O Ali!

Fillim rutinor i një dite të punës në kampusin universitar të Shkupit të UEJL-së. Pas ligjëratës dalim në çarshinë e vjetër për kafjall. Me t’u ulur në një skaj të restorantit vërejmë pranë kamarierin, një djalosh thatuq elegant, një këmishëbardhë që me buzëqesheje na drejtohet me: “O Ali!” Ndalet pak dhe vazhdon: “Si je, si ia kalon, mirë se erdhe.” Ndoshta nga shkaku i numrit të fytyrave të shumta studentore me të cilat komunikojmë, nuk e njihnim, ndërsa ai na bëri me dije se na njihte mirë (?).

Konstatojmë se shumë më i ri se ne, dy dhjetëvjeçarë e më tepër ndoshta, ndërsa na drejtohet me emër. Na duket punë tuhaf, ters, pa shije. “Urdhëroni!”- shton dhe pyet: “A më njeh?” “Ta them të drejtën, jo”- i përgjigjemi dhe porosisim një byrek me mish dhe jogurt. Ikën dhe kthehet pas disa minutash. “Unë bre kam punuar te banesa jote, i kemi ngjitur pllakat e qeramikës”. “Aha, bukur, si ju ecin punët, e paske ndryshuar vendin e punës, me fat ishallah”. Kryejmë ritin e ngrënies dhe çunaku më ofron një kafe prej tij. Kishim obligime, s’mund t’i përgjigjeshim pozitivisht, shpejtonim. Iu falënderuam dhe ikëm.

Rasti i dytë: në një supermarket, duke zgjedhur nga raftet gjërat që do blenim, një zë nga prapa shpinës: “Ali, si je be?” Opala, kthehem drejt zërit, një djalë tjetër, disa vite më i ri se ne, që na njeh dhe e njohim mirë, i ndershëm, punëtor, i devotshëm, ama me mangësi bontoni. “Mirë, mirë shyqyr Zotit, po ti?” Dhe rasti i tretë: një shkollar i ri, shumë më i ri se ne, të cilit pas një bashkëpunimi akademik, na u drejtua me: “Të faleminderit Ali!”, gjë që na bëri nevrik, të nxehemi sa pak.
Jo nga narcisiteti por nga brega e mungesës së taktit të brezave të rinj. Bisedë me vetveten: Si ka mundësi që në këtë kulturën tonë, në këtë sensin dhe mendësinë tonë të mos ketë një fije respekt për më të vjetrin, për një njeri me përvojë jetike më të madhe, me disa ditë shkollë më tepër? Si ka mundësi të thirret me emër një njeri që së paku ka shkyer më shumë këmisha në jetë? Nga po shkojmë mor jahu!
E mbaj mend nëna dhe më te vjetrit dikur na mësonin abecedën e etikës, të mirësjelljes ku mes tjerash thuhej se njerëzit më në moshë, qoftë edhe një ditë më të vjetër të mos i thërrasim në emër, të kemi ndaj tyre një trajtim tjetërfare, një “grimë” ndërgjegje në bisedë me ta. Nëse gabonim ndonjëherë, na qortonin ashpër, duke na thënë ‘Aman kujdes!’ Mashkullëria seniore gabimin e tillë të dikujt nga ne e sanksiononin me: “Mos ke ruajtur lopët me të, mos e ke shok klase a ushtrie?”

Ka njëmijë e një shprehje përmes të cilave mund të tregojmë bonsensin tonë, nivelin kulturor, të ruajmë “protokollin popullor”, të pashkruar, normat e komunikimit me të tjerët. Ta përjashtojmë menjëherë kulturën e lartë, zotërinë apo zotroten, shokun “ideologjik”, po shprehjet mik, vëllai, i nderuar, e huaja ‘abi’, axhë, profesor, po edhe argo shprehja profi do të ishin më me vend sesa drejtimi në emër, direkt, pa finesa të shprehjes. Evidente është se morali është në krizë, e qartë si dita. Familja në krizë, sjellja në krizë, kultura në krizë, marrëdhëniet ndërnjerëzore në krizë.

Kjo është koha e fukarallëkut etik. Aty ku s’ka respekt, s’ka as bereqet e as prosperitet e as rehati e progres shoqëror. Për sjelljen pa etiketë e delikatesë shoqëria nuk të ndëshkon materialisht, as të burgos, por të cilëson si të paedukatë, dalëngadalë të përjashton, të margjinalizon. Kultura e komunikimit jep porosinë e përnderimit të të tjerëve, të rëndësisë që iu kushtohet ndjenjave të të tjerëve, jep shenjën se subjekti është një njeri xhentil, me edukatë, me terbije, me shëndet të mirëvetisë. T’i drejtohesh me takt një personi nënkupton shpëtimin nga sjelljet kaba, shpërfaq nivelin e civilizimit, shenjon gdhendjen e sjelljeve, ndjeshmërinë, vetërespektin. Respekto që të jesh i respektuar – thotë një mik yni. Vetëm kështu ndërtohen raportet e shëndosha dhe të qëndrueshme. Gjëja themelore që e dallon njeriun nga gjallesat e tjera biologjike nuk është të jetuarit së bashku ose në mënyrë kolektive, por të diturit dhe zbatimi i finesave të të jetuarit së bashku.

Sipas Arthur Dantos një objekt (o) i rëndomtë transfigurohet në vepër artistike [work of art] (W) në saje të interpretimit të caktuar (I), të vendosur në kontekst të caktuar historik-kulturor. Në rastin tonë, disa shënime nga përditshmëria na shtynë që të bëjmë një analizë dhe interpretim të sociologjisë së moralit, që paraqet një disiplinë që merret me institucionin e moralit si një hartë jetësore për sjelljet e njerëzve. Dhe në fund, ta përkthejmë citatin e fillimartikullit, nga autori i më i shitur botëror sipas USA Today dhe WSJ, që thotë: “S’ka njeri më të papëlqyeshëm se sa ai pa mirësjelljen themelore!”

Shënim: Kërkojmë falje nga lexuesi  që, për shkak të origjinalitetit të storjes-artikullit, në këtë shkrim e kemi subjektivizuar veten.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button