Tetovë, stacion regjional për qentë endacak

Qentë endacak të cilët janë në numër shumë të madh në qytetin e Tetovës dhe në komunat rurale do të trajtohen në një stacion regjional për këta qen. Kështu kanë vendosur kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut në mbledhjen e fundit të mbajtur në Xhepçisht.

Përkohësisht është ndërtuar një stacion për trajtimin e qenve në hapësirat e ndërmarrjes publike komunale “Tetova”-Tetovë,  konkretisht në  “Njësinë parqet dhe gjelbërimi”, por kjo është një zgjidhje e përkohshme deri në rregullimin e një stacioni të mirëfilltë.

Nga komuna e Tetovës, bëjnë të ditur se ka kaluar në këshill programa për trajtimin e qenve endacak dhe në në bazë të kësaj programe ka filluar trajtimi dhe transporti i qenve endacak në këto hapësira.  

“Janë instaluar edhe kafazet për këta qen ndërsa aksioni vazhdon çdo ditë. Për këtë qëllim komuna e Tetovës ka ndarë rreth 1 milion e 200 mijë  denarë”, thonë në komunën e Tetovës.

Ndryshe, në rrugët e Tetovës, në rrugët e fshatrave në komunat rurale qentë endacak gjithnjë vërshojnë dhe paraqesin rrezik jo vetëm për fëmijët por edhe për të gjithë banorët. Sipas statistikave gjatë  vitit të kaluar e deri para katër muajve, në Tetovë dhe më gjerë janë sulmuar dhe kafshuar rreth 300 kalimtarë të rastit të moshave të ndryshme, të cilët kanë kërkuar ndihmë në spitalin e Tetovës. Vite me radhë problemi me qentë endacak tangon qytetarët e Tetovës ndërsa në shumë lokacione vërehen turma të tyre./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button