Status post April 27 MMXVII

Nëse këthehemi prapa, gjatë historisë të njerëzimit, ndërrimi i sundimtarëve pa përjashtim, nuk kaluar pa shantazhe, gjakderdhje, vrasje dhe shkatërrime. Mirëpo, homo sapiensi apo “njeriu i zgjuar” gjatë civilizimit arriti që të kuptojë se liritë dhe të drejtat e çdo individi do të realizoheshin me implementimin e demokracisë, që nënkupton sistem shoqëror ku në zgjedhje të lira sovrani të mund të zgjedh apo të jetë i zgjedhur, me një qëllim të vetëm, çdo shtetas të jetë i realizuar dhe i mbrojtur nga shteti i tij ku jeton.

Maqedonia, një shtet i ri, i lindur me shumë probleme nga ish federata jugosllave, prezentohet se është shtet demokratik i qytetarëve të lirë, që në letër edhe mund të jetë, por ka qindra shembuj që në praktikë nuk është ashtu. Qeveria e kaluar aq shumë u largua nga principet e rendit demokratik sa që partitë që merrnin pjesë nuk e meritojnë që në akronimin e tyre të kenë shkronjën D, se nuk e meritojnë për shumë arsye. Qeveria e kaluar me çdo kusht kërkonte që të vazhdojë të qeverisë me shtetin duke mos zgjedhur mënyrat dhe veprimet. Fillimi i dezintegrimit të këtij pushteti ishte valvitja e flamurit rus para parlamentit dhe maicat me foto të Putinit dhe shenjën „СССР“ e mbytja në rrërrën e gjallë të keqpërdorimeve të shumta, të llojllojshme, të çuditshme, jo karakteristike për civilizimin europian, ku gjeografikisht edhe i takojmë.

Kulmi i këtij bashibozlluku ishte 27 prilli i vitit të kaluar, ku Maqedonia hyri në një eklips politik, në një errësirë që jepte shenja për dezintegrim total të një shteti i cili edhe ashtu qëndronte në këmbë me fraktura të shumta. Pas konfliktit të armatosur, kjo ngjarje ishte më e rënda dhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë si dhe qysh arritëm të menaxhojmë gjith’ atë mllef, gjith’ atë gjak të nxehur, gjith’ atë urrejtje të krijuar dhe lind pyetja, a thua ky shtet dhe njerëzit që kanë mbetur kanë harxhuar kapacitetin për të tejkaluar kriza me përmasa të këtilla.

Atë natë u sulmua shtëpia e demokracisë, parlamenti; u sulmuan deputetët që përfaqësojnë popullin, thjesht u sulmua çdo shtetas, nga më i vogli deri më i vjetri, nga ata që kanë vdekur dhe e përjetuan këtë dhe ata që lindën pas kësaj katrahure. Atë natë kishte edhe tentim për vrasje të deputetit, atë natë kishte shumë gjëra që nuk i takojnë homo sapiensit. Më e rënda ishte si t’ja spjegojmë fëmijëve tonë çfar ka ndodhur dhe pse? Pasojat e krejt kësaj nuk do munden aq lehtë të sanohen, të harrohen. Pasojat e kësaj nate shkaktuan aq komocion të madh sa votuesit shqiptarë edhe njëherë tentuan ta vrasin deputetin dhe ne rreth tij gjatë zgjedhjeve lokale, që si qytetar nuk mund ta perceptoj këtë gjendje pas 27 prillit, ndërsa si mjek mund t’i jap liri vetes dhe të jap diagnozë, dg. Status post April 27 MMXVII me të gjitha pasojat që i pam dhe ndoshta do t’i shohim në ardhmërinë e afërt apo të largët, me shpresë se do “shërohemi” dhe do mendojmë si homo sapiens-i modern, jo për diçka, por për ardhmërinë tonë që zbehet dita-ditës dhe shpraz çerdhet, shkollat, fakultetet, lagjet, qytetet dhe krejt shtetin, nëse mund ta quajmë shtet. Pasoja nga Status post April 27 MMXVII mund të shohim edhe te reformatorët e palës tjetër të cilët ndërruan kursin e fluturimit si dhe te ato që tentojnë të jenë reformator me bagazhin plotë nga bashkëqeverisja e kaluar. Thjesht, ne kalojmë në fazën e çmendurisë kolektive dhe nuk merret vesh se kush ha e kush pi në këtë aeroplan pa pilot dhe kopilot.

Për në fund do t’i rishkruaj disa postime të mija “të prodhuara” nga Status post April 27 MMXVII:

“Sulmi ndaj deputetëve është sulm ndaj shtetit, kushtetutës dhe demokracisë”.

“Bishat me fytyrë njeriu,
të lidhen me zinxhir në qafë
të kthehen në kafaz,
se çdo gjë tjetër ska lidhje
me shtetin e të drejtës dhe demokracinë”,

“Burrec është ai që sulmon në grup një individ,
ndërsa burrec i dyfishtë është ai i cili nuk e pranon “veprën patriotike” duke gënjyer si kalama!!!

Dg. Status post April 27 MMXVII

Th. !!!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button