MOTRA

Ishin ulur në sofër që të tretë, Dreni e dy motrat: Dija shtatëmbëdhjetëvjeçe dhe  Vesa dhjetë vjeçe. Dy motrat e ndërmjeme nuk ishin aty. Dreni piu një gotë ujë, e lypi edhe një nga Dija, e vuri para vetes, e kroi vetullën me gishtin tregues dhe tha:

“Dije, edhe unë do të shkoj…”. Pa e mbaruar fjalinë, motra ia ktheu:

“Ku do të shkosh, vëlla”?

“Në kurbet… si të tjerët”, tha Dreni me një zë jo fort të sigurt. Dy motrat i lanë lugët mbi sofër, rreth pjatës së përbashkët. Atyre iu pre buka. Kurse Dreni e piu edhe gotën tjetër me ujë. U ngrit në këmbë, i shikoi dy motrat, pastaj tha: “Nuk kam çare… Nuk mundem më kështu”. Me kaq mbaroi dreka.

“Po je i fejuar, o vëlla”?!…

“Kur të kthehem do të bëjmë dasëm”, tha Dreni.

Dija e kuptoi se Dreni e kishte fjalën te varfëria që po i ngulfaste, por të shkretën vajzë e pushtoi tmerri. Si do t’ia bënte pa vëllain e saj. Të vetmin.

“Do t’ia dalim edhe këtu, vëlla”, tha Dija. Në fytyrën që iu zverdh motrës së shkretë i lexohej lutja: Mos shko! Çka të bëj unë me tri motra?!… Por i gëlltiti këto fjalë, siç veprojnë motrat tona  që ruhen nga fjalët e tepërta, sepse e dinë se ato arrijnë efekte të kundërta e, shpesh, edhe lëndojnë.

Dreni  e bëri të veten.  Të nesërmen u ngrit dhe shkoi. Para se të nisej, tha:

“Do t’ju çoj të holla… Do të dalim në selamet”.

Ditët që pasuan ishin të përvajshme, të përzishme, thuajse ka ndodhur mordje në shtëpi. Më në fund Dija e mblodhi veten. Tha:

“Hajt se nuk na harron Dreni neve… Na ka motra. Do të punojë disa muaj dhe do të kthehet”.

Tri motrat tjera u mblodhën si zogj rreth Dijes.

Pas  largimit të Drenit, Dija u bë edhe motër, edhe nënë, edhe baba, edhe vëlla për tri motrat e saj. Dreni nuk u lajmërua kurrë më. Që nuk dërgoi para, Dija nuk ia zinte për të madhe të vëllait,  sepse ajo gjeti një punë të mirë për të katërtat, një punë që bënin në shtëpi. Nga një pantoflaxhi  që e kishin të vetin merrte heqla, meste dhe papuçe për t’i qëndisur. Dhe, fitonin sa për të jetuar mirë. Ndërkaq  vajzat i vizitonte shpesh edhe daja që të shohë bota se ato nuk janë vetëm. Familja nuk kishte halle të natyrës materiale. As të natyrës së sigurisë. Mirëpo boshllëku që la Dreni ishte i madh.

Vajzat u rritën. Dija një nga një i martoi dhe i rehatoi.  Në fund mbeti vetëm.

Dija nuk e kishte ndjerë aq shumë barrën për rritjen dhe martesën e motrave sa e kishte munduar heshtja e vëllait, i cili nuk u paraqit i gjallë njëzet vjet të tëra.

Për njëzet vjet ajo e ndjente zërin e vëllait, jehonën e këngës së tij që shpërndahej nëpër kopsht kur këndonte, hijen e tij. Fjala kryesore ose më mirë heshtja më e madhe e saj kishin në krye të vendit Drenin dhe shpresën se ai do të vinte shpejt.  Jo të zitë e ullirit që kishte hequr për  ta mbajtur vertikalisht veten dhe familjen.

Dijen e mbajti të fuqishme dashuria për familjen, për motrat dhe për vëllanë. E mbajti tymi i oxhakut që s’duhet të ndalet së tymuari.

Motrat, ndonëse të martuara e tashmë edhe me fëmijë, i kishte pranë. Ato herë njëra, herë tjetra e vizitonin. Vetëm vendi i vëllait ishte i zbrazur e në atë zbrazëtirë kishte bërë strofullën e vet dhembja e motrës për vëllanë. Shpeshherë, derisa qëndiste, Dija  këndonte:

Vëllai ynë i mirë i kurbetit

A t’u morën mendët përreth detit…

Në dhomë, mu pranë oxhakut, Dija e kishte varur portretin e të vëllait. Vazhdimish e shikonte. Ndonjëherë edhe këmbente ndonjë fjalë me të. Dija i ruante të gjitha fletoret e tij të shkollës fillore. Teshat e tij. Edhe katër çevre të cilat i kishin qëndisur të gjitha motrat me lule të ndryshme dhe secila me përkushtim të veçantë për Drenin. Pastaj edhe një stilograf, disa libra.

Dija ende është e zhdërvjellët, e hollë, e gjatë. Me gjithë mjaft fije flokësh që i janë thinjur, me tridhjetë e shtatë vjetët e saj, ende është femër tërheqëse. Madje një burrë i pashëm ende nuk heq dorë nga dashuria që ka për Dijen. Dhe, ende e pret. Edhe ajo e do atë. E do shumë. Qysh nga klasa e shtatë, kur dashurinë e tyre të zjarrtë e manifestonin përmes letrave plot zjarrmi të shpirtave rinorë.

Dija s’e ka lehtë të luftojë me Erosin, mirëpo i përballon me forcë të pashpjegueshme shigjetat e tij. Është e sigurt se vëllai do të kthehet. Njëherë Dija do të bëjë dasëm për vëllain, pastaj vëllai do ta ta përcjellë në derë të burrit motrën e tij, Dijen, e cila e mbajti oxhakun e familjes aq gjatë të tymojë në këtë fshat të harruar të malësisë. Se oxhaqet nëpër fshatrat tona s’guxojnë të fiken…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button