Politikë me isharet

Shumë shkronja, fjalë dhe fjali do të përmbante transkriptimi i gjithë asaj që mund ta thonë si këshillë gjithë njerëzit “e mençur dhe të lexuar”, brenda dhe jashtë Maqedonisë, për atë se çka në fakt duhej të bënim pas samitit të NATO-s i cili u mbajt në Çikago. Edhe më herët njerëzit, popujt dhe shtetet kanë pasur situata dhe dilema të cilat vetëm me aq shumë fjalë kanë mundur t’i qartësojnë apo t’i tejkalojnë. Por, nuk ekzistojnë aq shumë shkrime voluminoze apo libra të trashë, sa kanë pasur probleme njerëzit gjatë historisë së njerëzimit. Ajo që, edhe ata edhe ne e kemi pasur çdoherë, kanë qenë legjendat, mitet e anekdotat dhe tani, në kohën moderne, barsoletat, të cilat edhe pse me pak fjalë, në mënyrë shumë  precize dhe të ilustruar, kanë ndihmuar në qartësimin e disa gjërave të caktuara. 

Për ngjarjet e fundit tek ne dhe për gjendjen aktuale mu kujtua një anekdotë e Egjiptit, nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore kur ai vend, si republikë, ende krijohej, por njëkohësisht edhe endej edhe ngecte në vend. Gjatë atyre viteve, pesë vëllezër nga një qytet nga jugu i Egjiptit janë bashkuar dhe kanë blerë një veturë franceze me gjashtë ulëse, që të punojnë si transportues të udhëtarëve nga Kairo dhe mbrapa në qytetin e tyre. Asnjë nga vëllezërit nuk ka ditur ta vozisë atë veturë, prandaj është dashur që të marrin një vozitës. Për shkak të mosbesimit tek njëri-tjetri, por edhe të mosbesimit ndaj vozitësit të huaj, të gjithë, kanë hipur në veturë dhe kështu janë nisur drejt relacionit të caktuar. Kështu kanë vepruar disa herë dhe e kanë vërejtur se biznesi nuk po ju ec. Nuk kanë mundur të marrin asnjë udhëtar. Nuk e kishin të qartë se pse po ju ndodh kjo gjë, kur ai ka qenë një mënyrë e praktikuar e biznesit, nëpërmjet së cilës njerëzit kanë fituar para. Kështu, pas disa ditësh, ata kanë vendosur të konsultohen me një njeri të urtë. Ai u dha një këshillë, të cilën këta e praktikuan aq herë sa edhe relacionet e bëra mes qyteteve. Por, gjithçka ishte e kotë-puna assesi t’ju shkojë. Në fakt, këshilla të cilën ua dha ai njeriu i urtë ishte që ata të marrin një vozitës tjetër! 

Ngjashmëria me aktualitetet tek ne është që ne i bëjmë relacionet e njëjta dhe ndjekim këshillën e njëjtë për shumë gjëra në këtë shtet. Dhe, assesi të na bjerë në mend të kthehemi kah zgjidhjet tjera. Të tilla zgjidhje, të cilat me të vërtetë do të na i zgjidhin problemet ose së paku të na i tejkalojnë situatat e vështira me të cilat ndonjëherë ballafaqohemi. 

Shpëtimi dhe zgjidhja pothuajse çdoherë është këtu afër nesh, siç shkruan në aeroplanët: nën ulësen tonë! Vetëm duhet t’i lexojmë, të lëvizim pak dhe ta vëmë atë rripin e shpëtimit! Ndërsa, në qoftë se do të përmbledhim se çka kemi bërë ditëve të fundit dhe ate çka u paralajmërua se do të bëjmë, atëherë kjo ishte pikërisht e kundërta  e zgjidhjeve shpëtimprurëse. Mu vozitje në relacionet e kota dhe praktikimi i këshillave, nga ekspertët e njëjtë  të cilët na bëjnë të ngecim, edhe më shumë!  

Kështu e pritëm edhe  zgjidhjen e Nikoliçit për kryetar të Serbisë me ndjekjen e priftërinjve të Vranishkovskit. U habitëm se sa na “don” përfaqësuesja e Bullgarisë në Eurovizion, ndërsa nga ana tjetër, një muaj të tërë nuk bëmë asgjë për të hulumtuar se kush e prishi kremtimin e delegacionit zyrtar bullgar më 4 maj! Pamë se Kosova zyrtare ishte shumë korrekte gjatë muajve të fundit, të cilat për ne ishin mjaft të trazuara, ndërsa ambasadorin e tyre fuqiplotë të parë tek ne, e priti një sekretar shtetëror në MPJ. Ashiqare e vendosëm përmendoren e Filipit të dytë, vetëm një ditë pas samitit, bile edhe pa bazament të përgatitur plotësisht. 

Nga ana tjetër, neokomiti Bujar Osmani, u rrek për të identifikuar marioneta dhe me “copy-paste” të lajmërimeve partiake të VMRO-DPMNE-së, të shpalosë politika për çështjen e emrit të shtetit, por në emër të partisë së  tij. Nga fjalët e tij nuk ishte mjaft e qartë se a ka dhe sa ka njohuri në lidhje me çështjen e emrit, por nga shembulli i tij personal ai më së miri e di se sa është tani BDI-ja parti në të vërtetë. Dhe vetë ai, zëdhënësi partiak i BDI-së, u kthye në punë si mjek, në një ministri ku ai vet ishte Ministër, me intervenim nga një parti tjetër! Pastaj kishte politikë me isharet, me lojë futbolli nga ana e liderit të BDI-së me pantallona të shkurtra pa ngjyrë, që dërgoi porosinë se pikërisht ai ishte meritori për të brendshmet e Prometeut, e jo ndonjë OPG (organizatë e paidentifikuar e grave)!

E njëjta, mbrapsht dhe pa nevojë, vlen edhe për atë pak që u tha se do të bëhet. Kështu Besimi do të trokasë në derën e Greqisë. Çfarë dere greku kur edhe ai vetë, vetëm para disa muajsh bëri një gjest të madh me Serbinë kur u pajtua ta takonte edhe shefin e shtabit gjeneral të ushtrisë serbe, të njëjtin atë i cili edhe nga vetë serbët u përfol si përgjegjës për krime lufte ndaj shqiptarëve në Kosovë! Dhe, vetëm një muaj pas asaj, serbët nuk i erdhën në forumin regjional të organizuar nga ana e Ministrit, ku ai, sipas të gjitha gjasave planifikonte që me një politikë të tillë “cic-mic”, t’i takonte Kosovën me Serbinë!

Kryeministri do të vazhdojë me reformat. Në qoftë se ato reforma do jenë si këto dy të fundit – të brendshmet për Prometeun dhe rebalanci i buxhetit – atëherë këto do të jenë reforma mjaft të komplikuara: ata i reformojnë reformat e kaluarat, të cilat ishin të filluara dhe të bëra nga vetë ata!

Por, sigurisht, sikurse  çdo kund, ekzistojnë njerëz të cilët gjinden me lexim, lëvizin pak dhe e vënë rripin shpëtimprurës. Javën e kaluar, dy njerëz e bënë këtë. E para është Kaliopi  Bukle, e cila, ashtu si edhe shumica e qytetarëve të Maqedonisë, ende është e kthjelltë dhe me fjalë shumë të mira tregoi se si quhet vendi ynë. Në ndërkohë ajo vet mbeti edhe e kthjelltë edhe artiste, por e detyroi gazetarin të duket gazetar vetëm nga diktafoni të cilin e mbante në dorë, ndërsa nga  ana tjetër,  të kthjellonte politikë ndërkombëtare! Personi tjetër, i cili në mënyrë publike pyeti nëse ka pilot, por më së miri kuptoi se si vendosen pajisjet e shpëtimit në aeroplan (së pari vetes, e më pas fëmijës), ishte Branko Cërvenkovski. Ai, duke nxjerrë një dokument, me dorë të majtë nga xhepi i djathtë, në fakt i dha një kroshe të majtë politik (goditje në boks), tërë politikës pseudo patriotike rreth çështjes së emrit. Intensitetin dhe kohëzgjatjen e marramendjes nga ajo kroshe më së miri e dinë ish-boksierët, por unë kisha dashur këtu ta ndaj perceptimin në lidhje me këtë momentum të ri politik. Gjegjësisht,  ajo që doli në shesh tani pas këtij momentumi është se vonesa e çfarëdo marrëveshjeje rreth kësaj çështjeje, neve na sjell pozita dhe propozime ende më të këqija. Ashtu që e tërë politika e mbrapsht, si dhe relacionet e bëra kot, pas kësaj, humbasin kuptimin. Kësaj here, sipas të gjitha gjasave, opozita nuk ka qenë gjithnjë te ai, gjithnjë i njëjti njeri i mençur në qytet, që gjithnjë i ka dhënë një këshillë të njëjtë vëllezërve. Kjo tanimë është diçka tjetër. 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button