Matis: E përshëndes rezistencën e Maqedonisë ndaj ndikimit të keq rus në Ballkan

Sekretari amerikan i mbrojtjes Xhejms Matis pas takimit të djeshëm me ministren e Mbrojtjes, Radmila Sekerinska e lavdëroi Maqedoninë për rezistencën ndaj ndikimit rus në Ballkan, transmeton Portalb.mk.

“Gjendja e sotme e sigurisë kërkon miqësi mes të gjithë atyre që merren me liritë, të drejtat themelore njerëzore dhe sundimin e së drejtës. Duhet të duartrokas rezistencën e Maqedonisë ndaj ndikimit të keq rus në Ballkan. Dëbimi i diplomatit rus tregon se Maqedonia qëndron fortë në anën e vendeve të civilizuara dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha Matis.

Ministrja Shekerinska u falënderua për përkrahjen e fortë që Maqedonia e merr nga SHBA-ja.

“Më lejoni t’ju siguroj se Maqedonia është gati për në NATO. Ne shpejt u rimëkëmbëm nga kriza e gjatë politike dhe pas një lëvizjeje të fortë reformash, ne shihemi si një burim shprese në Ballkan.  Më lejoni të kërkoj përkrahjen tuaj si partner strategjik për anëtarësimin tonë në NATO. Ftesa për Maqedoninë në korrik të këtij viti do të na përkrah në qëllimin tonë strategjik, do t’i ndihmojë rajonit në ndërtimin e stabilitetit afatgjatë dhe do ta rit ndikimin dhe përgatitjen e SHBA-së dhe NATO-s”, tha Shekrinska.

Matis tha se SHBA i vlerëson përpjekjet e Maqedonisë.

“Ato e afirmojnë vendimin e NATO-s në Bukuresht në 2008, Maqedonia të merr ftesë për anëtarësim menjëherë sa të arrijë zgjidhje të përbashkët për çështjen e emrit me Greqinë. E përshëndesim punën tuaj me Greqinë për zgjidhjen e kësaj çështje dhe shpresoj se së shpejti do të ketë rezultat”, tha Matis.

Ky është takimi i parë i ministrave të Mbrojtjes së Maqedonisë dhe SHBA-së pas pesë viteve dhe u mbajt dy muaj para Samitit të NATO-s në korrik në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button