Mjeku brazilian tregon për ecurinë e mjekimit të Neymar-it

Mjeku i kombëtares së Brazilit në futboll, Rodrigo Lasmar tha se Neymar po bën gjithçka për të arritur gjendjen optimale fizike dhe për t’u rikuperuar nga lëndimi para Kupës së Botës në Rusi. Lasmar shtoi se situata shkon në drejtimin e duhur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Neymar përfundoi sezonin në Paris Saint-Germain më 25 shkurt, kur e theu kockën metatarsale të këmbës së tij të djathtë në një ndeshje të ligës kundër Olympique Marseille. Ai u operua më 3 mars në Brazil.

Javën e kaluar, sulmuesi brazilian tha se qëllimi i tij ishte të fillonte trajnimin më 17 maj, saktësisht një muaj para ndeshjes së parë të Brazilit në Kupën Botërore kundër Zvicrës.

Lasmar tha se është i kënaqur me përparimin e Neymar-it dhe faktin se rikuperimi po shkon në drejtimin e duhur.

“Neymar angazhohet me përkushtim dhe presim të përgatitet mirë, kështu që mund të nisë përgatitjet e nivelit të lartë për Kupën e Botës. Ai po rimëkëmbet në mënyrën më të mirë të mundshme sipas programit të përcaktuar. Duhet të përmirësojmë gjendjen e tij fizike për shkak se ajo sigurisht është në nivel të ulët. Lojtarët që kthehen pas lëndimit duhet t’i nënshtrohet testeve individuale për të bërë strategjinë më të mirë për ta”, tha Lasmar për mediat braziliane.

Brazili do të luajë në grupin “E” në Kampionatin Botëror me Zvicrën, Kosta Rikën dhe Serbinë. Neymar është shpresa më e madhe braziliane në Rusi. Deri më tani ka luajtur 83 ndeshje për ekipin kombëtar dhe ka shënuar 53 gola.

Botërori në Rusi do të luhet nga 14 qershori deri më 15 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button