Për botën, 1945 ishte Viti Zero

Nga Keith Lowe *

Lufta e Dytë Botërore qe një prej evenimenteve më të mëdha të historisë njerëzore. Midis 1937 dhe 1945 më shumë se 100 milion burra e gra u mobilizuan në forcat e armatosura në të gjithë sipërfaqen e globit, pa llogaritur qindra milion civilët e përfshirë në konflikt si punëtorë, robër, skllevër dhe shënjestra. Çdo cep i planetit, edhe më i largëti nga frontet ku luftohej, u përfshi në këtë katastrofë çnjerëzore. Kështu që pyetja që shtrohet është: në çfarë mënurë kjo përvojë e përbashkët na ka influencuar pas përfundimit të saj? Sigurisht që ka krijuar një mentalitet të përbashkët për të gjithë: atëhere si është manifestuar?

Ose, më mirë, në çfarë mënyre kujtimi i Luftës së Dytë Botërore e ka ndryshuar botën?

Shpesh momenti i përfundimit të luftës kujtohet në mënyrë fuqimisht të idealizuar. Festohej në mënyrë të çfrenuar në Londër e në Paris në VE Day (Victory in Europe Day, Dita e Fitores në Europë, 8 maji 1945) dhe në VJ Day (Victory over Japan Day, Dita e Fitores mbi japoninë, 15 gusht 1945), ndërsa në qiejt mbi Kremlin shpërthenin fishekzjarret dhe në Times Square të Neë York marinarët puthnin infermieret. Presidenti amerikan Truman ia përsëriti shumë herë popullit të tij se ishin “në pragun e një bote të re” dhe se pas vdekjes së “një bote në luftë” do të lindte një “botë në paqe”. Me 16 gusht 1945, të nesërmen e dorëzimit japonez, Truman shpalli se ajo në të cilën po asistohej ishte “një fillim i ri për historinë e lirisë në Tokë”.

Pamje nga Lufta e Dytë Botërore

Por, për sa autentike në momentin kur shpreheshin, këto ndjenja përfaqësojnë një vizion shumë të anshëm të valës emotive që shoqëroi mbarimin e luftës. Përkrah haresë dhe festimeve pati reagime të çdo lloji: në shumë anë të globit emocionet predominuese në 1945 qenë turpi dhe zemërimi. Në Europën Perëndimore pamja e gruas me kokën tullë, që ia kishte dhënë trupin e saj armikut, u bë një simbol i fuqishëm kolaboracionizmi dhe kundër kolaboracionistëve, si në Europë, ashtu edhe në Azi, shpërtheu një valë e dhunshme hakmarrjeje. Në shumë prej zonave më të shkatërruara, sidomos në vendet e mundura, njerëzit ju dorëzuan dëshpërimit, asaj që korrespondentja e luftës Janet Flanner e quajti “vetmia e disfatës së plotë fizike”. Por edhe në vendet fituese ndjenjat nuk qenë aq të qarta e të prera siç është zakon të kujtohen sot: “Provova vetëm një ndjesi të çuditshme humbjeje”, kujtoi John MacAuslan, ish zyrtar i inteligjencës britanike. “Gjithçka që kisha njohur prej shumë kohë sapo ishte zhdukur dhe dukej se nuk kishte asgjë për ta zëvendësuar… Ishte zhdukur çdo gjë”. Domethënë, është korrekte të pohohet se kujtimi i 1945 si agimi i një erë të re shprese është patjetër i anshëm, pavarësisht se përfaqëson vetë zemrën e mentalitetit të pasluftës. Motivi i vazhdimit të duhet kërkuar pjesërisht në faktin se është kështu që mjetet e komunikimit të kohës e paraqitën fundin e konfliktit, pakashumë kudo.

Ato që drejtuan korin qenë Shtetet e Bashkuara, fitues të padiskutueshëm të luftës, që në 1945 kishin Marinën dhe Aviacionin më të madh të planetit dhe një ushtri me të cilën vetëm ajo sovjetike mund të rivalizonte. Përveçse ishte në atë moment fuqia e vetme bërthamore në botë.

Konflikti i kishte edhe pasuruar jo pak: midis 1939 dhe 1945 ekonomia amerikane ishte pothuajse dyfishuar në vëllim dhe në fund të konfliktit përfaqësonte pakashumë gjysmën e PBB-së e të gjithë botës. Kur në Amerikë figurat publike lajmëronin fillimin e atij që po fillohej të quhej “shekulli amerikan” nuk është se vetëm po uronin: edhe po tentonin që të përqaseshi me përgjegjësinë e madhe të re me të cilën ishte ngarkuar vendi i tyre. Në një goditje të vetme Shtetet e Bashkuara e shikonin veten se qenë bërë polici i racës njerëzore, financieri i votës dhe përfaqësuesi më i afërt me një Samaritan të Mirë që planeti ynë kishte patur ndonjëherë: në dritën e kësaj, nuk është çudi që amerikanët do të donin të bindnin si vetevten, ashtu edhe të tjerët, se bota do të bëhej një vend më i mirë falë përpjekjeve të tyre.

Lufta e Dytë Botërore

Një valë e kuqe Fituesi tjetër i madh i konfliktit qe Bashkimi Sovjetik dhe, për pasojë, Partia Komuniste. Komunistët e kishin ëndërruar gjithmonë revolucionin dhe Lufta e Dytë ua kishte shërbyer në një pjatë të argjendtë. Deri në rënien e Perdes së Hekurt, në Europën Lindore është vazhduar të përkujtohet mbarimi i kësaj lufte si “një prej evenimenteve më të mëdha të historisë njerëzore, që i ka dhënë një goditje vdekjeprurëse kapitalizmit” (me fjalët e Ministrit shqiptar të Mbrojtjes Prokop Murra në 1985). Është jashtë çdo dyshimi që falë luftës komunizmi përjetoi një rritje të jashtëzakonshme popullariteti: në 3 vite nga përfundimi i konfliktit, ju bashkuan partisë komuniste më shumë se 900000 francezë, mbi 1 milion rumunë, 1 milion e 4000 mijë çekosllovakë dhe 2 milion e 200 mijë italianë.

Një situatë e ngjashme u verifikua në Kinë (ku pak më vonë komunistët do të merrnin pushtetin), në Amerikën Latine (ku anëtarësimet në parti u pesëfishuan midis viteve 1939 e 1947) dhe në vetë Bashkimin Sovjetik (ku partia u rrit me pothuajse 50% midis viteve 1941 e 1945, pavarësisht të gjitha humbjeve të shkaktuara nga lufta). Siç komentoi filozofi franko – lituanez Emmanuel Levinas në vitet ’50, rritja eksponenciale e komunizmit në atë periudhë “na mësoi që të ndjenim në ecjen përpara të kësaj lëvizjeje hapat e vetë Fatit”. Ka mundësi që zërat të cilat bënin thirrje për ardhjen e një “bote të re të shkëlqyer” u ngritën më fort nga vendet që kishin vuajtur shkatërrimet më të mëdha. Qeveritë e pjesës më të madhe të Europës nuk mund të lejonin ndjenja zemërimi apo dëshpërimi: detyra e tyre tani ishte që të merrnin kontrollin e vendeve respektive, të vendosnin stabilitetin dhe të rindërtonin.

Në të gjithë kontinentin u spastruan forcat e policisë, u arrestuan kolaboracionistët dhe u nisën procese, por ishte edhe e nevojshme që t’u ofrohej popullsive ndonjë shpresë që të kundërbalanconte zemërimin dhe demoralizimin: kështu që nuk është apsak për t’u mrekulluar nëse në Francë Charles de Gaulle premtonte që “të fillonte udhëtimin drejt shpëtimit”, nëse në Jugosllavi Marshalli Tito ofronte “vizionin e mrekullueshëm e një jete të re” të përbërë nga “bashkim vëllazërimi” dhe nëse në Britaninë e Madhe qeveria laburiste e pasluftës premtonte krijimin e një “Jeruzalemi të Ri”. Nga ana e tyre, edhe vendet e mundura duhej t’i rezistonin tundimit për t’ju nënshtruar dëshpërimit.

Në Gjermani, 1945 u shpall “Viti Zero”, jo vetëm për të treguar se bombardimet e kishin çuar vendin në Epokën e Gurit, por edhe për të shprehur shpresën që popullit gjerman t’i jepej mundësia të niste nga fillimi. Ndërkohë Japonia i përsëriste vetes dhe të gjithë botës se kishte rilindur në flakët bërthamore të Hiroshimës dhe Nagasakit. Në një diskutim të famshëm, i mbijetuar i bombës atomike Takashi Nagai e paraqiti qytetin e tij të lindjes si një martir që kishte dhënë jetën e vet jo vetëm për Japoninë, por për gjithë botën: “Duhet të jemi mirënjohës që Nagasaki është zgjedhur për këtë holokaust”, tha në nëntor të 1945. “Duhet të jemi mirënjohës që nëpërmjet sakrificës së tij, bota ka mundur të ketë paqen”.

Churchil

Etje për ndryshim Edhe vende të qëndruara larg nga dhuna efektive u prekën nga atmosfera revolucionare dhe rilindja e pasluftës. Amerika Latine u përpi nga një valë demokracie: diktaturat ushtarake nisën të bien një e nga një si birila në Ekuador, Venezuelë, Guatemalë e Bolivi dhe Peruja mbajti zgjedhjet e saj të para të lira të historisë së saj në 1945. “Vitet 1944 dhe 1945”, referoi një raport vjetor i botuar pak pas përfundimit të konfliktit, “kanë çuar në më shumë ndryshime demokratike në vende të ndryshme latinoamerikane se çdo vit përpara qysh nga luftërat për pavarësi” e shekullit të XIX-të.

Edhe pjesa më e madhe e Azi u kap nga një etje e pabesueshme për ndryshim. Kryeministri indian Jaëaharlal Nehru e tregoi shpesh Luftën e Dytë Botërore si një prej faktorëve kryesorë për rilindjen e vendit të tij si shtet i pavarur: “Sapo kemi dalë nga ajo luftë dhe njerëzit tashmë flasin në terma të vagullta dhe po aq të rastësishëm për luftëra të tjera që do të vijnë”, tha përpara Parlamentit indian në dhjetorin e 1946. “Dhe është në këtë moment që India e Re po lind, vitale dhe e privuar nga frikërat”. Presidenti i ardhshëm indonezian arriti sat ë falenderojë Qiellin për vitet e fundit të dhunës që kishin mundësuar lindjen e “një Indonezie të lirë, e farkëtuar në zjarrin e luftës”.

Domethënë, në këto vended he në shumë të tjera në Azi e në Afrikë, 1945 u paraqit vërtet si agimi i një ere të re. e gjitha bota e adoptoi këtë mentalitet idealizmi dhe ndryshimi radikal sepse u vinte për mbarë pothuajse të gjithëve: brenda një kohe të shkurtër, çdo lloj projekti në shkallë të gjerë filloi të prezantohej si vizioni i një të ardhmjeje ideale. Mbështetësit e planfikimit të centralizuar flisnin me tone entuziaste për të shtetëzuar industritë, kolektivizuar bujqësinë, rregulluar sistemet financiare dhe organizuar shoqëritë në pritje të një ndarjeje më të barabartë të begatisë, shëndetit dhe arsimit. Dhe nuk qenë vetëm socialistët ata që i propozoni këto skenare, por edhe kristian – demokratët, në Europë, si edhe në Azi, Afrikë e Amerikë Latine.

“Planifikimi po bëhet një fenomen pothuajse universale”, shkruante gjatë luftës sociologu austriak në mërgim Otto Neurath. “Planifikimi si masë lufte, planifikimi si ilaç kundër depresionit ekonomik, planifikimi si kënaqësi për arkitektët dhe si tipar i ri themelor i shoqërisë tonë”. Midis vizionarëve më entuziastë qenë projektuesit urbanë që morën detyrën të rilindnin nga gërmadhat qytetet europiane. Në 1945 arkitektët flisnin shpesh pa kurrfarë ironie për shkatërrimin si një e “mirë” dhe shikonin qytete si Coventry, Hamburg e Varshavë të ngriheshin drejt qiellit si feniksat nga hiri i tyre, më të bukura, më moderne, me një fjalë më të mirë se ato plot degradim që qenë shkatërruar në konflikt.

Në Britaninë e Madhe entuziazmi i kujt merret me rindërtimin arriti maja të tilla sa të ngjallte zilinë e fshehtë e kolegëve amerikanë: “Nëse e gjitha kjo është vepër e Blicit”, arriti të shkruajë në 1944 ekspertja amerikane imobiliare Catherine Bauer, “atëhere kjo shpjegon se pse kaq shumë liberal në Shtetet e Bashkuara kultivojnë fshehurazi hidhërimin e nuk kanë mundur ta përjetojnë në vetë të parë këtë përvojë”. Për të tjerë, shpëtimi i njerëzimit do të vinte nga shkenca: mrekullitë teknologjike e lindura gjatë luftës – në mënyrë të veçantë shpikja e energjisë bërthamore – ushtruan mbi gjeneratën e pasluftës një efekt që vështirë se mund të imagjinohet sot. Gazetarë si Gerald Wendt i Times nisën të fantazojnë për një të ardhme në të cilën “shkenca do ta çlironte racën njerëzore jo vetëm nga zija e bukës, nga sëmundjes dhe nga vdekjet e parakohëshme, por edhe nga varfëria dhe nga vetë nevoja e të punuarit”.

Në të gjithë botën nisën të qarkullojnë histori imagjinare “makinash me energji bërthamore” dhe “burime energjitike jo të ezaurueshme”. Një revistë nga Berlini parashikoi ardhjen e një mjeti hapësinor në gjendje që t’i transportonte njerëzit në Hënë për 3 orë e 27 minuta, ndërsa “Illustrated Weekly of India” në 1946 botonte pamje ternash futuristë që do ta mbulonin largësinë midis Bombay dhe Calcutta në pothuajse 1 orë, bashkë me ilustrime shkretëtirash të transformuara në oazë dhe të Polit të Veriut të shndërruar në një vend turistik.

Lufta nukleare

Lindja e institucioneve të mëdha Projekti më i madh nga të gjithë qe ka mundësi ai i globalizimit. Duke u nisur nga bashkëpunimi i vendeve aleate gjatë luftës, në mbarim të kësaj të fundit u ngritën dhjetëra institucione të reja. Mjaftoi një konferencë 3 javëshe në lokalitetin turistik amerikan të Bretton Woods, në pranverën e 1944, për të krijuar si Fondin Monetar Ndërkombëtar, ashtu edhe Bankën Botërore: thjesht fakti që kaq shumë vende (44 në total) arritën që të bien dakord lidhur me një rishikim të plotë të sistemit financiar të planetit në një kohë kaq të shkurtër e dëshmon mjaft mirë sesa e rëndësishme do t’i jetë dukur secilit prej tyre formimi i një ekonomie globale të integruar e të rregulluar.

Një vit më vonë, kur në horizont po dukej përfundimi i luftës, në San Francisco u krijuan Kombet e Bashkuara, pasuar nga institucione të tjera të shumta: Organizata e Shteteve Amerika, Komuniteti Europian, NATO, Traktati i Varshavës, Lëvizja e të Paangazhuarve, GATT-i dhe shumë të tjera, në një listë dukshëm të pafundme. Projektet madhështore qenë në rend të ditës dhe nënshkruheshin marrëveshje ndërkombëtare për çfarëdo gjëje, nga aviacioni tek sistemet globale të postës, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë lançonte një seri fushatash planetare për të zhdukur “vrasësit e mëdhenj” të botës si tuberkulozi, lija dhe malarja.

Në pothuajse totalitetin e rasteve këto institucione paraqiteshin si organizata të “lindura nga flakët e Luftës së Dytë Botërore”: vetë Kombet e Bashkuara kanë një feniks të madh që ngrihet nga flakët e luftës të pikturuar në një mur të sallës së Këshillit të Sigurimit. Domethënë, pavarësisht ndjenja kontradiktore të shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore, në 1945 popullsitë nga çdo anë e botës zgjedhën që të përqafonin këto ide, por edhe ato që nuk e bënë gjithsesi qenë të gatshëm që të bashkëjetonin me to. “Nuk mund të kthehemi prapa në strukturën ekonomike e sociale të 1939 edhe sikur të donim” shkroi me hidhërim historian ultrakonservator britanik Arthur Bryant, “pasi ky sistem nuk ekziston më”.

Brenda nëndetëses gjermane të Luftës së Dytë Botërore

Dhe shumë historian të sotëm bien dakord: “Bota nuk do të mund të kishte qenë e njëjta pas luftës”, thotë Ian Buruma. “Kishin ndodhur shumë gjëra. Qenë ndryshuar shumë gjëra”. Pavarësisht kësaj, pati shumë vijueshmëri. Përtej retorikës lidhur me spastrimin e institucioneve të Europës nga fashistët e nga kolaboracionistët, qeveritë e pasluftës nuk patën sukses të veçantë: për shembull, shërbimi civil i Gjermanisë së pasluftës ishte plot me ish nazistë, përfshi personazhe që kishin qenë përgjegjës për masakra e mizori si Wilhelm Hauser, kreu i policisë së Renani – Palatinatit. Në të gjithë Europën, nevojat ekonomike të rindërtimit kaluar përpara atyre të drejtësisë: qysh në 1946 thuajse kudo proceset ndaj kolaboracionistëve u ndërprenë pa shumë bujë dhe shumë prej të arrestuarve u amnistuan.

Në fakt është mbi këto themele që u ndërtua mrekullia ekonomike e viteve ’50. E njëjta gjë ndodhi në Japoni, ku asnjë prej udhëheqësve industrial të vendit nuk e pa kurrë sallën e ndonjë gjyqi, pavarësisht nga krimet e luftës me të cilat qe njollosur. Për pasojë, përgjegjësia e tyre në ngjarjet e luftës nuk u përball kurrë në terma të hapura dhe, akoma sot, në shekullin e XXI-të, kompani si Mitsubishi, Mitsui dhe Nippon Steel u gjendën të përfshira në çështje ligjore për veprime të supozuara që i takonin Luftës së Dytë Botërore.

Ilustrim

Zemërim, turp, frikë Për më tepër, institucionet e reja globale nuk qenë pastaj edhe kaq të reja sa donin të dukeshin: vetë Kombet e Bashkuara qenë pak të ndryshme nga një riedicion i Lidhjes së Kombeve, nga e cila kishin trashëguar një pjesë të mirë të personelit, trë statuteve dhe të agjencive (për shembull, Organizata Botërore e Punës). Në 1945, idealistët më të pastër i shikonin Kombet e Bashkuara jo si një shprehje të shpresave të pasluftës, por si një tradhëtim të tyre. “Nuk ekziston një hap i parë drejt një qeverie botërore”, shkroi në 1945 gazetari Emery Reves.

“Qeveria botërore është hapi i parë”. Më magjepsëseve midis “flluskave” të periudhës së pasluftës nuk ju deshën shumë që të plasnin. Shkencëtarë atomike si Otto Frisch bënë të ditur se ëndërrat si ajo e makinave me energji bërthamore qenë në fakt të parealizueshme: “Do të mjaftonin pak minuta në një makinë të këtij lloji për të vrarë”. Pastaj, në vitet ’60 vdiq besimi ndaj planifikimit urban, kur shkrimtarë si Jane Jacobs dhe Oscar Newman përshkruan sesi këto projekte kishin përfunduar për të krijuar padashje qytete distopike me qasje antisociale. Dhe në vitet ’80 shumë projekte madhështore centralizimi, si shtetëzimi i industrive, u përmbysën të gjitha, ndërsa politikanë si Ronald Reagan filluan të mendonin se “qeveria nuk i zgjidh problemet: i subvencionon”. Sot shumë projekte ndërkombëtare të lindura në 1945 kanë filluar që të shkërmoqen, i pari nga të gjithë sistemi financiar global i themeluar në Bretton Woods, i kolapsuar qysh në vitet ‘70 me tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga sistemi i arit. Kombet e Bashkuara rezistojnë akoma, me brekë nëpërmkëmbë, megjithëse për ditë e më shumë të injoruara nga po ato vende që janë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të tyre.

Deri Bashkimi Europian, ndoshta institucioni ndërkombëtar me sukses më të madh “i lindur nga flakët e Luftës së Dytë Botërore”, kohët e fundit ka nisur të lëkundet. Në kohën tonë ndjenjat e lidhura më rëndom me luftën nuk janë ato tipike të mentalitetit të pasluftës, domethënë idealizëm, ndjenjë komuniteti, besim tek ekspertët dhe tek institucionet. Nëqoftëse duam t’u japim të drejtë titujve të gazetave të të gjithë botës, ndjenjat e sotme janë në fakt ato që në 1945 u bë përpjekje që të shtypeshin: zemërim, turp, frikë.

(Keith Lowe është historian dhe shkrimtar britanik. Midis veporave të tij përmendim “Kontinenti i egër. Europa në përfundim të Luftës së Dytë Botërore”)

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button