Aleanca për Shqiptarët ka dorëzuar kërkesë për revizion të punës së Komunës së Tetovës (DOKUMENT+VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët dega Tetovë ka kritikuar punën e kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi duke thënë se premtimet që i ka dhënë gjatë dy fushatave nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndërkaq deri te Enti Shtetëror për Revizion ka dorëzuar kërkesë për kontrollim financiar, raporton Portalb.mk.

“Qytetarët e Tetovës janë dëshmitarë për problemet që ballafaqohen çdo ditë, dhe ato janë: uji për pije, jo-efikasiteti i menaxhimit të mbeturinave, kaosi në komunikacion e shumë e shumë prioritete tjera. Ne e kujtojmë kreun e komunës se gjatë dy fushatave lokale në mënyrë taksative ka premtuar: transportin publik, parkingjet, deponinë, shkollat në Reçicë të Vogël dhe në fshatin Sellcë, shtretërit e lumenjve, dhe shumë prioritete tjera. Sot u konfirmojmë këtu se asnjë projekt nga të lartpërmendurit nuk është as në fazën fillestare të tij. Duke u bazuar në nenin 18 dhe 19 i nxjerr nga ligji për revizion kemi dorëzuar kërkesë tek Agjencia Shtetërore për Revizion, që të bëjë kontrollin financiar në Komunën e Tetovës për vitet 2015/16/17 në menaxhimin e mjeteve financiare, ku ne dyshojmë se ka keqpërdorim dhe keq menaxhim të mjeteve buxhetore të taksapaguesve tetovarë. Shpresojmë se institucioni do të punojë në mënyrë të pavarur dhe t’i bëjë publike: furnizimet publike, investimet publike dhe borxhin publik, për të vetmen arsye që qytetarët ta kenë të qartë se ku shkojnë taksat e tyre“, tha kryetari i degës së ASH-së në Tetovë, Altrim Mahmuti.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk deklarohet duke i hedhur poshtë akuzat e ASH-së, ndërkaq shton se ata nuk i ndjekin agjendat e “partiçkave me forcë politike prej dy deputetëve”.

“Komuna e Tetovës ka ndërtuar 8.2 km rrjet të ujësjellësit dhe qendrën më moderne të stacionit të filtrimit. Kanë përmendur deponinë, kanë harruar të vënë parashtresën “ish deponinë”, për shkak se në hyrje të qytetit ka qëndruar ai vendi që ishte deponi, tani më ai lokacion është zhbërë sepse ne kemi ndërtuar stacionin e ngarkim-shkarkimit që është në rrugën për në fshatin Trebosh, dhe këto janë fakte evidente që qytetarët i shohin. Komuna e Tetovës, absolutisht nuk ndjek agjendat e “partiçkave“ politike që janë me forcë politike dy deputetë“. Thuhet në reagimin e Komunës së Tetovës ndaj pres konferencës së Aleancës për Shqiptarë dega Tetovë.

Portalb.mk ka kontaktuar edhe me Revizionin Shtetërorë nga ku thonë se kanë pranuar kërkesë nga Aleanca për Shqiptarët, ndër për dy-tre ditë do të japin raport për situatën e Komunës së Tetovës mbi revizionet e kryera për vitet 2015, 2016 dhe 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button