Një vit më pas

Mbrëmë festohej festa Holandeze, Dita e Mbretit. Mes tulipanëve ngjyrë portokalli dhe atmosferës së relaksuar festive që mbizotëronte në pritjen e organizuar nga Ambasada e Holandës në Maqedoni, mu kujtua që vitin e kaluar kjo ngjarje ishte caktuar që të mbahet në mbrëmjen e 27 prillit. Vërejta që shumica e personave prezentë në pritjen e sivjetshme e kujtonin pikërisht këtë fakt, rrugën e gjatë që na solli deri tek ajo ngjarje si dhe rrugën e gjatë në të cilën ecëm deri tani.

Nuk do të harrohet kurrë ajo ditë. Kishim kohë që ishim bërë shembull negativ për shtetet e përparuara e demokratike të botës. Kishte kaluar një vit nga faljet e Ivanovit të cilat i habitën të gjithë me absurditetin e tyre dhe me qëllimin e hapur të pengohet vënia e drejtësisë dhe mbajtja e përgjegjësisë për krime të rënda.
Kishim kohë që në mënyrë institucionale e sabotonim drejtësinë, përmes bllokimit të punës së Prokurorisë Speciale. Ligjet tona habisnin botën me zgjidhjet absurde që ofronin me qëllim që të mbanin gjyqësorin të mbërthyer në kthetrat e pushtetit ekzekutiv. Dhe mbi të gjitha, atë ditë bëheshin gati tre muaj nga fillimi i protestave absurde për një Maqedoni “të përbashkët” por etnikisht “të pastër” që kishin për qëllim radikalizimin e popullatës përmes përhapjes së urrejtjes ndëretnike dhe të cilat haptazi i tregonin qëllimet e tyre për pengim te transferit të qetë të pushtetit. Kishte më tepër se dy muaj që shumca e re parlamentare pengohej të zgjedhë Kryetarin e Kuvendit dhe me këtë të mbarojë seanca e parë konsitutive e cila për herë të parë në histori zgjati me muaj.

Të gjitha këto absurditete të bashkuara në një vend eruptuan si vullkan pasditen e 27 prillit. Ishte pamje makabre e një rasti të ekstremizmit të dhunshëm, prandaj nuk është aspak e çuditshme që aktakuza qëu ngrit më vonë për këtë rast ishte për veprën penale Rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe sigurisë. Ata që tani habiten lidhur me kualifikimin ligjor të kësaj vepre penale, le të kujtojnë atë që të gjithë e ndjemë atë pasdite prilli, një vit më parë. A ka dikush që mund të thotë që nuk u ndie i terrorizuar atë ditë duke ndjekur në mënyrë direkte ndodhitë në Kuvend?

A ka njeri që mund të pohojë se nuk ndjeu frikë, shqetësim dhe pasiguri për atë se çka do të ndodhë më pas, dhe ku do të jetë fundi i gjithë asaj ngjarjeje? A ka njeri që nuk pati dyshime se ky është fillimi i një lufte te re dhe të rrezikshme qytetare? Nuk besoj të ketë të tillë. E megjithatë, pas disa muajsh, relativizues të ndryshëm sa nuk e përshkruanin këtë ngjarje si një vizitë të zakonshme të qytetarëve në Kuvend me rastin e ditëve të hapura të këtij institucioni!

Ajo që ndodhi i kishte të gjitha elementet e përshkruara në figurën ligjore të veprës penale Rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe i sigurisë së shtetit. Së pari duhet sqaruar që kjo është një vepër komplekse e cila kryhet në më shumë faza. Faza e pare është sjellja e vendimit për të kryer një vepër të tillë, faza e dytë është faza e shprehjes së këtij vendimi, faza e tretë është përgatitja e kësaj vepre penale, faza e katërt është tentativa për të kryer këtë vepër penale dhe faza e pestë është kryerja e vetë veprës.

27 Prilli i vitit të kaluar paraqet vetëm fazën e pestë të kësaj vepre, ndërsa fazat tjera paraprake të së njëjtës u kryen shumë më herët. Nuk mund të thuhet me saktësi se kur tamam është sjellur vendimi për të mos lejuar te realizohet rendi kushtetues i vendit përmes transferit të qetë të pushtetit duke paramenduar edhe përdorimin e dhunës në këtë kontekst. Por me shumë saktësi mund të vërtetohet se kur filloi të shprehet ky vendim. I nëjti filloi të shprehet gjatë protestave të organizuara para KQZsë deri sa vendoste për ankesat lidhur me Zgjedhjet Pralamentare të 11 Dhjetorit 2016. Këto protesta ishin shprehje e qartë e gjuhës së urrejtjes dhe thirrje e qartë për përdorim të dhunës. E njëjta gjë vazhdoi edhe me protestat e mëvonshme “Për Maqedoni të përbashkët”, lexo “të pastër”, ku poashtu kishte thirrje të qarta për radikalizim të popullatës dhe për përdorim të dhunës.

Këto, së bashku edhe me shumë veprime tjera të forcave të sigurisë dhe shërbimeve të inteligjencës të cilat ndodhnin në hije, paraqisnin veprimet përgatitrore për kryerjen e veprës penale. Radikalizimi i popullatës që merte pjesë në protesta deri në atë shkallë sa që të guxojë të hyjë me dhunë në institucionin më të lartë në shtet nuk ndodh brenda natës, për një gjë të tillë punohet gjatë, me javë e me muaj, gjë që sqaron kompleksitetin e kësaj vepre penale. Kjo pjese e radikalizimit dhe mbjelljes së urrejtjes përmes protestave ka qenë hap krucial në kryerjen e veprës, prandaj nuk është aspak e çuditshme që organizatorët e këtyre protestave janë mes të akuzuarve për këtë vepër dhe përballen me dënime të rënda.

Ata nuk ishin thirrës të thjeshtë në ndryshim të rendit kushtetues, ata ishin veprimtarë krucialë që mundësuan kryerjen e veprës penale dhe me faktin që hynë edhe vetë me dhunë në Kuvend, treguan qartazi që këtë vepër e kanë dashur si të veten dhe nuk kanë qenë nxitës të thjeshtë që veprën penale e kanë dashur si të huajën. Sikur kjo vepër të ishte ndërprerë në fazën përgatitore ata do të mund të akuzoheshin vetëm për përgatitjen e saj. Por fakti që kjo vepër u krye në tërësi, i bën ata kryerës të vepërs dhe jo vetëm nxitës apo përgatitës të saj.

Poashtu, rol krucial në këtë ngjarje kishin deputetët të cilët i hapën dyert e Kuvendit dhe me këtë mundësuan përfundimin e veprës së filluar penale. Autorësia e tyre në veprën penale është e padiskutueshme dhe pa dilema.

E vetmja gjë që mungon tek aktakuza lidhur me këtë rast është përfshirja e organizatorëve kryesorë të cilët në një mënyre aspak të sofistikuar hiqen tërësisht nga loja dhe amnistohen haptazi. Kjo gjë është e pafalshme për drejtësinë, ndërsa për ata që tani më janë të akuzuar dhe përballen me dënime mbi 10 vite burg, është tallje me inteligjencën e tyre, me të cilën së pari vetë ata janë tallur, duke bërë gjëra që mendja e shëndoshë asnjëherë nuk mund ti kapë dhe ti pranojë. Kështu, ekzekutorët do i bartin pasojat ndërsa ideatorët dhe kreatorët e rastit do të vazhdojnë të jetojnë të lumtur në lirinë e blerë në ankandin e politikbërjes.

Kjo vepër penale, si edhe të tjerat për të cilat ka aktakuza të veçanta për tentim për vrasje, do të studiohen gjatë në të drejtën penale të vendit por edhe të botës si një rast eklatant i ekstremizmit të dhunshëm dhe i terrorizmit duke cënuar vlerat fundamentale të demokracisë, mes të cilave e para është transferi i qetë i pushtetit pas zgjedhjeve demokratike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button