Një vjet nga dita e përgjakshme e 27 prillit, si vazhdoi ky tregim i dhunshëm?

Sot mbushen një vjet nga ngjarja më e zymtë për demokracinë e Maqedonisë, kur dhunues të tërbuar të cilët ishin të përkrahur dhe organizuar nga VMRO-DPMNE-ja, u futën brenda objektit të Kuvendit dhe rrahën deputetë, gazetarë dhe punonjës të shtëpisë legjislative, njofton Portalb.mk.

Më 9 janar të vitit 2017, presidenti Gjorge Ivanov, ia dha mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski që të formojë Qeveri, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016 kishte fituar 51 mandate, gjegjësisht 2 më shumë se LSDM-ja. Në këtë rast, VMRO-DPMNE-ja do të duhej që të fillojë negociatat për formimin e Qeverisë me BDI-në e bllokut shqiptar e cila i kishte marrë 9-të mandate.

Pas më shumë se tre javë negociata, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja nuk arritën marrëveshje për formim të Qeverisë. Në këtë rast, sipas Kushtetutës, duhej t’i jepet mundësi LSDM-së që ajo ta marrë mandatin dhe t’i fillojë bisedimet, megjithatë prej këtu nis “loja” e cila përfundoi tragjikisht.

VMRO-DPMNE dhe BDI në fillim të vitit 2013 do të bëjnë rikonstruimin qeveritar dhe ndërrimin e disa ministrive

Fillimisht, Ivanov i vendosi disa kushte liderit të opozitës, Zoran Zaev që ai t’ia nënshkruajë mandatin, megjithatë edhe pas plotësimit të të njëjtave, Ivanov vazhdimisht gjente arsye për të mos e dhënë. Sipas tij, Zaevit nuk mundet t’i jepej mandati pasi që i njëjti e ka pranuar Platformën e Tiranës (Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare) dhe me këtë do të vendoset dygjuhësi në Maqedoni. Presioni i brendshëm dhe i ndërkombëtarëve vazhdimisht rritej, ndërkaq presidenti Ivanov vazhdimisht përsëriste të njëjtat gjëra – nuk e jap mandatin.

Derisa opinioni i gjerë merrej me çështjen e mandatit, në Shkup dhe mbarë Maqedoninë nën organizimin dhe udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së mbaheshin protesta me përmbajtje naciste, albanofobe dhe anti-evropiane.

Në këtë periudhë është paraqitur dhe organizata e ashtuquajtur qytetare “Tvrdokorni” e cila më vonë u shndërrua në iniciativë “Për Maqedoni të përbashkët”, pjesëtarët e së cilës nëpër rrugët e Shkupit dhe Maqedonisë kërkonin “Maqedoni të pastër etnike”, transmeton Portalb.mk.

Zaev - Ahmeti
Zaev – Ahmeti

Në ndërkohë, edhe pse mandatin nuk e kishte në duar Zaevi, ai filloi bisedimet me partitë shqiptare, ndërkaq më 4 mars të vitit 2017, BDI e pranoi ofertën e LSDM-së për koalicion qeveritar.

Pas arritjes së marrëveshjes, partnerët e rinj, bashkë me partitë opozitare shqiptare, vendosën që më 27 prill ta zgjedhin kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferin nën një atmosferë të tensionuar brenda dhe jashtë Kuvendit.

Derisa kryetari i Kuvendit, pas zgjedhjes mbante fjalimin solemn në sallën për konferenca për shtyp, protestuesit, me ndihmën e policisë (e cila ishte nën udhëheqjen e Mitko Çavkovit nga VMRO-DPMNE-ja) dhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së, u futën dhunshëm në objektin e Kuvendit.

Disa nga deputetet e VMRO-DPMNE-së i kanë hapur portat dhe i kanë drejtuar protestuesit e dhunshëm që të shkojnë drejtë vendit ku gjendeshin Talat Xhaferi, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe pjesëtarë të tjerë të shumicës parlamentare.

Me këtë rast, policia fare nuk ka reaguar, duke i lejuar që dhunuesit lirshëm të futën në Kuvend dhe të të demolojnë gjithçka që shohin përpara.

Dhuna nëKuvend- 27 prill
Dhuna në Kuvend- 27 prill

Protestuesit rrahën deputetë, gazetarë dhe punonjës të Kuvendit. Me lëndime më serioze nga ky sulm doli deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i cili është rrahur brutalisht nga dhunuesit, transmeton Portalb.mk.

Pos tij, të sulmuar kanë qenë edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, por edhe deputetë tjerë.

Ziadin Sela, sulmi ne Kuvend

Ndër protestuesit ka pasur persona me maska të cilët kanë udhëhequr me turmën. Njëri prej tyre, ashtu siç është publikuar edhe një fotografi, vazhdimisht e ka mbajtur dorën mbrapa shpinës, që sipas të gjitha gjasave ka pasur pistoletë. Sipas informatave që janë publikuar nëpër media, personi që ka mbajtur pistoletën, i quajtur Igor Jug, atë natë është dashur që ta vret liderin e opozitës, Zoran Zaev.

27 prill Kuvend
27 prill Kuvend

Skandaloze gjithashtu ishte fakti që në atë natë, brenda Kuvendit është fotografuar edhe një agjent i shërbimit sekret të Serbisë, Goran Zivlajeviq.

Gjatë kohës sa ka zgjatur dhuna në Kuvend, agjentë nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, kanë tentuar që t’i fshijnë të gjitha video-incizimet nga kamerat e Kuvendit, me qëllim që të mos lihen gjurmë. Ndonëse agjentët kanë arritur që t’i fshijnë, megjithatë të njëjtat janë regjistruar edhe një një server tjetër, për këtë arsye ky plan ka dështuar.

Kuvend 27 prill

Faktori i brendshëm dhe i jashtëm, e pranuan zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, ndërkaq natën e përgjakshme të 27 prillit e dënuan fuqishëm.

Pas kësaj ngjarje, Ivanov, më 17 maj, përfundimisht ia dha mandatin kryeministrit Zaev, i cili më pas formoi Qeverinë me BDI-në dhe Aleancën për Shqiptarët, përcjellë Portalb.mk.

Prokuroria ngriti akuzë për terrorizëm kundër 30 personave

Për ngjarjet e dhunshme të 27 prillit, Prokuroria ka ngritur akuzë kundër 30 personave. Prej gjithsej 35 personave të akuzuar, për 30 persona është dorëzuar akuzë, për 4 të tjerë është ndaluar procedura  pasi që personat nuk janë të kapshëm për organet e rendit, ndërkaq për një person (deputetja Zhaklina Peshevska) është ndaluar procedura pasi që Prokuroria nuk ka arritur të sigurojë material për të dëshmuar kryerjen e veprës.

“28 persona akuzohen për rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë, ndërkaq dy ngarkohen për ndihmë për të njëjtën vepër penale. Për sulmin në Kuvend”, tha në konferencë për shtyp kryeprokurori Lubomir Joveski.

Sipas akuzës, të akuzuarit e kanë rrezikuar jetën e deputetëve, gazetarëve dhe të punësuarve të cilët në ato momente kanë qenë brenda Kuvendit.

“Organizatorët e protestave “Për Maqedoni të përbashkët” i kanë ftuar qytetarët e mbledhur përpara Kuvendit të Maqedonisë dhe me fjalime ndezëse e kanë nxitur mosdurimin tek ata. Gjithashtu, njëri nga deputetët e organizuar ka realizuar edhe bisedë telefonike me tani personin e akuzuar i cili ka pritur përpara derës me çka, sipas akuzës, është konstatuar koordinimi me telefon. Gjithashtu, pesë deputetët e akuzuar bashkë me të akuzuarit e tjerë nga sigurimi i Kuvendit i kanë hapur dyert e Kuvendit dhe me atë kanë mundësuar që të hyjnë protestuesit dhe personat me maska të cilët kanë qenë përpara Kuvendit. Po kësaj, personat e akuzuar nga sigurimi i kanë drejtuar turmën deri në sallën plenare dhe në atë të konferencave për shtyp”, thanë nga Prokuroria.

Gjithashtu, Prokuroria ka dorëzuar propozim deri te Gjykata që të vazhdohet vazhdimi i masave të paraburgimit dhe arrestit shtëpiak.

Cilët persona akuzohen për dhunën e 27 prillit?

  • Kërsto Mukoski, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Sasho Vasilevski, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Goran Gjoshevski – Levi, shef i sigurimit të deputetit të VMRO-DPMNE-së dhe ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanoski
  • Oliver Popovski, ish shef në Ministrinë e Punëve të Brendshme
  • Oliver Radullov, ish agjent i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim
  • Elena Docevska Bozhinovska, ish e punësuar në Kuvend
  • Ivan Cvetanovski, ish i punësuar në kabinetin e deputetit të VMRO-DPMNE-së dhe ish kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanoski
  • Boris Damovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Bogdan Ilievski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Vllado Jovanovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Igor Durullovski, udhëheqës i protestave “Për Maqedoni të përbashkët”
  • Stefan Mlladenoski, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Mihaill Mlladenosi, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Zaharie Simovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Mlladen Dodevski, organizator i turmës për sulm në Kuvend (në arrati)
  • Jane Çento, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Sasho Markovski, ish agjent në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim
  • Munir Pepiq, zyrtar policor
  • Abdulfeta Alimi, sigurim i Kuvendit
  • Luben Arnaudov, deputet në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Lupço Dimovski, në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Johan Tarçullovski, në Kuvendin e Maqedonisë nga radhët e VMRO-DPMNE-së
  • Mitko Çavkov, nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ish ministër i Punëve të Brendshme dhe ish shef i Shtabit Operativ të MPB-së
  • Mitko Peshov, udhëhqës i njësitit special të Policisë
  • Dushko Llazarov, epror policor për operacione speciale
  • Aleksandar Vasilevski – Ninxha, organizator i turmës për sulm në Kuvend (në arrati)
  • Nikolla Mitrevski – Kolo, organizator i turmës për sulm në Kuvend
  • Dejan Davidovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend (në arrati)
  • Mitre Pitropovski, organizator i turmës për sulm në Kuvend (në arrati)
  • Dhe dy ndihmës tjerë.

Procesi gjyqësor vazhdon, ndërkaq kjo datë në Maqedoni do të mbahet mend si një ndër më të zymtat për demokracinë e shtetit që nga formimi i saj.

KRYERËSIT JANË KAPUR – POROSITËSIT ENDE “NUK DIHEN!”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button