Çështja e emrit nuk është problem i vetëm mes Maqedonisë dhe Greqisë

Çështja e kontestit për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë ka ardhur si rezultat i mungesës së komunikimit, bashkëpunimit dhe njohjes mes dy shoqërive të dy shteteve fqinje, ndërkaq i njëjti edhe më shumë është zmadhuar pasi që është e ndërlidhur me identitetin, historinë dhe kulturën, u tha sot në panel diskutimin e organizuar nga “Eurothink” dhe Fondacioni “Fridrih Ebert” në temën “ku është hendeku: “Emri” apo mosnjohja e njëri tjetrit?”, raporton Portalb.mk.

“Ekziston vullneti që të zgjidhen çështjet diplomatike, megjithatë nuk jam shumë optimist.

Çështja e emrit nuk është vetëm çështje për emrin. Në 25 vitet e kaluara është dëshmuar se moszgjidhija e kësaç çështje ka hapur edhe probleme tjera. Përveç çështjes diplomatike, çështja është edhe në atë të identitetit, historik, kulturor apo emocional. Nëse të dy vendet nuk punojnë që të hiqen perceptimet e gabuara, këto çështje nuk mund të zgjidhen. Problem tjetër është se të dy qeveritë nuk janë në një nivel, pra përbërja qeveritare në Maqedoni është në fillim të mandatit, ndërkaq në Greqi po largohet. Nuk bëhet fjalë vetëm të zgjidhet çështja, por si do të garantohet që mungesa e besimit nuk do ta shkatërrojë të njëjtën zgjidhje”, tha profesori universitar nga Greqia, Janis Armakollas.

Edhe Lupço Petkovski nga “Eurothink” – Qendra për Strategji Evropiane, deklaroi se çështja nuk është vetëm te emri, ndërkaq tha se duhet sa më shumë që shoqëritë e Maqedonisë dhe Greqisë të njihen dhe t’i heqin stereotipet.

“Nuk është problemi vetëm te zgjidhja e emrit, ndër vite në vend që të zgjidhet janë shtuar problemet. Gjithashtu ne në Maqedoni jetojmë në kontekst tjetër, pra në atë post Revolucionit Laraman, ndërkaq Greqia post katastrofës ekonomike. Është e rëndësishme që shoqëritë e Greqisë dhe Maqedonisë të njihen më shumë që t’i heqin stereotipet. Gjatë viteve ne kemi bërë vetë probleme, për shembull Maqedonia ka bërë problem me ndërtimin e “Shkupi 2014”, paramendoni çfarë thotë një grek kur e sheh në televizion. Duhet të kemi më shumë kontakt, duhet t’u tregohet grekëve se projekti “Shkupi 2014” ka qenë një mbulim i vjedhjes dhe jo i historisë, pasi që kur kaloj nëpërmjet përmendoreve unë ato si ndjej si histori timen”, deklaroi Petkovski.

Përfaqësuesja e Fondacionit “Fridrih Ebert” – Zyra në Shkup, Eva Elerajt, e theksoi çështjen e bashkëpunimit në nivele të ndryshme si mënyrë e suksesshme për t’i zgjidhur problemet, duke rikujtuar në përvojën e Gjermanisë, transmeton Portalb.mk.

“Ne si gjermanë, kemi këndvështrime të ndryshme për zgjidhjen e problemeve. Vlerësoj se zgjidhja është në komunikimin e fuqishëm të qytetarëve mes dy vendeve. Ne kemi pasur përvoja të tilla. Duhet të ketë bashkëpunime të ndryshme në nivele të ndryshme siç janë, vëllazërimi i qyteteve, nënshkrim të marrëveshjeve miqësore, bashkëpunime rajonale etj. Këto duhet të bëhet në vend të dehumanizimit dhe perceptimit të gabuar se çfarë mendojnë të tjerët për ju. Iniciativat duhet të fillojnë prej nivelit më të ulët e deri tek ato më të larta”, deklaroi Elerajt.

Në një linjë ishte edhe profesoresha universitare Ana Çupeska, e cila theksoi se Maqedonia dhe Greqia duhet të ndërtojë bashkëpunime, të cilat në të kaluarën janë sabotuar nga politikat nacionaliste.

“Sot konteksti është i ndryshëm, liderët e vendeve po takohen, por po shkon rëndë. Jam e sigurt që politika e jashtme e Maqedonisë është më miqësore dhe ajo mund të dëshmohet edhe me marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Vlerësoj se duhet të ketë më shumë bashkëpunim mes kuvendeve të dy shteteve, kryetarëve të komunave, shoqatave civile, odave ekonomike, mediave etj., pasi që të njëjtat janë sabotuar nga politikat nacionaliste.

Ndryshe, çështja e emrit u bë temë  aktuale politike me ardhjen e qeverisë së re në pushtet në krye me kryeministrin Zoran Zaev. Bisedimet kanë filluar dhe në tavolinë ka disa propozime, megjithatë nuk ka ende asgjë konkrete. Greqia kërkon që të ndërrohet emri dhe Kushtetuta, ndërkaq Maqedonia është e gatshme që ta ndërrojë emrin, por me marrëveshje ndërkombëtare, duke mos e prekur Kushtetutën.

Ftesa për NATO sërish nën “vulën” e Bukureshtit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button