Shkup, hapet edicioni i 30-të i Panairit të Librit

Në prani të shumë dashamirësve të fjalës së shkruar, përfaqësuesve të trupit diplomatik në vend dhe zyrtarëve të qeverisë, sonte në Shkup është hapur edicioni i 30-të i Panairit të Librit, i cili do të qëndrojë i hapur për vizitorët deri më 9 maj të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Panairi i Librit mbahet në organizim të “Panairit të Shkupit”, nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë. Në edicionin e sivjetshëm është paralajmëruar pjesëmarrja e rreth 70 shtëpive botuese nga Maqedonia dhe rajoni.

Ministri i Kulturës i Maqedonisë, Robert Allagjozovski, i cili shpalli të hapur Panairin e Librit, tha se kjo ngjarje është më e vizituara dhe më e popullarizuar në Maqedoni, e cila ka një karakter ndërkombëtar me një frymë të hapur vizionare që nuk njeh kufi.

“Këto ditë, mijëra vizitorë do të gjejnë shkrime që do t’i provokojnë, do t’i edukojnë dhe do t’i çojnë në botët e reja, sepse libri me porositë e tij universale është një nga shtyllat më të rëndësishme të lirisë dhe të lirisë së shprehjes”, theksoi ministri Allagjozovski.

Shkrimtari dhe anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), Luan Starova, në adresimin e tij në hapjen e panairit, tha se sot është guxim të mbrohet libri, në këtë kohë të globalizimit, kur siç tha ai, shpejt zhduken krijuesit dhe prodhuesit e librave.

“Librat nuk vdesin. Ata mund të zhduken fizikisht, por jo edhe porositë që i lënë pas. Ata janë të rrënjosur në shpirtin e njerëzve, që të lulëzojnë përsëri në libra të rinj duke pasuruar jetën me përmbajtje të re. Kombet kanë krijuar gjuhët, autorët e mëdha i kanë përsosur në librat e tyre”, tha Starova.

Ministria e Kulturës njoftoi se ky edicion jubilar i Panairit të Librit pritet të rrisë pjesëmarrjen e vizitorëve dhe të tejkalojë numrin e 40 mijë vizitorëve të rregullt. Shtëpitë botuese njoftuan se do të paraqesin botimet e tyre të fundit, si dhe një numër të madh promovimesh dhe takimesh me autorë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button