PSALM

Kushtuar K. K.

Është një kandelë të cilën e ka fikur era.
Është një tavernë në vend të shkretë nga e cila pasdite del pijaneci.
Është një vreshtë, e djegur dhe e zezë, me hurdhat plot merimanga.
Është një vend të cilin e kanë lyer me tambël.
I çmenduri ka vdekur.
Është një ishull në Detin Jugor që e pret Perendinë e Diellit. Bien lodrat.
Burrat luajnë valle lufte.
Gratë i përdredhin vithet nën brushtuj e lule zjarri kur ia jep këngës deti.
O, parrajsa jonë e humbur!

*

Nimfat i braktisën pyjet e arta.
E varrosin të huajin. Atëherë ia krisi shiu i ndritshëm.
I biri i Panit shfaqet në pamjen e argatit
që gjatë mesditës fle në kalldrëmin përvëlues.

Janë ca vajza në një kurt me fustantha plot mjerim
që zemrën ta coptojnë!
Janë ca dhoma përplot harmoni e sonata.
Janë ca hije që përqafen para pasqyrës së verbëruar.
Pranë dritareve të spitalit ngrohen ata që kanë marrë të mbarën.
Avulli i bardhë nga kanali përhap infektime të përgjakshme.

*
Motra e huaj përsëri shfaqet në ëndërrat e liga të dikujt.
Pushon në kaçubën e lajthive dhe loz me yjet e tij.
Studenti, ndoshta dytëshor, shikon drejt saj gjatë kohë nga dritarja.
Vëllai i tij i ndjerë qëndron prapa, ose zbret shkallëve qarkore.
Në errësirën e gështenjave të murme fytyra e zbehtë e rishtarit të ri.
Kopshti seç u tret në mbrëmje.
Nën arkadat e manastirit fluturojnë lakuriqët.
Fëmijët e rojes së shtëpisë e lënë lojën dhe kërkojnë arin qiellor.
Akordet përfundimtare të kuartetit.
Vasha e verbër vrapon alejës duke u dridhur,
ndërsa si hije duke rrëshqitur largohet pastaj përgjatë muranave të ftohta,
e rrethuar me përralla dhe legjenda të shenjta.

Është një barkë e shprazët të cilën në mbrëmje uji e çon nëpër kanalin e zi.
Në terrin e azilit për të moshuar marrin fund rrënojat njerëzore.
Bonjakët e vdekur kanë mbetur shtrirë pranë murit të kopshtit.
Nga dhomat e përhitura dalin engjëjt krahëpërbaltur.
Krimbat pikojnë nga kapakët e verdhë të syve të tyre.
Sheshi para kishe është i errët dhe heshturak, si në ditët e fëmijërisë.
Në themrat e argjendta rrëshqasin jetërat e mëparme
dhe hijet e të mallkuarve zbresin në ujërat që psherëtijnë.
Në varrin e tij magjistari i bardhë loz me gjarpërinjtë e vet.

*
Mbi varrezën e përbashkët hapen heshtazi sytë e artë të Perendisë.

 

Nga Georg TRAKËL
Përktheu: Xhabir AHMETI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button