të revistës ILLZ kanë në plan të parë korifej të letërsisë, që nga Naimi e gjer tek autorët e kohës sonë, po dhe shkrime të tjera interesante mbi fushën oqean të dijes.

Numri i parë i revistës ka në qendër Ismail Kadarenë – shkrimtarin tonë më të mirë të të gjitha kohërave, njërin prej gjigantëve të prozës narrative botërore, veprat e të cilit kanë ndryshuar imazhin e qytetërimit shqiptar. Numrat tjerë, gjithashtu kanë në fokus personalitete me vepra të arrira si ato të At Gjergj Fishtës – krijuesit të parë shqiptar të propozuar për çmimin Nobel, autorit të Lahutës së Malcis dhe Gomarit të Babatasit, poetit të satirave të mprehta që shkundën nga themelet pushtetin e korruptuar të vagabondëve, artistit pa një të dytë si vetvetja, që na la trashëgim vepra të përjetshme…; të Anton Pashkut – shkrimtarit të ardhur para kohe në letërsinë shqipe, autorit të romanit OH dhe dramave GOF e SINKOPA, të shkruara me precizitetin e një filigranisti, mjeshtrit të veprave të cilave s’jua konteston kush asnjë presje të vetme…; të Xhevahir Spahiut – poetit të  fjalës së kondensuar, nositit shijehollë, që arrin të bartë emocione te lexuesit në sajë të shpërfaqjes së bindshme të ndjesive delikate shpirtërore…; të Ernest Koliqit – ministrit të arsimit dhe intelektualit largpamës, që në kushte shtërngesash të mëdha ia doli të dërgojë mësues prometejë në pjesën shkretëtirë të atdheut, që mbollën farën e dijes, pa të cilën sot do të flisnim gjuhë të tjera; poetit dhe prozatorit të shkëlqyeshëm;  drejtuesit të revistës SHEJZAT – njërës prej më të mirave të botuara në shqip, që, ngjashëm si ALBANIA e Konicës, mbetet dëshmi bindëse e një kohë-hapësire…; të Luan Starovës së injoruar vetëm nga injorantët me njohuri mediokre për shkaqe banale jashtëletrare dhe jashtëkulturore, për shkak të krijimtarisë së tij trigjuhësore, pavarësisht të dhënës se sot-për-sot është shkrimtari me autoritetin më të madh ndërkombëtar pas Ismail Kadaresë, veçmas në botën frankofone…; të Migjenit – uraganit që theu tabu, poetit që revolucionarizoi letërsinë shqipe, në kuptimin më të mirë të fjalës, krijuesit rebel që njohu të vërtetën e mjerimit të shoqërisë shqiptare, që gjeneron gjithë të zezat e kësaj bote, si: zhburrnimin, prostitucionin, lypsarinë, rrugaçërinë, hajdutërinë, shpirtrobërinë, spiunllëkun fatalizmin, inferioritetin, raportet incestoide, xhelozitë e sëmura, shenjtorët e rremë…; të Zija Çelës – njërit prej krijuesve më të dashur për lexuesit shqiptar, njërit prej 3-4 mjeshtërve më të mirë të prozës sonë narrative, që do t’i bënte nder çdo letërsie të madhe evropiane…; të Teki Dervishit – shkrimtarit, dramaturgut dhe poetit me teke atipike, zeusit të letrave që s’i përfillte kanunet e zhdanovizmit titist, duke pranuar më me qejf shijimin e tmerreve të Goli Otokut famëkeq se sa zhburrnimin dhe përdhosjen e dinjitetit…; të Naim Frashërit – bilbilit të Rilindjes, Prometeut, i cili dha kontribut të pashoq për konsolidimin e gjuhës dhe kulturës, duke përgatitur kësisoj terrenin për formimin e shtetit shqiptar…; të Shaban Sinanit – studiuesit erudit të letërsisë, historianit, folkloristit, antropologut, njohësit të shkëlqyeshëm të thesareve kombëtare, të historisë së religjioneve dhe të arkivave shqiptare, personalitetit për të cilin është thënë se në kokë ka aq mend sa ka peshë trupore; se është studiues të cilit s’i shpëton asgjë prej dore, krijues që bën vepra të denja për ekipe akademikësh të zgjedhur me kritere ekstreme, kolos letërsie mbi shpatullat e të cilit Zoti e ka mbajtur gjatë dorën e tij…

Për këta autorë pra bëjnë fjalë 11 numrat e revistës ILLZ, të përgatitura me shumë dashuri dhe kompetencë profesionale. Po kjo nuk është e tëra, sepse në galerinë e figurave emblematike të artit dhe kombit shqiptar, në vitin e shpallur si viti i kryeheroit të Shqiptarëve, nuk ka si të mungojë numri tematik kushtuar figurës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut – njërit prej gjeneralëve më të shquar të gjithë historisë botërore dhe burrështetasit që mposhti në dy fronte (atë të luftës dhe të diplomacisë) superfuqinë më të madhe të kohës së tij.

Numri tematik për Skënderbeun hapet me faqet e redaksisë për të vazhduar më pas me shkrimet retro dhe shkrikmet e zgjedhura nga krijues të mirënjohur shqiptarë dhe të huaj. Mjafton të lexosh vetëm emrat e autorëve si: Barleti, Dhimitër Frangu, Frank Bardhi, Pal Jovi, Pier de Ronsardi, Gabriel Faerno, Selman Riza, Aleks Buda, Jovan Popoviqi, Përliçevi, De Rada, Naimi, Fishta, Haxhiademi, Noli, Kadare, Petro Marko, Koliqi, Camaj, Moikom Zeqo, Shaban Sinani dhe një varg i gjatë emrash të njohur të letërsisë e historisë, për të konstatuar thesaret që ka mrekullia 500 faqëshe e ILLZ.

Përndryshe, revista kushtuar Skënderbeut vin pikërisht në kohën kur është ringjallur histeria antiskënderbejane e mohsave të personaliteteve të shquar të racës sonë, që, në fakt, satanizimin e heroit e shfrytëzojnë vetëm si casus beli për të hapur frontin e mohimit të Rilindjes, me viganët që ngjallën nga hiri ndërgjegjen kombëtare dhe kujtimin e të shkuarës. Këtë qëllim ka kolona e pestë e tjetrit: të përbaltë me shpifje ordinere ideatorët e njësisë së gjakut, gjuhës, etnisë dhe të shtetit shqiptar, sepse pa e arritur këtë, nuk kanë asnjë mundësi t’na konvertojnë në diçka që nuk jemi dhe nuk do të jemi kurrë.

Këto janë shkaqet që më bëjnë të konstatoj se shkrimet e numrit 10 të ILLZ të gjithë atyre autorëve të shquar që ndriçojnë me argumente ngjarjet dhe personalitetet historike, i shndërrojnë në lecka tezat qesharake të ngritura viteve të fundit prej nëpërkave përreth nesh, që ndoshta do t’i vetëdijësojnë ata që kanë rënë pre e luftës speciale kundër të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes së tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Të lumtë Fatmir,
    Vërtet sa herë shkrimet tuaja i lexoj ( ( i lexoj të gjitha me ëndje ) nga diçka të re e të veçantë mësoj .
    Respekt,

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button