VATRA E PROBLEMEVE

Në këtë udhëkryq gjeopolitik, kur bota po shkon drejt ndarjes në blloqe kundërshtare, nuk mund të jemi indiferent karshi problemeve globale, sepse reflektojnë në botën tonë të vogël.

Në njërën anë e kemi Perëndimin dhe vlerat e tij që i pretendojmë, kurse në anën tjetër e kemi Rusinë me satelitët e saj që, në forma të ndryshme, duan ta pengojnë këtë përpjekje jetike.

Në Rusi, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, mbizotëron qasja Ne (Rusia) dhe Ata (Europa). Shumë ideologë rusë e kanë thënë se Rusia nuk i përket identitetin europian, madje këtë identitet e shohin si të huaj.

Nikolaj Danilevski, në librin “Rusia dhe Europa” (1869), shkruante se Europa nuk e shihte Rusinë si pjesë të saj; se Europa te Rusia dhe sllavizmi shihte diçka të huaj dhe jo vetëm të huaj, por edhe armiqësore. Të tjerë thonë se identiteti rus nuk është as identitet i pastër europian dhe as aziatik. Këta besojnë edhe në dekompozimin e Europës, kurse shpëtimin e shohin tek Euroazia.

Rusia është vendi i shkrimtarëve të mëdhenj, si: Pushkini, Lermontovi, Tolstoi, Dostojevski, Turgenjevi, Gogoli, Çehovi, Bullgakovi, Bloku, Ana Ahmatova, Marina Cvetajeva, Isak Babeli, Majakovski, Pasternaku, Nabokovi, Brodski e shumë të tjerë, por asaj nuk i kanë munguar komisarët, rasputinët, potemkinët dhe zhdanovët. Në politikë dhe në letërsi.

Nëpërmjet librit të Predrag Matvejeviqit, “Epistolari lindor“, mund ta kuptojmë thelbin e politikës ruse. Në këtë libër, ku autori fokusohet te mekanizmat e një pushteti autoritar, tregon një bisedë të tij me Danilo Kishin gjatë një vizite shkrimtarësh në Rusi. Kishi, derisa i shikonte komisarët stalinistë, i thoshte: “E mjera Rusi, kë ka zgjedhur si përfaqësues”. Në mesin e përfaqësuesve kishte edhe shkrimtarë dogmatikë. Si përherë. Shkrimtarët e vërtetë ishin në burg ose të dëbuar.

Putini ka thënë se nuk lexon libra autorësh “që e kanë tradhtuar atdheun”. Rusia ka ditur t’i shpallë tradhtarë shumë shkrimtarë dhe filozofë të mëdhenj. Rusia i përkrah diktatorët. Ajo e strehon edhe politikanen Mira Markoviq, një Lady Macbeth e shekullit XX. Ndërkaq elita intelektuale, që vepron sipas kallëpeve të politikës, e sheh Radovan Karaxhiqin si “luftëtar për sllavizmin”.

Kur Radovani i Zi e udhëhiqte pastrimin etnik në Bosnjë, kur hordhitë e tij vrisnin, prisnin e dhunonin, Shoqata e Shkrimtarëve të Rusisë, më 1994, ia ndau çmimin letrar “Shollohov” – për nder të emrit më të rëndësishëm të socrealizmit. Iu dha ky çmim një mediokri, poezitë e të cilit përqesheshin nga poetët elitarë. Poeti Marko Veshoviq tallej me vargun e Karaxhiqit: “Unë i kam shëruar lesbejket”. Më pas e kapi kokën me dorë kur dëgjoi se si Radovani i Zi i thoshte një ushtari: “Vrite he nënën!”.

Fituesi i çmimit “Shollohov”, ky horr, që para se të bëhej lider i serbëve të Bosnjës, ishte dënuar për mashtrim e hajni, u nderua edhe me disa çmime letrare në Serbi. Ja edhe një arsye se përse nuk duhet të mahnitemi nga çmimet letrare. Ishte e kotë edhe thirrja e Matvejeviqit, kundërshtarit të diktatorit Millosheviq, drejtuar inteligjencies ruse, nga e cila  kërkonte që ta korrigjonte mëkatin që përjetësisht do t’ia rëndonte ndërgjegjen. Rusia, e djeshmja dhe e sotmja, ka shumë njolla në ndërgjegjen e saj.

“Sllavizmi i vjetruar, që priret t’i përçmojë dhe t’i nënshtrojë popujt e vegjël e të dobët, është ideologji e marrë, ishte dhe mbeti ideologji e errët”, shkruante Matvejeviqi.

Rusia nuk është çliruar nga kjo ideologji. Ajo tani tenton të faktorizohet duke mbrojtur diktatorë që vrasin fëmijë me klor dhe sarin apo duke luajtur me ndjeshmërinë e disa popujve sllavë, që e shohin si frymë e si mburojë…

Rusia asnjëherë nuk e ka njohur institucionin e demokracisë, thoshte shkrimtari dhe kompozitori Bulat Okuxhava. “Ishte shoqëri me psikologji robi, që i shërbeu knjazit dhe mbretit, prijësit dhe gensekut. Rusia asnjëherë nuk e kishte institucionin e lirisë. Ajo e njihte vetëm vullnetin, por jo edhe lirinë. Në Rusi asnjëherë nuk e çmuan personalitetin. E çmuan atdheun abstrakt, mëmëdheun, por jo edhe personalitetin”, shkruante ai.

Ka edhe shkrimtarët gjenialë rus që u mahnitën prej këtyre idealeve abstrakte. Elitat politike e kanë shfrytëzuar këtë ndjeshmëri dhe kanë ndikuar që Rusia të mbetet prapa në planin human dhe qytetërues. Sot ajo tenton ta mbajë botën në tension, sipas stilit të një kidnapuesi, i cili kërcënohet se do ta aktivizojë bombën nëse i afrohen. Sot, hapur ose fshehur, adhurohet vetëm nga diktatorët, politikanët e korruptuar ose nga politikanët e pistë të tipit të Sheshelit, sepse është mburojë e tyre.

Bota e lirë ka filluar t’i godas hapur politikanët e lidhur me nëntokën. Botës së lirë nuk i shkon hipokrizia. Heshtja e saj kundrejt politikanëve të korruptuar, veçmas në Ballkan, është heshtje kundrejt depërtimit të fshehtë rus, veçmas në rajonin tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button