Ndërtimi i sheshit Skënderbej, faza e parë përfundon gjatë verës

Punimet në zbatimin e fazës së parë të sheshit janë duke shkuar sipas dinamikës së paraparë, dhe me gjithë dimrin e ftohtë që vështirësoi realizimin e punimeve, ato u kryen ne nivelin e paraparë, thotë për Portalb, zëdhënësja e komunës së Çairit, Vlera Gjakova. 

‘Për momentin punohet në shumë fronte, tani më themelet janë në përfundim e sipër dhe punohet intensivisht në ngritjen e shtyllave mbi të cilat do ta qëndroj platforma ose ndryshe që ne e quajmë terasë.  Çdo individ, kur kalon afër këtij sheshi, mund të hasë në këto ndryshime’, tha Gjakova.

Sipas dinamikes se punimeve, parashihet që kah mesi i verës të përfundojnë komplet punimet në fazën e parë, nëse shkon gjithçka sipas parashikimeve te zbatuesit te punëve.

‘Ndërkohe, jemi duke punuar edhe në projektin e fazës së dytë dhe të tretë. Dokumentacioni ende është në fazë zhvillimi, meqë në këto dy faza të mbetura peëlqime dhe mendime duhet të merren nga më shumë institucione, sepse projekti tani më ka karakter qeveritar dhe nuk është vetëm në nivel të komunës siç ishte në fillim, kur u projektua’, deklaroi zëdhënësja e komunës.

Nga komuna gjithashtu njoftojnë se nuk mund të japin një shifër konkrete për koston e saktë që do të shpenzohen për dy fazat e ngelura, për arsye se kjo do të dihet vetëm kur firmat ndërtuese, të dorëzojnë dokumentacionin në konkurrim, dhe prej fituesit do të dihet edhe kostoja përfundimtare.

Ndryshe, sheshi ‘Skënderbej’ në Shkup është paraparë të ketë 28.674 metra katrore dhe do të jetë sheshi më i madh në kryeqytet, më i madh edhe se ai qendror ‘Maqedonia’ që ka afro 24 mijë metra katrorë.

Sheshi do të ndërtohet në tre faza dhe gjithsej do të kushtoj afro 10 milion euro, sipas planit fillestar. Faza e parë  e cila është në realizim e sipër, do të kushtoj 2.8 milion euro dhe ajo përfshin rekonstruimin e dyçaneve në afërsi të përmendores së heroi kombëtarë, pasi mbi të njëjtat do të ndërtohet një plaformë e gjërë e cila përfundon me shkallë pranë përmenendores.
Në fazën e dytë është paraparë mbulimi i rrugës para urës hyrëse në Çarshi, dhe faza e tretë parasheh ndërtimin e parkingut nëntokësorë.

Sheshi Skënderbej do të shtrihet nga Çarshia e vjetër deri te godina e Operas dhe Baletit, ndërsa bën pjesë në territoret e komunave Çair dhe Qendër.  
Projekti sheshi Skënderbej nga niveli komunal ka kaluar në nivel qendror dhe është projekt edhe i qeverisë.

Gurthemeli për ndërtimin e sheshit u vendos më 17 janar të këtij viti, me rastin e  544 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, emrin e të cilit e mban ky shesh,  nga ana e kryetarit të Komunës së Çairit Izet Mexhiti, ndërsa i pranishëm në eveniment ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha.

Ideja për ndërtimin e një sheshi erdhi pasi më 26 nëntor 2006 në Çarshinë e vjetër në Shkup u vendos përmendorja e Skënderbeut në praninë e dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë. Vetëm disa metra nga përmendorja gjendej një vend-parkim publik, që paraqiste pamje jo dinjitoze për heroin më të lavdishëm kombëtar nga mesjeta.

Pamje nga projekti përfundimtar:

Lajme të ngjashme

Back to top button