KJO S’ËSHTË ROZAFA…

Po i kthehem një shkrimi të botuar para 24 vitesh, kur vërejta se anija jonë përnjëherësh mori kursin për theqafjen e radhës:

E shihja ashiqare. Qe, këtu! Përpara hundës më erdhi.

  • Njerëz! Kjo s’është ROZAFA! Ky është tabut!
  • Mjeran! – ma ktheu hipnosi me cinizëm.

Unë vazhdova të flas, sa herë që pushonte kori i harabelëve. Flisja mbi historinë e udhëkryqit të zulluve të Konicës, mbi mundësinë e zhvendosjes së qendrës së drejtëpeshimit në qeskë testisesh dhe të nesërmen e logjikës së zorrës…

Flisja pa ia varur zgërdheshjes së HIPNOSIT, i vetëdijshëm se monologu im ia shterron lotusin – narkozën me të cilën vihen në gjum delet e t’ulta të Zotit…

Kështu e pashë atëbotë fillimin e kapërcimit të origjinës, sot të metastazuar në çdo ind të shpirtit kolektiv, pa çka se rasati kosmopolit akoma bën kishe nuk di gjo, njësoj si para 24 vitesh, si para 100 vitesh, si para 500 vitesh.

E qartë, besoj: fjala është për asimilimin e heshtur të shqiptarëve, që si dukuri vazhdon të minimizohet, prej atyre që e shkaktojnë drejtpërsëdrejti me zuzarllëqe – me vjedhje, afera korruptive, krime, mashtrime, injorancë, paaftësi, tregti me asete etnie…

Ata që më njohin e dinë se këtë nuk e them për t’u dukur interesant, as për t’u tebdilosur në flamurtarin e atdheut prej kohësh të mbushur me babucë, që s’e kanë të qartë se atdheu respektohet/ dashurohet me vepra konkrete, sado modeste qofshin ato, se tkurrja dhe poshtërrimi i shpirtit të atdheut u dhemb gjithë njerëzve normalë të globit, se atdheu është yni aq sa është i secilit bashkëkombas veç e veç, ndaj askush nuk ka të drejtë pronësie mbi vlerat e përgjithshme etnike.

Së këndejmi, e kam të pamundur të mos i rikthehem temës së vjetër, kur më doli përpara HIPNOSI, njësoj si sot:

  • Shiko, ti!… Ne lusim sa lusim, pastaj…
  • Nuk vij me ju! – i thashë i vendosur.
  • Do vish! Do vish e sytë do të pëlcasin, madje! – m’u kërcënua ai dhe, si pahiri, i dha mënjanë cepit të palltos, sa për tma treguar hanxharin e brezit…

I përthekuar nga makthi që mund të pasonte, s’e kuptova fare si më doli përpara kopeja e deleve të virgjëra, në krye me ogiçin këmborëmadh:

  • Ti je i këndueshëm dhe na duhesh për reklamë – blegëroi ai.
  • Ja, e sheh atë KUNGULLIN! Gjithë atë shkollë dhe udhëton me ne. E ti?!…

Nuk e dëgjova a tha: “halli yt!”, sepse m’u bllokua truri, po kur erdha në vete, e kuptova se po qëndroja në mesin e një tabuti të madh, të ndarë më dysh. Për pamjen e njërit krah fjala makabre është stoli. Atë do ta ketë parë në mesjetën e inkuizicionit vetëm Aligieri. Kudo gjymtyrë viktimash të prera kanibalisht. Stiva gjuhësh, trushë, gjenitaliesh, veshësh, syshë…, që përpëliteshin në llofkat e gjakut. Në krahun tjetër, ndërkaq, rrinin ulur mbi postaqet leshgjata të të parëve misonarët e ferrit, të cilët nuk arrinin ta kuptojnë se për punëdhënësin e huaj peshojnë aq sa viktimat e tyre. Prandaj dhe e ndajnë të njëjtin tabut me ta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button