Kosovë: Mospajtime rreth platformës së qeverisë për bisedimet me Serbinë

Komisioni parlamentar për politikë të jashtme me shumicë votash votoi kundër përmbajtjes së platformës së qeverisë, për mënyrën e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Partitë opozitare, Lidhja Demokratike dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur, së bashku me partinë në pushtet Nisma Social Demokrate, kundërshtuan përmbajtjen e platformës e cila sipas tyre nuk është e plotë dhe ka shumë paqartësi për mënyrën se si të përmbyllen bisedimet me Serbinë, transmeton VoA.

Në platformën e hartuar nga qeveria, janë përfshirë tetë pika në të cilat thuhet se Kosova pret që bisedimet të përfundojnë me njohje të ndërsjellë duke respektuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe përkrahjen dhe garantimin e zbatimit të marrëveshjes nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Udhëheqësja e Komisionit parlamentar për politikë të jashtme, Vjosa Osmani njëherësh deputete e Lidhjes Demokratike në opozitë, thatë se partia e saj është për arritjen e një konsensusi, por sipas saj, jo me platformën e miratuar nga qeveria.

“Mirëpo vetëm nëpërmjet një platforme e cila sqaron qartë edhe kompetencat edhe temat por mbi të gjitha mbron sovranitetin dhe funksionalitetin dhe kushtetutshmërinë mbi të cilën është ndërtuar ky shtet”, tha ajo.

Visar Ymeri nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, tha se diskutimet duhet të ndodhin në parlament, por sipas tij jo për platformën e qeverisë, por për temat me rëndësi për vendin në këto bisedime.

“Çfarë dialogu na duhet, cilat janë vijat e kuqe të Republikës së Kosovës jo vetëm përballë qëndrimeve tona por veçanërisht përballë temave pra a dinë dikush të më tregojë se kur shkon presidenti në Bruksel apo kudo që takohen me presidentin e Serbisë a do të flas edhe se si do të rregullohet Kosova territorialisht, a do të diskutojë aty se si ka me qenë pozicioni i komunave me shumicë serbe, a do të bëhen ato bashkë në një formë të centralizimi me vija etnike brenda Kosovës, çka i bënë Kosovës kjo nëse ndodh, pra këto janë tema që duhet diskutuar”, tha ai.

Zafir Berisha nga Nisma Social Demokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës tha se platforma është e mangët dhe sipas tij, bartja e përgjegjësisë që këto bisedime të udhëhiqen nga presidenti Hashim Thaçi. është e gabueshme.

“Sepse ne kemi marrëveshje kundër kushtetuese dhe kundër ligjore nga presidenti aktual dhe fuqizimi edhe më tej duke pasur parasysh të kaluarën, unë mendoj se Kosova është duke shkuar drejt një shteti jo funksional”, tha zoti Berisha.

Por, Elmi Reçica nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se partia e tij është e pajtimit që bisedimet të udhëhiqen nga presidenti, pasi që sipas tij, ai është edhe subjekt unifikues.

“Nëse bisedimet kanë filluar me një grup uniteti të udhëhequra nga presidenti mendoj që është ideja më e mirë që edhe ashtu të përmbyllen. Pse po mendoj kështu, sepse me kushtetutë presidenti përveç rolit ceremonial përfaqëson edhe unitetin e shtetit dhe në kuadër të kësaj pavarësisht se kush është edhe pavarësisht se kush ka qenë është ide e mirë dhe ne e mbështesim që të jetë në krye të ekipit për të përmbyllur këto bisedime”, tha zoti Reçica.

Institucionet përmes platformës po kërkojnë krijimin e një uniteti institucional dhe partiak për periudhën e fundit të bisedimeve me Serbinë, një çështje kjo që se bashku me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pritet të jenë sfidat më të mëdha të vendit brenda këtij viti.

Një marrëveshje detyruese gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është edhe kusht për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button