Presidenti, Kuvendi pritet të votojë sot Xhazair Zaganjorin

Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë sot Xhezair Zaganjorin, kandidatin e mazhorancës për postin e ri të shtetit. Mazhoranca vendosi mbrëmë të propozojë si kandidat të sajin për presidentin e ri të vendit anëtarin e gjykatës kushtetutese Zaganjori i cili u përzgjodh mes disa propozimeve të figurave po nga Drejtësia apo nga fusha e diplomacisë.

Sot para nisjes së seancës për votimin e parë, pritet që të ketë edhe një takim mes kryetarit të grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi dhe atij të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi për të diskutuar rreth kandidaturës së Zaganjorit dhe për të marrë pëlqimin e opozitës. 

Partia Socialiste është shprehur paraprakisht se kjo kandidaturë do të refuzohet pasi sipas saj nuk ka ardhur si produkt i një procesi bisedimesh mes të gjitha palëve.

Emri i Zaganjorit do të hidhet në votimin ku kërkohen 84 nga 140 vota të parlamentit, pra dhe konsensusi i opozitës por edhe nëse kjo e fundit nuk voton raundi do të quhet i realizuar. Dje, kryeministri Sali Berisha nuk e konsideroi aspak problematike mundësinë që raundi i parë të digjej pa kandidat në mungesë të konsensusit të opozitës.

Ndërkohë, sot pritet të shihet se si do të eci takimi mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare, dhe rrjedha që do të marrë procesi nëse kandidatura e Xhezair Zaganjorit do të refuzohet nga socialistët. /oranews

 

Lajme të ngjashme

Back to top button