Bartol: Dëshirojmë t’ju përshëndesim si anëtare e tridhjetë e NATO-s

Shefi i Zyrës së NATO-s në Shkup, Gorazd Bartol deklaroi se qëllimi strategjik i Maqedonisë për t’u bërë anëtare e NATO po përafrohet dhe tha se ka pritshmëri të mëdha nga qeveria në periudhën e ardhshme.

Në konferencën “Maqedonia: integrimi euroatlantik, sfida dhe mundësi të reja” që u mbajt sot në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ai i inkurajoi autoritetet të vazhdojnë me detyrat që ta zgjidhin çështjen e emrit me Greqinë dhe me këtë zgjidhje qëllimi strategjik i Maqedonisë si anëtare e 30 e NATO do të bëhet realitet, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Gorazd Bartol

“Aleatët janë pajtuar se NATO do ta ftojë vendin tuaj të kyçet në Aleancë menjëherë pasi ta gjejë zgjidhjen e çështjes së emrit në kuadër të negociatave me ndërmjetësim të Kombeve të bashkuara. Dëshirojmë t’ju përshëndesim si anëtare e 30 e Aleancës”, tha Bartol.

Ai tha se në qershor të vitit 2016,  si udhëheqës i zyrës së NATO-s në Shkup ka biseduar për ngadalësimin e reformave, ndërsa tani është i kënaqur që vitin e kaluar ka pasur bashkëpunim të përforcuar të autoriteteve dhe shtoi se është i sigurt se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO.

Ai i përshëndeti angazhimet për anëtarësim në NATO dhe përforcimin e dialogut me Greqinë dhe përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Bullgarinë. Sipas tij, energjia pozitive që ekziston nuk mund të lëshohet dhe porositi se të gjithë në vend aktivisht duhet të përkushtohen në temat prioritare, që janë reformat, sundimi i së drejtës, liria e mediave dhe shoqëria multietnike.

Kristian Timonie
Kristian Timonie

Ambasadori i Francës, Kristian Timonie i porositi qytetarët e Maqedonisë se nuk duhet të mendojnë se mosanëtarësimi në integrimet euroatlantike do të thotë luftë. Ai theksoi se ndërtimi evropian nuk është nën kërcenim dhe është domosdoshmëri, por që ekziston punë e madhe që duhet të zbatohet për shkak përkufizimeve të caktuara organizative.

“Kemi punë përpara, veçanërisht në lidhje me vendimet që duhet t’i miratojmë. Duhet durim dhe optimizëm”, tha ambasadori francez, Kristian Timonie.

Abdulkader Memedi

Duke iu referuar fjalimit të ambasadat francez, ambasadori Abdulkader Memedi tha se maqedonasit janë të rëndësishëm për durimin e tyre, por ky durim do të bëhet perspektivë realiste.

“Zotëri ambasador nëse një komb në botë që më së shumti e di se çka është durimi, ai është kombi maqedonas, jemi gjithë ne: maqedonasit, shqiptarët, të gjithë në Maqedoni. Kështu që ne besojmë në durim-shpëtim, por ai duhet të jetë durim në korrelacion me një optimizëm dhe një perspektivë reale, jo të largët”, tha Memedi.

Tomas Gerberih
Tomas Gerberih

Në lidhje me integrimet euroatlantike të Maqedonisë, ambasadori gjerman, Tomas Gerberih tha se rolin kryesor e ka procesi reformues dhe theksoi se është e rëndësishme që procesi të jetë gjithëpërfshirës. Ai shtoi se reformat duhet të zbatohen me përfshirjen e të gjithëve në shoqëri dhe të kthehet besimi i institucioneve, të cilët duhet të punojnë në kuadër të mandatit të tyre.

“Opozita duhet të kyçet në funksionimin e demokracisë. Dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, duke i tejkaluar të gjitha dallimet, është vendimtar për funksionimin e një demokracie parlamentare. Është e nevojshme kohë që reformat e caktuara të zbatohen dhe kërkojnë angazhim të lartë”, tha ambasadori gjerman Gerberih.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button