Gazetarët hapën gojën për vetveten!

Mediat kanë raportuar në mënyrë jo profesionale gjatë raportimit për vrasjen e pesëfishtë  në Smillkovcë, vlerëson raporti i analizës të cilën e ka bërë Shkolla e lartë e gazetarisë në Shkup. Mediat gjatë publikimit të rastit kanë theksuar përkatësinë etnike të viktimave, ndërsa të akuzuarit i kanë shpallur fajtor menjëherë pas aksionit policor ‘Monstra’, duke i cilësuar si vrasës monstruoz, vlerëson raporti.

Gjatë debatit me të njëjtën temë, shumica e gazetarëve pranuan se kanë shkelur rregullat e raportimit, duke u arsyetuar se kanë qenë të ndikuar nga dëshira që lajmin ta publikojnë të parët.

Kryeredaktori i televizionit Alfa Zoran Ivanov tha se gazetaria në Maqedoni ka rënë në nivel të ulët për arsye se është nën presion të drejtpërdrejt të pushtetit.  Asnjëherë gazetarët aq pa turp nuk kanë demonstruar kaq shumë partizim, tha Ivanov duke mare si shembull servisin publik MTV, që në bazë të rregullores për punë duhet të jetë më e balancara dhe të punoj në interes të të gjithë qytetarëve, ajo tha ai,  me numrin më të madh të gazetarëve në Maqedoni të furnizohet në baza ditore me informacione nga dy portale pro-qeveritare.

‘Problemi në Maqedoni qëndron në faktin se politikanët kanë lidhje të forta me pronarët e mediave dhe nuk lejojnë që të ketë gazetari të lirë. Gazetaria e lirë vlen deri në momentin kur gazetarit ti tregohet dera. Tani jetojmë në një situatë ku ndahen edhe mediat, keni dëgjuar shumë njerëz duke thënë se lexoj këtë gazetë se është e jona, kur të thonë se ti je televizion armiqësor,  kur në emisione tregohen fotografi të gazetarëve dhe etiketohen dhe degradohen. Vetë qeveria lidh koalicione me mediat dhe bashkë krijon politika redaktuese’, tha Zoran Ivanov kryeredaktor i televizionit Alfa .

Sipas kryeredaktorit të televizionit Alsat M, Muhamed Zeqiri, mediat megjithatë kanë kontribuar në uljen e tensioneve, raportet kanë qenë  të balancuara. Jo profesionale sipas tij ka qenë vetë policia, që me deklaratat e tyre kanë shkelur rregullat që ata duhet ti mbrojnë.

‘Fajtorë të vërtetë janë institucionet, Ministria e punëve të brendshme vetë i identifikoi  të arrestuarit duke i quajtur vrasës, radikalë islamikë etj,  do të thotë se vetë ministria shkeli të drejtën e prezumimit  të pafajësisë, ndërsa media vetëm e transmetuan informacionin’ tha Zeqiri.

Kryeredaktori i portalit ‘mkd.mk’  Sasho Damovski pranoi se gjatë raportimit për rastin e Smillkovcës kanë raportuar pa analizuar të gjitha informacionet.  Disa i kemi publikuar ashtu siç na u servuan, por në këtë rast ishte e pashmangshme tregimi i përkatësisë etnike  të të vrarëve dhe të të arrestuarve, tha Damovski.

‘Ta marrim shembull pakicën krishtere në Egjipt, për një lajm për këtë pakicë medoemos duhet të ceket ajo se ata janë të krishterë, apo për ndalesën që ka sjell Arabia Saudite për ndërtimin e kishave, çfarë të raportojmë se ndalohet ndërtimi i kishave, apo të shkruajmë se ndalohet ndërtimi i  objekteve, pyeti Damovski.’

Gazetari Dragan Andonovski tha se kur të flitet për gazetarinë në Maqedoni, duhet theksuar se ajo fare nuk ekziston dhe se ajo është shkatërruar nga gazetarë të korruptuar, që tani më dominojnë me profesionin, ndërsa gazetarët e ndershëm janë  pakicë, tha Andonovski.

Gazetari Mefail Ismalili tha se vrasja e Smillkovcës është paraprirë nga shumë incidente tjera për të cialt mediat në gjuhën maqedonase as që kanë raportuar, dhe si shembull përmendi vrasjen e dy personave në Gostivar nga ana e një polici, ofendimet ndaj fesë islame nga pjesëmarrësit e Maskenballit  të Vevçanit etj.

Gjatë debatit edhe pse të ftuar nuk ishin prezent dy kryeredaktorët e televizioneve më me ndikim në gjuhën maqedonase, Kanal 5 dhe Sitel që kanë qëndrime gati identike me qeverinë, dhe që në masë të madhe janë krijuesit e opinioni publik në vend. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button