Irani nuk do të rinegociojë paktin bërthamor

Teherani nuk do të rinegociojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që ka me fuqitë botërore, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif.

“Irani nuk do të rinegociojë atë për të cilin jemi pajtuar vite më parë dhe që tani është në zbatim”, ka thënë Zarif në një video të postuar në YouTube.

Presidenti amerikan, Donald Trump është kritik i ashpër i marrëveshjes, sipas së cilës, Teherani është pajtuar për të kufizuar programin bërthamor në këmbim të lirimit nga sanksionet, transmeton REL.

Trump u ka dhënë afat vendeve nënshkruese evropiane deri më 12 maj për të rregulluar ato që ai i ka cilësuar si “të meta të tmerrshme” të paktit, duke kërcënuar se do të tërheqë Uashingtonin nga i njëjti.

Zarif ka thënë se Shtetet e Bashkuara, “kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjen, duke parandaluar të tjerët që të bëjnë biznes me Iranin”.

Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres është deklaruar më 3 maj kundër prishjes së marrëveshjes bërthamore.

“Nëse një ditë do të ketë marrëveshje më të mirë për ta zëvendësuar atë që është aktualisht në rregull, mirëpo ne nuk mund ta prishim këtë që kemi pa ndonjë alternativë tjetër”, ka thënë Guterres për BBC.

Vendet tjera që kanë nënshkruar marrëveshjen, Franca, Britania, Gjermania, Rusia dhe Kina, i kanë bërë thirrje Uashingtonit të jetë pjesë e paktit, ndonëse edhe aleatët Perëndimorë kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me kushtet e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button