PS: Ish-të përndjekurit do t’i dëmshpërblejmë ne

Partia Socialiste premton se në vitin e parë të qeverisjes do të dëmshpërblehen të gjithë ish-të burgosurit, gra mbi 70 vjeç e burra mbi 75 vjeç. Ndërsa brenda 2 viteve në vijim do të dëmshpërblehen të gjithë ish-të burgosurit politikë që ende jetojnë.

 Këto janë fiksuar në projekt-programin e hartuar deri më tani, pas konsultimeve me të përndjekur nga rrethe të ndryshme të vendit. Kryetarja e grupit të punës për çështjet e ish-të përndjekurve, Keti Bazhdari mblodhi dje për të diskutuar rreth këtij projekti një tryezë debati me ish-të përndjekur. Drejtuesja e grupit të punës në PS, Bazhdari tha para ish-të burgosurve politikë dhe familjarëve të tyre se deri më tani nuk ka pasur vullnet politik për të zgjidhur çështjen e ishtë përndjekurve. Sipas saj është synuar vetëm politizimi dhe militantizmi, gjë që Partia Socialiste s’ka ndërmend ta përsërisë. 

“Partia Socialiste nuk ka ndërmend që çështjen e të përndjekurve ta politizojë, në mënyrë absolute. Të gjithë ata që janë këtu të majtë, të djathtë do të jenë në gjendje që të bashkëpunojnë me ne, që të krijojmë një program, i cili do të jetë në interes të të gjithëve, pavarësisht krahut politik dhe nuk synojmë që përmes programit të Partisë Socialiste të blejmë votat”, – tha Bazhdari. 

Në këtë projekt-program, PS premton se brenda një kohe të shkurtër të realizojë integrimin social, rehabilitimin moral dhe ajo që është më e rëndësishme, dëmshpërblimin. Me propozim të shoqatave të ish-të përndjekurve do të bëhet ndryshimi ligjit aktual në mënyrë që për personat e dënuar me vdekje, dëmshpërblimi të njihet jo më për 8 vite burg, por për 25. Ditët e burgimit të vlerësohen sipas Kodit Penal. Ndryshime planifikohen të bëhen edhe në çështjen e letrave me vlerë që u janë dhënë ish-të përndjekurve. Ndërkohë propozohet edhe krijimi i azileve të veçanta për ish-të përndjekurit, që nuk kanë më asnjë të afërm për shkak të persekutimit komunist. 

“Ne do të ngremë një institucion europian të kujtesës historike që do të dokumentojë dhe bëjë të aksesueshme për publikun historinë e persekucionit nën regjimin komunist”, thuhet në projekt-programin e PS-së. 

Po kështu do të rishikohen edhe tekstet e historisë me një këndvështrim realist për sa i përket veprës dhe vlerave të të përndjekurve politikë. Do të shikohet mundësia e ngritjes së varrezave monumentale për të gjithë ata që u pushkatuan nga regjimi komunist, si dhe krijimi i të gjitha lehtësive ekonomike dhe administrative nga ana e qeverisë për gjetjen dhe nderimin e eshtrave të të pushkatuarve dhe të burgosurve. /botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button