SHGM kërkon nga gjykatat që të pranohen paditë kundër mediave online

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë shpreh pakënaqësi nga mënyra se si Gjykata Civile në Shkup dhe Gjykata e Apelit në Shkup, zbatojnë Ligjin për përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje.

“Pavarësisht dispozitave të qarta të ligjit, të cilat rregullojnë përgjegjësinë e publikimeve elektronike, këto gjykata vazhdojnë t’i refuzojnë paditë për shpifje dhe fyerje kundër mediave online me sqarim shumë jo-serioz dhe tendencioz se ato nuk janë media, ndërsa njerëzit që punojnë aty nuk janë gazetarë. Kjo sjellje e papërgjegjshme dhe jo-profesionale e disa gjykatësve do të thotë tentim për të licencuar mediat dhe gazetarët, që paraqet praktikë jo-demokratike në vendet me regjime autoritare”, thuhet në reagimin e SHGM-së.

Ata theksojnë se puna e gjykatave nuk është t’i interpretojnë ligjet, por t’i praktikojnë në mënyrë të drejtë dhe jo-selektive.

“Dyshojmë se pas kësaj sjellje të Gjyqit Civil në Shkup dhe të Gjyqit të Apelit, ka prapavijë politike, e cila duhet t’i diskreditojë online mediat dhe të sigurojë alibi të rrejshme për qeverinë që të imponojë rregullim më të ashpër ligjor, në kundërshtim me standardet evropiane për lirinë në internet. Paralajmërojmë se përpjekjet e qarqeve të caktuara politike, të cilët kërkojnë regjistrim ligjor të online mediave është lojë e rrezikshme politike, e cila ka për qëllim që shteti ta kontrollojë përmbajtjen e këtyre mediave”, reagojnë nga SHGM.

Ata thonë se qëllimi i gjyqit është t’i parandalojë online mediat dhe gazetarët të cilët punojnë në këto media t’i shfrytëzojnë përfitimet që i ofron ligji për përgjegjësi civile për shpifje dhe fyerje, lidhur me dëmshpërblimin jo-material dhe bazat për përjashtimin nga përgjegjësia për shpifje.

“Jemi të bindur se kjo praktikë gjyqësore, e cila për fat të mirë nuk zbatohet në Gjykatat tjera të Apelit në vend, cenon lirinë e të shprehurit dhe e diskrediton profesionin e gazetarisë dhe rolin e medias në një shoqëri demokratike. Kërkojmë nga Gjykata Supreme në Maqedoni të veprojë sa më shpejtë për kërkesën e SHGM-së për harmonizimin e praktikës gjyqësore dhe në të ardhmen Gjykata Civile dhe Gjykata e Apelit në Shkup të veprojnë për paditë për shpifje dhe fyerje. Këtë javë do të dërgojmë ankesë deri në Këshillin Gjyqësor për të gjithë gjyqtarët që praktikojnë ligjin në mënyrë selektive me qëllim që të caktohet përgjegjësi për sjelljen e tillë joligjore”, thuhet në reagimin e SHGM-së.

SHGM i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, SHBA-së, OSBE-së dhe Këshillit të Evropës të reagojnë menjëherë te organet gjyqësore dhe të parandalojnë këtë sulm të turpshëm kundër lirisë së të shprehurit, mediave profesionale online dhe përpjekja për licencimin e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button