Klinton: Qëndrimi rus lidhur me Sirinë mund të çojë në luftë civile

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha se mbështetja e vazhdueshme ruse për presidentin sirian Bashar al-Asad po bllokon përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund dhunës që zgjat prej 15 muajsh dhe mund të kontribuojë në fillimin e luftës civile në vend. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit Scott Stearns njofton nga Danimarka, ku Sekretarja Klinton nisi udhëtimin e saj një javor në Europë.

Sekretarja Klinton tha se “kundërshtimi shumë i fortë” nga ana e Rusisë është duke e bërë të vështirë krijimin e një koalicioni ndërkombëtar kundër Presidentit Assad. Por, ajo tha se Uashingtoni nuk është dorëzuar lidhur me mundësinë e formimit të një koalicioni të tillë, sepse “çdo ditë që kalon e bën argumentimin tonë më të fortë.”

Zonja Klinton tha gjatë një takimi me disa studentë në kryeqytetin danez se, pa mbështetjen e Rusisë, i dërguari i OKB-së dhe Lidhjes Arabe Kofi Annan nuk mund të zgjerojë mandatin e tij për të nxitur Damaskun të ndërmarrë hapa lidhur me ato që ajo cilëson si rreziqe të tmerrshme.

Në një vend të copëtuar nga ndarjet sektare, Sekretarja e Shtetit Klinton tha se vrasjet e vazhdueshme të njerëzve të pafajshëm nga ushtria, nga forcat e milicisë pro-qeveritare dhe nga kundërshtarët e qeverisë mund të kthehet në luftë civile. Ajo tha se një konflikt i tillë mund të shndërrohet me shpejtësi në një shkak për luftë rajonale.

“Irani është mjaft i përfshirë në Siri. Forca të tyre ushtarake janë duke stërvitur ushtrinë siriane. Forcat e tyre të ashtuquajtura Quds, që përbëjnë një degë e ushtrisë, po ndihmojnë sirianët të krijojnë grupe milicore sektare. Gjithashtu kemi edhe Rusinë që vazhdon furnizimin e tyre me armë. “

Zonja Klinton tha se kërcënimi për një konflikt më të gjerë rajonal përforcohet nga shqetësime të sigurisë ndër-kufitare në Jordani, Liban dhe Turqi.

“Ne e dimë se situata mund të përkeqësohet shumë më tepër se kaq dhe jemi duke u përpjekur ta parandalojmë një gjë të tillë. Argumenti im ndaj rusëve është se ata vetë kanë thënë se Rusia nuk do që të ketë një luftë civile në Siri. Unë u jam përgjigjur duke u thënë se politika e tyre do të kontribuojë në fillimin e një luftë civile. Nuk është ende një përgjigje e kënaqshme, por ne jemi duke u përpjekur që të shtyjmë të gjitha palët ta mbështesin zotin Kofi Anan si një zë të pavarur, sepse Siria nuk do të na dëgjonte ne. Ata do të dëgjonin, ndoshta, rusët. Pra, ne duhet të vazhdojmë t’i nxisim ata. “

Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi zëdhënësin e presidentit Vladimir Putin të ketë thënë se pozicioni i Rusisë në Siri është i njohur, i balancuar, i qëndrueshëm, dhe krejtësisht logjik. Zëdhënësi Dmitri Peshkov tha se “është pothuajse e përshtatshme të flitet për ndryshim të kësaj pozite nën presionin e dikujt”.

Shefi i OKB-së Ban Ki-moon tha në një fjalim në Turqi se masakrat e fundit ndaj civilëve mund ta zhysin Sirinë në një “luftë civile katastrofike”, nga e cila vendi mund të mos e marrë veten kurrë. /botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button