Premiera “Viganet e maleve”: “Moj e bukura more” zbuti karakteret e forta të aktorëve (VIDEO)

Në një atmosferë mes shpirtrash të tundosur e luftës mes gjigantëve dhe të dobëtëve, pyetjes së Kontit: “Se kush janë gjigantët”, premiera e shfaqjes “Viganet e maleve” iu përgjigj: “Janë të padukshmit, ata që komandojnë, ata që dirigjojnë gjithë politikat financiare, ata që jetojnë maleve në kuartete të pasura”. Por tërë situata merr një tonalitet më të përshpirtshëm, kur në sfond dëgjohet melodia e këngës “Moj e bukura more” e cila e kënduar në shqip reflektoi pesëgjuhësinë, transmeton Portalb.mk.

Por, përgjigjen ndaj Kontit e plotësoi Cotrone duke thënë: “se të tillët nuk janë bash gjigantë. Por ata quhen ashtu sepse janë trupmëdhenj, të fuqishëm dhe zakonisht jetojnë maleve, që luhet atje lartë, që sforcohet nëpërmjet stërvitjeve, gërmimeve, hedhjes së themeleve, mbartjes së ujit deri te koritat e maleve, nëpërmjet fabrikave, rrugëve të bujqësisë, gjithë këto çuditërisht, jo vetëm ua kanë forcuar muskujt por edhe karakteret”.

Premiera e shfaqjes “Viganet e maleve”

Shfaqja “Viganet e maleve”, me autorësi të Luigji Pirandellos, në regji të Paolo Magellit mesazhet i përcolli me aktorët: Xhevdet Jashari, Fisnik Zeqiri, Valentina Banci, Mirko Soldano, Eniko Blenessy, Giuseppe Nicodemo, Daniel Dan Malalan, Mauro Malinverno, Boris Kuçov, Doroteja Nadrah, Riçard Hladik dhe Silvia Torok.

Dramaturge – Zheljka Udoviçiq Pleshtina; muzikë – Ivanka Mazurkijeviq dhe Damir Martinoviq; skenografi – Aleksandra Ana Bukoviq dhe Lorenzo Banci, kostumografi – Manuela Paladin Shabanović, ndriçimi – Dalibor Fugoshiq, kurse asistente regjie është Barbara Babaçiq.

Sipas regjisorit Paolo Magellit, “Viganet e maleve” parasheh vdekjen e artit të një shoqërie gjigantësh që sipas tij ka marrë përmasa globale.

“Leximi i serishëm i artit të Pirandellos është punë e vlefshme. Do të thosha edhe jeta e tij ishte ‘pirandelliane’  ku fati nuk deshi që ta kryente kryeveprën e tij, veprën që parasheh vdekjen e artit në një shoqëri të sapoformuar  gjigantësh. Një shoqëri që u shtri në përmasa globale”, thotë Magelli.

Premiera e shfaqjes “Viganet e maleve”, Portalb.mk

Magelli falenderon Bashkësinë Evropiane, trupat teatrore dhe gjithë bashkëpunëtorët e tjerë që punuan në këtë projekt.

Ndërkaq, dramaturgia Zheljka Udoviçiq Pleshtina, tha se pesë gjuhët humbasin fuqinë përballë gjuhës së artit teatror.

“Me forcën e teatrit, gjuhët e ndryshme që fliten në këtë shfaqje, vetëm në dukje janë të ndryshme. Gjithçka e kuptojmë. Në të vërtetë, kjo shumëllojshmëri e dëshmon për universalitetin e gjuhës sonë – gjuhën e artit teatror”, tha Pleshtina.

“Viganët e maleve” është pjesa e fundit e Ligji Pirandellos që paraqet një vepër të veçantë dhe virtuoze e fjalës dhe e reflektimit të artit teatror. Por sado e vjetër të duket vepra dhe arti i Pirandellos, sërish “Viganet e maleve” është rrëfim bashkëkohor që rrëzon barrierat ndërmjet aktorit dhe shikuesit, reales dhe imagjinares. Rrëfimi ndjek trupën e aktorëve që gjatë bredhjes së tyre arrijnë deri te një vend dhe kohë e pakufizuar në një hapësirë që është ndërmjet realitetit dhe përrallës, ku aktorët, atje, e gjejnë vilën, që për çudi, quhet “Mallkimi”.

Premiera e shfaqjes “Viganet e maleve”, Portalb.mk

Atje i presin shpirtrat e frikësuar, që u përkasin ekzistencave të humbura, të ardhura të kaluara, e të cilat të shpërfaqura në një ambient, dukej se gjithçka shndërronin në një mini xhungël por që realisht ishte shpirti i gjithsecilit prej nesh. Lufta bëhet edhe me veten dhe praninimin e realitetit që më nuk do të jetosh në mbretëri por në kasollë, që shpesh herë sjellë edhe ndjesinë e të pasurit tërë botën për vete: “Ti je gjithkushi dhe askushi. Apo mos ishte je askushi dhe gjithkushi?”.

Shfaqjen “Viganet e maleve” mund ta ndiqni edhe të premten dhe të shtunën në Teatrin Nacional të Maqedonisë me fillim prej ora 20:00.

Si projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, shfaqja “Viganet e maleve” vjen në bashkëpunim me: Institutin Nacional Teatri Shqiptar i Maqedonisë, Drama Italiane e Teatrit Kombëtar të Kroacisë “Ivan pl. Zajc”, Teatri i Sllovenisë në Itali, Teatri Gjerman në Rumani dhe Teatrit “Kostozlanja Deszo” të Sebisë.

Më poshtë ju sjellim edhe disa sekuenca nga premiera e së enjtes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button