Karateistët e Kosovës nuk pranojnë garën në Serbi, pa simbole shtetërore

Federata e Karatesë e Serbisë ka njoftuar se në Kampionatin Evropian të Karatesë që pritet të mbahet këtë muaj në Novi Sad, Kosova do të marrë pjesë pa simbolet shtetërore, transmeton REL. 

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Serbisë, Kajica Kaliçanin, ka thënë se për një gjë të tillë, Federatën serbe e ka njoftuar Federata Evropiane e Karatesë.

Por, nga Federata e Karatesë së Kosovës thonë se nuk kanë asnjë njoftim për vendim të tillë. Ismet Krasniqi, kryetar i Federatës së Karatesë së Kosovës, thotë se në rast se një vendim i tillë është i saktë, është i papranueshëm dhe paraqet shkelje të rregullave. Sipas tij, sportistët e Kosovës do të udhëtojnë për në Novi Sad, por nuk do të garojnë në qoftë se Kosova nuk trajtohet e barabartë, sikurse të gjitha shtetet tjera.

Sipas , Kaliçaninit, Federata Evropiane e Karatesë i ka njoftuar se Kosova do të marrë pjesë pa simbole shtetërore dhe në rast se sportistët e Kosovës fitojnë ndonjë medalje, kjo do të ndodhë nën flamurin e Federatës Evropiane.

“Në rast se ata vijnë, ndonëse kjo ende nuk është e sigurt, theksimi i flamurit dhe e simboleve nuk do të jetë i mundur. Për këtë, me siguri se janë të informuar nga Federata Evropiane”, ka thënë Kalinçanin.

Ndërkaq, Krasniqi, ka thënë se Federata e Karatesë së Kosovës nuk ka marrë ndonjë njoftim, por sipas tij, kjo do të ishte e papranueshme.

“Ne nuk kemi marrë asnjë informatë për këtë nga Federata Evropiane e as nga Federata Botërore. Diçka e tillë është e papranueshme për ne dhe ata nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Diçka e tillë është shkelje e rregullave. Ne patëm propozuar që, nëse duan, të largohen të gjithë flamujt, por që një shtet mund t’i shfaqë simbolet dhe tjetri jo, kjo është shkelje e rregullave. Ne do të shkojmë në Novi Sad gjithsesi, por nuk do të garojmë në qoftë se nuk trajtohemi njëjtë sikurse të gjithë”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP