Formula 1, Ayrton Senna: Një fat pothuajse i parashkruar

Kanë kaluar saktësisht 24 vjet nga ai 1 maj dramatik i 1994. Ditë në të cilën më shumë se 2 miliard njerëz nga e gjithë bota asistonin në lidhje të drejtpërdrejtë televizive incidentin tragjik e Ayrton Senna. Me 300 kilometra në orë në cirkuitin e Imola, gjatë. Çmimit të Madh të San Marino, kurba Tamburello ka qenë imazhi i fundit që kanë parë sytë e pilotit. Më pas, papritmas, një dalje nga pista dhe, disa fraksione sekonde më vonë, përplasja. Një përlasje mjaft e dhunshme ndaj murit të jashtëm të cirkuitit. Një ngjarje e tmerrshme që i ka dhënë fund përrallës së një njeriu të madh, një kampioni sportiv të jashtëzakonshëm, një mbret i Formulës 1 në apogjeun e famës e të karrierës. E vështirë të kuptohen shkaqet. Një difekt? Një gabim njerëzor? Janë të shumta hipotezat e vlerësuara. Megjithatë, për shumë, kemi të bëjmë thjesht me një fatalitet, por mizor. Ka që pyesin nëse ky fat ishte apo jo i shkruar dhe beson se ngjarjet e asaj fundjave të mallkuar, në të cilën pilotë të tjerë kanë pësuar incidente të rënda, qenë një paralajmërim i asaj që do të ndodhte.

Automobil i vështirë

E enjtë 28 prill 1994. Mungojnë edhe 3 ditë nga Çmimi i Madh i San Marino. Senna mbrrin në Imola dhe e kalon javën midis impenjimeve të ndryshme publicitare: duhet të prezantojë një biçikletë me emrin e tij. Në moshën 34 vjeçare biznesi zë gjithnjë e më shumë hapësirë në jetën e tij. Por tani, në Itali, nuk mund t’I lejojë vetes shkujdesje. Pas një debutimi katastrofik sezoni, duhet të fitojë. Është një periudhë vendimtare për brazilianin: ka qenë 3 herë kampion bote, por prej 3 vitesh nuk fiton asgjë. Me një dekadë garish mbi shpatulla, Senna është një veteran i Formulës 1. Ka objektivin e madh e thyerjes së rekordit të Juan Manuel Fangio: 5 fitore botërore. Për këtë arsye sapo ka lënë McLaren për Williams – Renault që, një vit më parë me Alain Prost, ka fituar titullin botëror. “Makina teknikisht nuk qe ndonjë sukses i madh”, pohon Bernard Dudot, ish Zëvendësdrejtor i Renault F1. “potencialisht e shpejtë, por kishte një marzh shfrytëzimi të mundësive jashtëzakonisht të reduktuar. Vetëm një pilot i zoti do të mund ta drejtonte me këtë limit të rëndë”. Gerhard Berger, ish pilot, kujton se Senna i tha që njëvendëshi ishte i vështirë për t’u ngarë dhe nuk ishte kompetitiv. “Pavarësisht kësaj”, pohon Berger, “ishte në pole position në garat e fillimit të sezonit. Prej meritës së vet, jo të makinës”.

Midis mërzisë dhe nostalgjisë

Imola është gara e tretë e kampionatit dhe është koha që Senna të demonstrojë se çfarë është i aftë të bëjë. Nuk ka përfunduar as dy garat e para në Brazil dhe Japoni. Të fituara të dyja nga djaloshi sfidant, piloti emergjent gjerman Michael Schumacher. Megjithatë, siç e konfirmojnë miqtë e tij, Ayrton nuk duket i preokupuar prej performancës zhgënjyese të tij. Ndoshta në moshën 34 vjeçare, pas një dekade të mahnitshme, fillon të zbulojë një anë më njerëzore. “Po fillonte të mërzitej, duhet ta pranojmë”, rrëfen Jean Louis Moncet, gazetar sportive. “Atë vit, televizioni francez e bindi që të montojë në bordin e makinës së tij një telekamerë dhe të komentojë një xhiro piste”. Gjë që Ayrton e bëri atë të premte në mëngjes, ndoshta për të thyer monotoninë e garave. Komenti ishte teknikisht i përsosur: “Po lë pit stopin, mbrrij në kurbë, fus të katërtin, tani më duhet të frenoj….”. Dhe ja, midis një shpjegimi dhe tjetrit, Senna shqipton shprehjen të konsideruar në atë kohë të pabesueshme. I drejtohej Alain Prost, rivalit të përjetshëm të tij, i larguar para pak kohe nga Formula 1: “Një mirëmëngjes i veçantë për mikun tim të dashur Alain. Na mungon Alain”. Atë të premte në mëngjes, në Imola, Ayrton ishte ndoshta një njeri i mbërthyer nga nostalgjia?

“Të gjitha problemet e nisjes së kampionatit kishin krijuar tek ai boshllëkun e lënë nga rivali i tij?, shpjegon Lionel Froissart, biograf i Senna. Dhe shton: “I mungonte pika e referimit e përfaqësuar nga Prost”.

Provat e lira: incidenti i Barrichello

Fillon seanca e garës në të cilën testohet makina dhe cirkuiti. Si gjithmonë, Senna regjistron kohën më të mirë. Gjithçka duket se po ecën si në vaj, kur në orën 13 e 20 minuta, një incident shënon fillimin e fundjave makthi. Në afërsitë e Pjesës së Poshtme të cirkuitit, makina e Rubens Barrichello devijon nga rruga duke arritur të prekë bordurën. Fatkeqësisht është pak e ngritur dhe Jordan i tij i kërcen sipër si mbi një trampolinë: makina fluturon, përplaset me murin, shpërbëhet dhe bie, duke qëndruar e përmbysur. Aq i madh tensioni dhe preokupimi për shëndetin e të riut Barrichello, në atë kohë 21 vjeçar. I pari që preokupohet është pikërisht Senna, bashkëkombas i tij.

“dal nga salla e ndihmës së shpejtë dhe shikoj para vetes Ayrton”, rrëfen Giuseppe Piana, kreu i ekipit mjekësor të cirkutitit të Imola. “Kishte hyrë nga prapa duke kapërcyer një portë 2 metra të lartë boll që të shihte Rubens”. Barrichello ka një brinjë të copëtuar, kockën e hundës të thyer, gërvishtje në fytyrë, në gojë, por fatmirësisht gjallë. Përveç incidentit është një rrethanë tjetër, për hir të së vërtetës paksa misterioze, që e ka karakterizuar atë pasdite. Senna ka përfunduar më parë provat. I zbritur nga makina, ka dhënë një deklaratë të pazakontë. Thoshte se kishte provuar diçka unike, një gjendje plotfuqishmërie. Sa më shumë e rriste shpejtësinë dhe aq më pak e parandjente rrezikun. Ndjehej përsoshmërisht zot i situatës dhe për këtë kishte ndaluar. Pse? Kishte pasur ndonjë parandjenjë? Çfarë e kishte shtyrë që ta përfundonte më përpara seancën e provave?

Vdekja është në ajër…

Dita e dytë e provave: bëhet fjalë për një seancë vendimtare, pasi renditja e nisjes përcaktohet pikërisht në këto momente. Kanë kaluar 24 orë nga incidenti i Barrichello. Ndodh edhe një tjetër, kësaj radhe akoma dhe më dramatic. Ai i austriakut Ronald Ratzenberger, që në vijëdrejtën midis kurbës Tamburello dhe kurbës Villenueve, humbet një pjesë të prapakolpit dhe nuk arrin më ta kontrollojë makinën: përplaset me mbi 300 kilometra në orë kundër murit rrethues.

“Impakti ka qenë i tmerrshëm” rrëfen doktor Giuseppe Piana. Makina ka bërë 7 apo 8 herë rrotullim 360 gradë deri sa, pa tri rrota, është ndalur. “Kujtoj të kem vërejtur në telekamera një imazh të tmerrshëm: sapo makina ka ndaluar, kam parë kokën e pilotit të anohet nga e majta. Kjo për mua qe një shenjë mjaft e keqe”,shton doktori. “Ayrton ishte në këmbë afër meje dhe incidenti me Ratzenberger ndodhi para syve tanë”, rrëfen Bernard Dudot, duke shtuar, “Qe një shok i tmerrshëm, sepse e kuptuam menjëherë se kishte vdekur. Fytyra e Ayrton ndryshoi shprehje. E kuptova se ishte i kaplluar nga emocione të kundërta. U zverdh dhe për pak kohë nuk u kthye tek makina e tij”.

Ratzenberger kishte moshën e Senna, 34 vjeç. Ishte në Formula 1 prej vetëm 53 ditësh, kundrejt 10 viteve të brazilianit. Për të sapoardhurin, Çmimi i Madh i Imola përfaqësonte hyrjen tek të mëdhenjtë. Objektivi i tij nuk ishte fitorja, por kualifikimi. Për të fituar famën, jo më i riu Ratzenberger ishte i gatshëm që të jepte gjithçka. Dhe atë 30 prill të nxehtë në Imola, ai ka dhënë jetën e tij.

Ritualë të papritur

Është e diel, 1 maj. Senna përgatitet që të realizojë Çmimin e Madh të 161-të të tij. Një garë e veçantë, pasi një djalosh, Michael Schumacher, po tenton që të fitojë fronin e pilotit më të shpejtë. Braziliani duhej të mbronte edhe famën e tij, të përbërë nga 3 tituj botërorë, 41 fitore dhe 65 pole position. Edhe këtë të dielë është në vendin e parë në rreshtimin e nisjes.

Është ora 13 e 30 minuta. Ka shumë gjallëri në pit lane, zonën në krah me mbrritjen që lidh bokset me pistën. Ayrton vendos që vendosë në njëvendëshin e tij një flamur të vogël austriak për ta ekspozuar, në mbarim të garës, në kujtim të Ratzenberger. Por atë moment, kush po e shikon pilotin brazilian vëren diçka speciale, diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Senna e kishte zakon që ta priste nisjen Brenda makinës, me rripat e lidhur. E bën edhe atë ditë, por, gjë krejtësisht e pazakontë, duke e hequr kaskon nga koka dhe duke treguar fytyrën jashtëzakonisht serioze. Gjëja i ngjall kureshtjen të gjithëve, edhe Nuno Cobra, trajneri personal i tij: “I njihja të gjitha ritualët që kryente përpara garës. Atë ditë, çuditërisht, u soll në mënyrë krejtësisht të ndryshme, sikur ta dinte se çfarë do të ndodhte ose se do të kishte problem me makinën. E parandjeva nga mënyra sesi e shikonte. Kjo më nervozoi dhe më la pafjalë. Pata përshtypjen se Ayrton kishte nuhatur diçka”.

Lamtumirë, Ayrton….

Seria e ngjarjeve të mallkuara vazhdo. Menjëherë pas nisjes një tjetër përplasje midis dy makinave: Benetton e finlandezit JJ Lehto mbeti e palëvizshme në semaforin e gjelbër dhe portugezi Pedro Lamy, duke ardhur nga prapa me Lotus e tij, nuk arrin ta shmangë. Pilotët dalin të padëmtuar, por mbeturinat e makinave përplasen në tribunë dhe plagosin disa spektatorë, njëri prej të cilëve, i goditur nga një rrotë, do të qëndrojë për një muaj në koma.

Në mënyrë që pista të mund të pastrohet nga mbeturinat, makinat ndjekin me padurim safety carpër 6 xhiro. Pastaj grupi riniset. Është ora 14 e 18 minuta. Ayrton Senna është tashmë në krye, i ndjekur nga Michael Schumacher. Po kalon kurbën Tamburello me mbi 300 kilometra në orë. “Në një monitor kuptohet se një makinë del nga pista dhe përplaset dhunshëm kundër murit të Tamburello”, rrëfen doktor Piana. “Shikoj palëvizur pamjet, numëroj deri në 8, e kuptoj se piloti nuk lëviz dhe jap alarmin “piloti nuk del, piloti nuk del”.

Ngrihen flamujt e kuq, që tregojnë se gara pezullohet përkohësisht dhe ndërhyn menjëherë një autoambulancë që niset nga një vend pikërisht prapa kurbës Tamburello. Është nga ky boks që del edhe doktori që i jep ndihmën e parë Ayrton Senna: është Giuseppe Pezzi.

“Kishte një rrjedhje gjaku të madhe, ishte pandjenja, kishte pulsin në rregull, por shikohej se gjendja ishte kritike. Ishte gjallë, në kuptimin se kishte një rrahje zemre dhe aktivitet frymëmarrjeje, edhe pse në gjendje kome të thellë dhe me dëme celebrale të dukshme”. Dhe ndërsa rianimatorët vazhdojnë në një tentativë të dëshpëruar, doktor Piana i dërgon një mesazh me radio drejtuesve: “Kodi 3, Charlie në pistë”. Vë në zbatim kështu procedurën ekstreme e ndërhyrjes së shpejtë shëndetësore. Domethënë uljen e një helikopteri në pistë. Në orën 14 e 35 minuta, Senna transferohet në Spitalin Maggiore të Bolonjës.

“The show must go on”

20 minuta më vonë, gara rifillon dhe vazhdon deri në fund, pavarësisht një incidenti tjetër. Pak xhiro nga mbarimi, makina e Michele Alboreto, një Minardi, teksa riniset nga pit stop, humbet një rrotë që shkel 3 mekanikë në boks, duke plagosur rëndë njërin prej tyre. Spektakli nuk ndalet, një farsë absurd që kulmohet në podium me festimet për fitimtarin: Michael Schumacher. Edhe pse, si konçension të fundit ndaj etikës, shampanja në Imola atë ditë mbetet në shishe.

Ndërkaq në Spitalin Maggiore të Bolonjës mblidhen tifoza dhe gazetarë për të pasur informacione lidhur me Senna. Është ora 17 e 30 minuta dhe diagnostikohet, fatkeqësisht, vdekja celebrale e pilotit. Primarja e repartit të Terapisë Intensive Maria Teresa Fiandri i shpall zyrtarisht vdekjen në orën 18 e 40 minuta. “Kujtoj se ndërsa po hyja, isha si e sulmuar nga gazetarët dhe nga mikrofonat, aq sa ishin dy policë që po më hapnin pak rrugë, pasi nuk po arrija të kaloja”, thotë doktoresha Fiandri. “Ajo që të mbante në ankth ishte fakti se nuk arritëm të bënim dot asgjë, pasi nuk mund të bëhej më asgjë, për ta shpëtuar nga vdekja një të ri, një hero për shumë njerëz. Mendoj se ishte vërtet një njeri i rrallë”.

Gabime apo fatalitete?

Por cili ka qenë shkaku i vdekjes së Ayrton Senna, një kampioni që është shtyrë gjithmonë përtej çdo limiti? E para që është vënë nën akuzë është kurba Tamburello. Kujtim i keq edhe për Gerhard Berger, mik dhe koleg i Senna, që 5 vjet më parë, pikërisht aty kishte rrezikuar jetën. Hipoteza e murit lë me dyshime si tifozët, ashtu edhe ekspertët, për të cilët vetëm një problem teknik mund ta ketë shkaktuar incidentin. Sipas Lionel Froissart, biograf i Senna, është vështirë të përcaktohet nëse krahu i rrotës është këputur ndërsa Senna ishte në drejtim, duke shkaktuar daljen nga pista të makinës siç do të duket nga pamjet e momentit, apo është këputur më pas. “Por e dimë se nuk pati gabim njerëzor”, pohon Froissart. “Senna ishte mirë, nuk i kishte humbur ndjenjat. Shikohet të luftojë me makinën deri në fund, duke vënë në veprim frenat dhe marshet. E bëri gjithçka përsosur, por mbeti viktimë e një ngjarjeje jashtëzakonisht të pafat: një copë metali e amortizatorëve i çpoi kaskon, duke i hyrë në kokë”. Trupi nuk kishte as dëmtime, as fraktura. Nëqoftëse amortizatorët nuk do ta kishte goditur, ai do të ishte kthyer me këmbët e tij në boks.

Ka qenë një rast i thjeshtë apo gjitçka ishte e shkruar dhe ishte faj i një mallkimi të çuditshëm që e kishte goditur atë etapë të Çmimit të Madh? Ekziston një fat apo një arbitër i lirë është sigurisht protagonist i jetës tonë? Një temë që të lë pak të dyzuar, që të bën të mendosh.

Ndoshta këto dyshime do ta kenë torturuar edhe Alain Prost, rivalin par excellance e Ayrton: “Kujtoj mesazhin e të premtes në mëngjes dhe, pikërisht përpara garës, kur u gjenda duke kaluar përpara tij, u shikuam sy në sy, shtrënguam duart, gjë tejet e pazakontë, dhe i urova fat të mbarë… Do të doja që ndoshta të mos e kisha uruar”.

Përgatiti: ARMIN TIRANA / Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP