Turqi, prangosen gjashtë gjeneralë

Autoritetet turke prangosën ditën e martë gjashtë gjeneralë në pension, me akuzën e organizimit të një grushti shteti për rrëzimin e një qeverie me prirje islamike në vitet 1990. 

Midis të arrestuarve janë edhe ish-kreu i forcave ajrore dhe ai i forcave tokësore turke.

Sipas agjensisë së lajmeve “Anatolia”, ushtarakët besohet se ushtruan presion mbi ish-kryeministrin Necmettin Erbakan, duke luajtur rol në largimin e tij në vitin 1997.

Disa dhjetëra oficerë në pension ose ende aktivë, së bashku me disa ish-gjeneralë të tjerë, janë arrestuar dhe po gjykohen për të njëjtat akuza.

Përndjekja e drejtuesve të lartë ushtarakë është mundësuar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2010, që i zhveshën nga imuniteti të cilin gëzonin.

Aktualisht, në Turqi janë duke u zhvilluar edhe dy çështje të tjera paralele, në lidhje me një grusht të suksesshëm shteti në fillimin e viteve 1980 dhe një tentativë për të rrëzuar qeverinë e Erdogan në vitin 2004, nga një klikë ushtarakësh. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button