Portale apo Partalle?

Vallë kanë fund marrëzirat, të cilat po na shfaqen, çdo ditë, nëpër portale dhe media të ndryshme?

Katundi digjet, plaka krihet – kështu thotë populli! Ne jemi buzë greminës, ndërsa këta, në “Shou-piset” e tyre, na tregojnë gjepura, kopalla,…! Po kush ka nevojë për “lajme” të këtilla, për këso dokrash, për këso marëzirash!

Krimineli Jeremy Meeks, mbështet reperin Capital T! – thot njëri portal! Familja Beckham në jahtin luksoz – i’a pret tjetri! Motrat Hadid, të veshura me fustan ngjyrë ari – shton i treti! Dua Lipa i shkurton flokët – shfaqet i katërti!  Joanna fejohet, Soni martohet, Xheniferi  divorcohet – vazhdojnë tjerët!

Askush nuk trishtohet, se nëpër shtëpitë tona nuk përmenden fjalë tjera përveç atyre si: “Do të iki në Gjermani”, “S’kam rrugëdalje tjetër”, “Këtu s’ka perspektivë”, “Ma ka bërë kontratën”,  “E pres vizën”,….“Më shkuan shokët, shkoj edhe unë”

Këta përsëri: Megan Fox dorë për dore me bashkëshortin në Hawai! Di Caprio prezenton të dashurën! Nëna e Gentës bëhet gjyshe! Marina është shtatzënë! Eli, fytyrën plot rrudha! Kate Middleton lindë për herë të tretë!

Nga ana tjetër, askush nuk e përmend hallin e të rinjve, vërshimin e tyre nëpër agjencitë turistike, caktimin e përditshëm të termineve, kolonat e pafund të autobusëve! Askush nuk i përmend rrugët boshe, shtëpitë pa njerëz, lagjet pa fëmijë, shkollat pa nxënës e mësues, spitalet pa mjekë e infermierë, kafenetë pa kamerierë, arat pa bujqë, … ndoshta dikur edhe varrezat pa kufoma! Askush nuk e përmend Leartin, i cili 10 vite pret në Agjencinë për punësim! Askush nuk e përmend Abdylin, i cili, nga mbyllja e fabrikës, sorollatet rrugëve si i çmendur! Askush nuk flet për punëtorët e mbeturinave, të cilët disa muaj nuk kanë marrë rrogë! Askush nuk flet për familjet, të cilat jetojnë nëpër kolibe. Askush nuk flet për të varfërit, të cilët, gjithnjë e më tepër, po  rrinë varur nëpër kontejnerët e mbeturinave!

Ndërsa këta vazhdojnë: Eminem ndihet krenar, dhjetë vite pa drogë e alkool! Anxhelina vesh fustanin e zi, në tepikun e bardhë! Kim Kardashian me bikini! Bleona i tregon të pasmet! Mihrija del prej dushit! Vajza e Sasës i ngre këmbët!

Tani shtrohet pyetja: Kujt i pëlqejnë “senzacionet” e këtilla? A na duhen pallavra të këtij lloji? A i “përtyp” ndokush këto broçkulla? Ku na shpien këto pisllëqe!

A nuk do të kishte qenë më mirë të shkruhet në këtë formë: Omer Xhemaili – gjeniu, i cili bën çudira me zemrën! Inva Mula – sopranistja e pasionuar!  Ramë Lahaj – Pavaroti shqiptar! Majlinda Kelmendi dhe medalja historike! Elsa Lila – vlera e Sanremos! Luan Krasniqi – legjenda e boksit! Rita Ora – Ambasadorja e Kosovës!,…, Edor Kabashi – eksperti i gjenetikës!

Dhe në fund, ndoshta është më mirë të heshtim, por unë personalisht nuk e preferoj fjalën latine:

“Audi, vide, tace si vis vivere in pace”.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button