Ombudsmani: Viti 2011, vit i shkeljeve të rënda

Sot Avokati i Popullit Ixhet Memeti në konferencë për shtyp prezantoi raportin vjetor të mekanizmit parandalues nacional (MPN) për vitin 2011.  

MPN bën monitorimin e trajtimit të personave të privuar nga liria me qëllim të parandalimit të torturës dhe llojeve tjera të trajtimit brutal, jonjerëzor, nënçmues dhe ndëshkues, e gjithashtu jep rekomandime përkatëse organeve relevante me qëllim të përmirësimit të gjendjes.

MPN për vitin 2011 realizoi gjithsej 18 vizita parandaluese, numri më i madh i të cilave, përkatësisht 12, u realizuan nëpër stacione policore me kompetencë të përgjithshme (SPKP), 3 në institucione ndëshkuese-korrektuese, 1 vizitë në Entin Edukues-Korrektues, 1 në institucionin publik për përkujdesje, edukim dhe arsimim të fëmijëve dhe të rinjve dhe 1 në Qendrën për Vendosjen e Azilkërkuesve.

Nga këto vizita janë konstatuar shkelje të rënda të institucioneve. Ombudsmani përmendi kushtet e vështira në vendet e privimit nga liria, mos aktiviteti dhe izolimi i të paraburgosurve, të cilët shpesh qëndrojnë nga 23 orë mbyllur.
Ai gjithashtu përmendi raste ku dy të mitur kanë qenë të ndaluar në kohëzgjatje më shumë se 12 orë.

“Në raport janë konstatuar shkelje edhe në realizimin e të drejtës për mjek në stacionet policore, kushte johumane dhe nënçmuese në disa nga dhomat e izolimit të institucioneve ndëshkuese-korrektuese, e gjithashtu edhe për trajtim jonjerëzor dhe keqtrajtim të personave të privuar nga liria” tha Ixhet Memeti në konferencën e sotme.

Në raportin vjetor detalisht ka edhe rekomandime për stacionet policore, institucioneve ndëshkuese-korrektuese, entin edukues-korrektues dhe vende tjera.

Raporti i plotë vjetor mund të gjendet në faqen zyrtare të Ombudsmanit. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button