Bushati dhe Kotzias hedhin dritë mbi marrëveshjen e re për kufirin detar, brenda majit pritet finalizimi

Shqipëria dhe Greqia pritet që brenda pak javësh të arrijnë paktin sa i takon kufirit detar. Dje kanë folur për këtë çështje ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias. Teksa zoti Bushati ishte më i rezervuar, zyrtari i qeverisë greke ka hedhur dritë mbi paktin e ri mes dy vendeve. Kotzias ka thënë se në aspektin teknik janë arritur marrëveshjet në disa fusha, ndërsa çështja që ka mbetur është ajo e kufirit detar.

Por sipas tij, brenda muajit maj gjithçka do të ketë përfunduar. Ndërsa ministri Bushati tha se palët janë duke bërë progres të kënaqshëm. “Është një proces jo i lehtë, por për një pjesë të çështjeve ka dakordësi dhe besoj se jemi në rrugën e duhur. Janë çështjet e kufizimit të zonave detare. Janë bërë disa konsulta qoftë në nivel politik, diplomatik, por edhe teknik. Raundi i para pak ditëve në Tiranë besoj se ishte ne klime konsultative”, tha ai.

Ndërsa lidhur me qëndrimin e opozitës për negociatat, Bushati siguroi se marrëveshja do të jetë e drejtë dhe e zbatueshme nga të dyja palët. “Për hir të së vërtetës e kam theksuar edhe në të shkuarën, kur vjen puna në këtë pikë, e drejta ndërkombëtare në fushën e detit ka një praktikë gjyqësore të shumëllojshme, nuk është e njëtrajtshme, por mund t’ju garantoj se përmes këtij procesi dhe drejtësisë së parimeve në të cilat kemi rënë dakord me palën greke për të zbatuar një praktikë, do të kemi një marrëveshje më të drejte dhe me të zbatueshme nga të dyja palët. Në fund të ditës është e rëndësishme të kemi një marrëveshje të drejtë dhe të zbatueshme, dhe jo një marrëveshje ku palët tentojnë t’ia hedhin njëra tjetrës”, tha ai.

Çështja e kufirit detar me Greqinë ka qenë objekt debati muajt e fundit. Plani ishte që në fillim të prillit gjithçka të ishte mbyllur, por shkak u bënë përplasjet mes qeverisë dhe Presidencës. Kreu i shtetit Ilir Meta vonoi për rreth 1 muaj autorizimin ndaj ministrit Bushati dhe kjo solli shumë vonesa. Po ashtu ishte parashikuar dhe një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit grek Alexis Tsipras, por pas vonesave të shkaktuara, takimi u shty. Javën që lamë pas u mbajt dhe takimi i ekspertëve të të dyja vendeve, ku u hodhën piketat mbi atë se ku do të fokusohet vendosja e kufirit të ri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button