Orhan Pamuk: Romanet i kam të gjata, por unë do të flas shkurt

“Asokohe librat na shërbenin për t’u shkëputur nga ndjenja e inferioritetit kulturor.”

Në fjalimin e mbajtur me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel në  Letërsi apo edhe në dalje të tjera publike, Pamuk flet për eksperiencën e të qenit shkrimtar, për nevojën dhe vështirësinë që has në këtë profesion. Këshillat e tij janë konkrete, njerëzore dhe shumë larg absurdit dhe pesimizmit që  haset te shumë shkrimtarë të tjerë. Ja çfarë thotë Orhan Pamuk për punën e shkrimtarit:

“Shkruaj sepse nuk mund ta duroj ndryshe realitetin, përveçse duke e ndryshuar”.

“Shkruaj sepse kam frikë të jem i harrueshëm”.

“Shkruaj jo për të rrëfyer histori, por për të ndërtuar histori”.

“Mbas çdo romani, është një shkrimtar  i zënë pas dëshirës, që ta përfytyrojë veten si tjetërkush, është një krijimtari që po i dhunon kufijtë e vet”.

“Të jesh shkrimtar, do të thotë të zbulosh me durim, përgjatë vitesh, njeriun e dytë, të fshehur, që jeton brenda teje, dhe një botë që pjell botën tonë të dytë”.

“Të shkruash, do të thotë të përkthesh në fjalë këtë vështrim të brendshëm, të hysh në brendësi të vetes e t’i gëzohesh lumturisë së të hulumtuarit me durim e këmbëngulje të një bote të re”.

“Për mua, e fshehta e profesionit të shkrimtarit nuk qëndron te ndonjë frymëzim me origjinë të panjohur, por te këmbëngulja dhe durimi”.

“Për t’u bërë shkrimtar, duhet të kesh, përpara durimit dhe shijes së ndalimit të kënaqësive, një instikt për t’i ikur turmës, shoqërisë, jetës së rëndomtë, gjërave të përditshme e të përbashkëta për të gjithë dhe për t’u mbyllur në një dhomë”.

“Besoj se letërsia është vepra më e çmuar që njerëzimi i ka dhënë vetes për të kuptuar vetveten. Letërsia është arti i dijes së të folurit për historinë tënde, si për historinë e të tjerëve, dhe për historinë e të tjerëve, si për vetë historinë tënde”.

“Kisha një kureshtje të pangopur dhe universale dhe një etje të shfrenuar dhe naive për të mësuar. Nga ana tjetër, e ndjeja se jeta ime  ishte e destinuar të mbetej e pakënaqur, pa disa gjëra që u janë dhënë të tjerëve”.

“Të shkruarit dhe të lexuarit ishin pak a shumë, mundësi për të dalë nga një botë dhe për të gjetur ngushëllimin nëpërmjet diferencës, huajësisë dhe krijimtarive gjeniale të tjetrit”.

“I kam ndjerë disa herë në vetvete ndjenjat e dashurisë e të urrejtjes që Dostojevski i ka provuar gjatë gjithë  jetës së tij ndaj Perëndimit. Por ajo ç’kam mësuar vërtet prej tij, një burim i vërtetë optimizmi për mua, është bota krejt ndryshe nga ajo që ky shkrimtar i madh ka themeluar, duke u nisur nga marrëdhënia e tij e dashurisë dhe e urrejtjes me Perëndimin, por, duke e tejkaluar këtë marrëdhënie.”/Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP