Merkel bën thirrje që Kosova ta luftojë korrupsionin e të ulë papunësinë

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje që Kosova ta luftojë korrupsionin dhe ta ulë papunësinë derisa ka shtuar se dialogu me Serbinë nuk është temë e thjeshtë.

Këto komente Merkel i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Berlin.

“Kemi shumë probleme të pazgjidhura por ka edhe përmirësime në rrugën drejt BE-së. Dua të theksoj se në ditën e Evropës kemi shumë sfida para nesh, sfida që na presin e që janë luftimi i korrupsionit, numri i lartë i papunësisë”, ka shtuar ajo në konferencën për media.

“Marrëveshjet e deritanishme duhen të zbatohen”, tha ajo sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

Në anën tjetër, presidenti Thaçi deklaroi se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Ballkan. Ai ka shtuar se faza përfundimtare e dialogut me Serbinë nuk do të jetë e lehtë, por vlerëson se nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara, raporton RTK.

Presidenti Thaçi tha se përmes dialogut do të gjendet një marrëveshje që do të hapë epokën e paqes dhe pajtimit mes popujve, dhe se marrëveshja finale duhet të përfundojë me njohje reciproke, pasi vetëm kjo mundëson heqjen e pengesave për anëtarësimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.

“BE duhet të vazhdojë të luajë rolin e vet ndërmjetësues edhe gjatë fazës përfundimtare, por e mirëpres edhe një rol aktiv, ndihmues në këtë proces të kancelares Merkel, pasi gëzon respektin në Kosovë dhe Serbi”, është shprehur presidenti Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button